Më thirren në zyrën e emigracionit për të përkthyer në një rast të një bashkëkombësi.
Emigranti më thanë e flet gjuhën tuaj dhe dialektin tënd.
E pranova kërkesën jo me shumë dëshirë pasi kisha gjetur edhe punë të rregullt në kohë të plotë, por, për të mos humbur punën me kohë të redaktuar që e kisha prej disa vitesh si interpretues.
Sapo u futëm në sallën e gjyqit gjykatësi më drejtohet mua e më thotë ti drejtohem klientit e ti shpjegoj se gjyqtari pavarësisht nga materiali i bollshëm i kërkesës për të fituar leje qëndrimin në Amerikë kërkon që ju të shpjegoni thjesht e qartë përse kërkoni të qëndroni.
Klienti im nis duke u qarë, të numëroj hallet dhe arsyet themelore sepse ai e ka të domosdoshme të lerë vendin e tij.
E fillon qysh me gjyshin e tij, që e kishte pas partizan por mbas lufte e bënë kulak dhe e futen edhe në burg sepse gjoja kishte fshehur pak drithë të koshit në kohën e racionit…Tregon për babanë që ishte le e rritë në internim e që e kishin lenë pa shkollë e pa punë. Vazhdon me lot në sy duke shpjeguar sesi shteti komunist ju kishte marrë tokën dhe sesi edhe gjyshen e tij e kishin dënuar komunistët sepse nuk pranonte të ndërpriste ritet e zakonet fetare dhe e mbante kryqin në qafë pa ju trembë syri…
- Ju po flisni për një kohë të largët zotëri, me sa po kuptoj unë dhe me kërkoj ta ndihmoj, a mos po flisni për shekullin e kaluar…
- Po zoti gjykatës, ai po flet për kohën e diktaturës por më thotë të ju shpjegoj se janë edhe sot të njëjtët njerëz, të njëjtat familje që kanë zënë çdo qelizë të shtetit e të pushtetit.
As nuk ka punë për njerëzit e familjes, as tokën që e ka në bregdet nuk ja japin dhe ai kërcënohet çdo ditë për mbijetesë.
- Ndalo këtu më drejtohet gjyqtari: pyete klientin se çfarë ka bërë ai, a ka bërë ndonjë përpjekje për t’u përballë me ketë regjim që ashtu po e quan..?!
- Jam krejt i varfër zotni, vazhdon me përulje ( bile edhe trupin e përuli para gjykatësit- çka nga shikimi e kuptova që kjo nuk i pëlqeu aspak gjykatësit ) jam i këputur edhe për bukën e gojës kur janë bërë votimet kam dhenë pesë vota për të marrë pesë thasë me miell gruri….kështu edhe për votimet e dyta, dhe asnjë herë nuk më mbajtën premtimin se do më punësojnë….e tani së fundi i dërmuar nga pritja i shprazem një mikut tim të besuar por që është në anën e pushtetit se kësaj radhe pesë votat e mia t’i harrojnë mashtruesit, ato nuk do shkojnë në kutin e tyre…
Dhe çfarë më tha miku:
- E ke të pa mundur, të kanë në listë të thasëve të miellit. Ata po të gjetën punë duhet të heqin nga ajo listë dhe do të humbin votat e pushtetin. E ti nuk ke rrugë tjetër vetëm të votosh gjithmonë për ata…E zëmë se u trimnove dhe do të përplasësh…atëherë ata do të tregojnë hekurat e burgut, sepse ju keni shitur pesë vota me pesë thasë miell dhe ata i kanë provat e do ta shesin ketë rast se po mbrojnë demokracinë duke dënuar shitblerjen e votës …?!
Prandaj duke qarë me dënesë kapërceva oqeanin për të mbijetuar Zoti gjykatës, të lutem më ndihmo se atje nuk kam asgjë, të gjitha na i kanë marrë…vetëm të qaj më ka mbetur!
- Dhe si mendoni ju zoti qytetar Amerika paska nevojë për qaramanat…?!
- Jo, jo Amerika mbron trