Besoj se edhe shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë shqiptarë të pas 1990- tës u shkakton shqetësime të vazhdueshme e në rritje gjendja e letërsisë dhe e arteve në Shqipëri! Më saktë do të ishte të themi me zë të lartë dhe ton protestues se po përjetojnë një periudhë apo epokë të gjatë krize, që nuk i dihet dhe shikohet fundi! Por, edhe ndëshkimi shumëformësh e persekutimi nga realitetet tona shumë drejtimesh nervashkatërrues, nga institucionet kulturore shtetërore dhe qeveritare, nga shtëpitë botuese, përkthyesit, lexuesit...! E nis dhe e përfundon një roman, një vëllim me tregime e poezi; një dramë, një skenar për film artistik, një ekspozitë...!
Pastaj fillon odisejada e gjetjes së sponsorëve apo dhuruesve të pjesshëm për botimin e librit apo inskenimin e dramës e të filmit si dhe të hapjes së ekspozitës...! Nëpër shtëpitë botuese, me pronarë shumica bij e bija, nuse e dhëndurë nga familje të majta, ndihmuar bujarisht edhe financiarisht qysh më 1991 për të startuar në këtë biznes, ndoshta në zbatim të direktivës së Leninit “të gjitha pushtetet në duart e sovjetëve”(domethënë, në duart e komunistë-socialistëve), ndeshesh me halle të tjera. Përballesh me probleme, pengesa, preferenca apo persekutime mbi motivet e emrit, anshmërisë dhe bindjes partiake, krahinarizmit, qenies brenda apo jashtë listës së shkrimtarëve të realizmit socialist apo të listës së lënë nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia... Për më keq, disa prej botuesve dhe të kritikëve kanë edhe opinionin se letërsia shqiptare fillon e mbaron me pak emra, të Ismail Kadaresë, Dritero Agollit, Dhimitër Shuteriqit, Shefqet Musarajt, Fatmir Gjatës, Petro Markos, Ali Abdihoxhës, Jakov Xoxes..., në Shqipëri dhe të Rexhep Qosjes, Azem Shkrelit, Musa Ramadanit, Nazmi Rrahmanit, Mehmet Krajës, Milazim Krasniqit... në Kosovë. Këto ndjesi përçmuese dhe persekutuese ndaj letërsisë dhe autorëve të pas 1990-tës, që nuk janë “të majtë” e për më tepër kanë qenë e janë qartësisht antikomunistë, mbi të gjitha mungesën e dëshirës për të botuar një libër nga një autor i këtij grupi, së pari, i fshehin trashë me rezerva e vërejtje ideore, artistike, përmbajtësore...!? Pastaj, vijojnë me detyrimet për të pasur redaktorë, korrektorë, recensentë, autor kopertine...po prej tyre, çka nënkupton rritjen e ndjeshme të kostos për 1 kopje e për të gjithë tirazhin...
Privilegjimi për karrierë partiake politike e qeverisëse si dhe në biznese letrare, kulturore... edhe në këta 32 vjet i atyre që kanë pasur dosje, pseudonime dhe “viktima”, disave bërë edhe publikë, të përforcon bindjen drejt çuarjes ndërmend dhe shprehjes së pengut: ”Përse dreqin nuk u bëra edhe unë spiun e socialist...?” Nëpër shtëpitë botuese të ngrihet përballë edhe “muri kinez” i parapëlqimit jo thjeshtë personal e subjektiv i letërsisë klasike dhe moderne të autorëve të huaj, sidomos nga vende të BE-së, nga e cila rrjedhin drejt Tiranës, domethënë drejt disa shtëpive botuese të saj, “lumenj me euro” për përkthimin dhe botimin e veprave të tre niveleve nga autorë nga vendet kryesore...Gjetja e shumave financiare, në kushtet e shterimit të mbështetjes qeveritare dhe shtetërore e të indiferencës masive nga bosë të bizneseve, shumica e të cilëve kanë lexuar vetëm librat e shkollës 7 dhe 8 vjeçare, ka qenë dhe është edhe më e vështirë për dramaturgët , skenaristët, regjisorët....
Këtyre u duhet të kalojnë me muaj e vite nëpër disa ingranazhe qeveritare, biznesore, organizata jo qeveritare, sepse faturat për inskenimin e një drame apo skenari janë shumëfish më të larta...dhe këto vitet e fundit, justifikuar jo bindshëm e jo me sinqeritet me rrjedhojat e pandemisë dhe luftës në Ukrainë dhe të krizave ekonomike- sociale pas tyre, kanë njohur rritje të çmendur apo të pafre! Nëse ia arrin ta botosh në tirazh allashqiptar të epokës së pas 1990-tës, në rreth 300-500 kopje librin, fillon tortura e shpërndarjes nëpër librari dhe e interesimit për promovimin dhe shitjen. Promovimi me ceremoni e me praninë e gazetarëve të faqeve letraro-artistike në mediat e përditshme nënkupton telashe dhe shpenzime të tjera! Ka disa "kritikë", që edhe kur ua dhuron librin e u shpreh dëshirën për një recension të kërkojnë 5.000- 10.000 lekë për 3-4 faqe opinion. Justifikimi: “Jemi në epokën e ekonomisë së tregut! Por, na detyrojnë edhe kushtet dhe kërkesat e mbijetesës së vështirë, duke qenë ose krejt të papunë për shumë vite, ose të punësuar me pagesa lilipute...!?” Po ku t'i gjejnë shkrimtarët, shumica me paga jo të larta apo pjesa tjetër pensionistë, me pensione të ultë ose të mesme, këto lekë të shumta?
Fatmirësisht, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi... ka edhe shtëpi botuese, biznesmenë të kulturuar e bujarë, media letrare, kritikë dhe kritike letrare, si dhe individë të kulturuar e jo paragjykues në institucione të qeverisjes vendore a qendrore, që janë dashamirës dhe mbështetës 100% ose me ulje të ndjeshme të kostos së botimit për shkrimtarët varfanjakë. Jo rastësisht, shumica e këtyre nuk bëjnë pjesë në listën e shkrimtarëve dhe artistëve që kanë lënë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia e nuk pëlqehen dhe ofrohen nga shtëpitë botuese të krahut apo trashëgimit të tyre politik, edhe pse shumica e veprave të tyre, në mos nuk mbeten prapa të atyre idhujve të tyre të “realizmit socialist”, ua kanë kaluar ndjeshëm për nga niveli artistik dhe dobishmëria kohore...! Në këto kushte, përballë kësaj gjendjeje me rrjedhoja negative për autorët, lexuesit, letërsinë shqiptare në përgjithësi, shpesh herë edhe unë kam ngritur zërin në korin shumëzërash për shumë më tepër vëmendje dhe mbështetje konkrete dhe emergjente nga lart e nga poshtë. Por, edhe këto "ulërima" të mia, ashtu si të tjerëve, kanë humbur si në një shkretëtirë që nuk i dihen as fillimi dhe as fundi. Gjykoj se një nga arsyet e heshtjes për romanet e mi e plot të tjerëve të pas 1990-s nga mediat qeveritare është se në ata lakuriqësohet artistikisht shpirti monstruoz i Enver Hoxhës, ndryshe nga sa ndodh në disa nga poezitë dhe romanet e Ismail Kadaresë, Dritero Agolli(me përjashtim të romaneve “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Dështaku”, “Arka e djallit”)...,hymnizohen Enveri dhe bëmat e tij, në Moskë e në Shqipëri. Përveç ndarjes “letërsi e vërtetë e cilësore” dhe “letërsi konsumi”, gjykoj se është mirë që të mos harrohet ndarja tjetër: shkrimtarë të realizimit socialist, formëzues të tij e të mbetur përjetësisht në "listën e Enverit dhe të Ramizit" dhe shkrimtarë të pas 1990-tës apo “modernë”, që po i bëjnë artistikisht skanerin Enver Hoxhës dhe sistemit të tij diktatorial e zhvillimeve të reja në periudhën e paskomunizmit ose të demokracisë! Me sinqeritet, më shumë për mungesë kohe e fuqi të pakët blerëse, kam lexuar fare pak nga veprat e shumta, të vlerësuara për cilësinë e spikatur artistike e të përkthyera edhe në disa gjuhë të huaja të autorëve të pas 1990-ës apo post-komunizmit. Po për arsye të mungesës së kohës së lirë e të pamundësisë financiare për të blerë shumë libra, me shumë gjasa, edhe shumica e këtyre autorëve, nuk kanë lexuar asnjërin nga 5 romanet e mi e të autorëve të tjerë të brezit të romancierëve të pas 1990-tës!? Fatkeqësisht, edhe kritika letrare është në krizë rreth 30 vjeçare e lexon dhe analizon pak vepra të shkrimtarëve të pas komunizmit e të demokracisë. Në këto kushte vazhdojnë me nostalgji të merren ose me autorë dhe vepra të autorëve "të moçëm" sajues të "realizmit socialist", t’i “përmbytin” me çmime të pamerituar e të mos i shikojnë "shkrimtarët e demokracisë" dhe veprat e tyre, aspak më poshtë për nga niveli artistik!? Ose me autorë nga letërsia e huaj, sidomos nga ata që me më shumë emër dhe vepra të pëlqyeshme e të futura me meritë në fondin e artë të letërsisë botërore! Por, edhe nga autorë dhe autore nga bota, që shkruajnë dhe botojnë nga një roman, edhe voluminoz, në 3-6 muaj!? Dëshiroj të shtoj se shkrimtarët e pas 1990, janë viktima edhe të rënies së fuqisë blerëse tek shumica e qytetarëve; edhe e interesit tek ata për librin, sidomos si rrjedhojë e zhvillimit masiv të internetit. Por, edhe e mos funksionimit normal të shumicës së bibliotekave në qytete, duke filluar me Bibliotekën Kombëtare në Tiranë! Gjithashtu, edhe përzgjedhjeve preferenciale e me doza korrupsioni të autorëve nga shkollat e nga mediat, duke "mos i parë" edhe kur i kanë “nën hundë apo nëpër duar” ata të pas 1990-tës e sidomos ata "antiqeveritarë". Shkrimtarët e pas 1990-tës janë të viktimizuar edhe nga masivizimi, sidomos në moshat e reja të celularëve, tabletëve, kompjuterave..., që u gllabërojnë shumë orë në ditë. Për më tepër e keq, siç vura në dukje edhe më lart, janë të detyruar, në pjesën më të madhe, t'i përballojnë të gjitha vetë: edhe botimin, edhe shpërndarjen, edhe reklamimin, edhe shitjen...e krijimeve të tyre letraro-artistike! Për të qenë objektivë, na duhet të kujtojmë e pranojmë se deri më 1990 kemi pas detyrimin më shumë zyrtar se sa të vullnetshëm për të lexuar romanet e Dhimitër Shuteriqit, Shefqet Musarajt, Sterjo Spases, Fatmir Gjatës, Petro Markos, Ismail Kadaresë, Dritero Agollit, Ali Abdihoxhës, Jakov Xoxes, Teodor Laços,...!
Për këta shkrimtarë ishin në dispozicion apo mbështetje ministritë e arsimit e te kulturës, libraritë, bibliotekat, seksionet e kulturës nëpër komitetet ekzekutive, ambasadat..., çka mund t'u duket si përrallë shkrimtarëve të sotëm nën 50 vjeç...!Është fakt i njohur e publik se disa nga autorët më përfaqësues te "realizmit socialist", shumica me poste në Lidhjen e Shkrimtarëve, në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, e tj., në veprat e tyre kryesore, kanë bërë edhe shtrembërime të mëdha të të vërtetave dhe figurave historike, nacionaliste e antikomuniste, duke i parë ngjarjet dhe njerëzit me dy ngjyra, bardhë e zi ose kuq e blu!? Nisur nga interesa e qëllime partiake, politike, karrieriste, lavdie personale...kanë idealizuar dhe glorifikuar Enver Hoxhën dhe ca komisarë, komandantë, bashkëpunëtorë të tij...!? Nga ana tjetër, kanë hedhur "kova të mëdha me baltë e bitum" mbi personazhet gjithashtu realë dhe personalitete politike e kulturore të krahut nacionalist e antikomunist, që pas 1990- tës kanë rezultuar se nuk kanë qenë në jetë e në të vërtetë, siç janë paraqitur nga shkrimtarët e “realizmit socialist”! Kjo tendencë e praktikë nëpërkëmbëse e artit dhe letërsisë së vërtetë, nuk mund të kapërdihet më, duke i ruajtur emrat dhe veprat e këtyre autorëve të pacënuar, të pakritikueshëm, të paredaktueshëm..., në po ato vende e "podiume" nëpër librari, biblioteka, tekste dhe antologji të letërsisë shqiptare të të dy kohëve! Por, a i kemi lexuar me të njëjtin interes dhe dëshirim edhe shumicën nga romanet e të ndjerëve Martin Camaj, Murat Isaku, Dhimitër Xhuvani, Shefki Karadaku, Robert Prifti, Fatmir Alimani, ...? Apo të të gjallëve dhe të ty dy epokave Zija Cela, Koço Kosta, Fatos Kongoli, Agim Gjakova, Ruzhdi Pulaha, Nasi Lera, Diana Çuli, Thanas (Adrian)Jorgji, Kadrush Radogoshi, Viktor Canosinaj, Mihallaq Qilleri, Skifter Këlliçi, Bashkim Hoxha...? Edhe më pak interes dhe detyrim shkollor e universitar ka pasur e ka për të lexuar romanet e shkrimtarëve më të spikatur në këta 33 vjet të demokracisë, si Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçka, Met Dervishi, Thanas Medi, Dashnor Kokonozi, Ridvan Dibra, Robert Martiko, Tyran Prizren Spahiu, Namik Dokle, Kim Mehmeti, Amadeo Baçi, Flutura Haçka, Ornela Vorpsi, Mira Meksi, Elvira Dones, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Mirela Kanini, Ylli Polovina, Istref Haxhillari, Rudi Erebara, Ylli Demneri, Stefan Çapaliku, Kristaq Turtulli, Shpendi Topallaj, Vaso Papaj, Fatmir Minguli, Grigor Banushi, Tom Kuka(Enkel Demi), Veli Karahoda, Çlirim Hoxha, Ahmet Prençi, Agron Cami, Zekerija Idrizi...e plot të tjerë e të tjera, që kanë botuar nga një tufë me romane, duke lënë në fund fare veten... Për më tepër, që për nivelin e lavdërueshëm cilësor, nuk i meritojnë këtë trajtim e ndëshkim. Po kështu, me shumë gjasa deri në 99.999%, nuk i kanë lexuar as kritikët dhe studiuesit letrarë. Padyshim, as mësuesit dhe profesorët e letërsisë dhe as gazetarët e gazetave, suplementeve, faqeve, rubrikave letrare...! Në këto kushte, a është e logjikshme, e drejtë dhe e pranueshme që pa njohje të plotë, pa debate e konsensus masiv të bëhen vlerësime e klasifikime subjektiviste dhe arbitrare, mbështetur në mitet, kultet, listat preferenciale...të trashëguara nga koha e diktaturës komuniste dhe e “realizmit socialist?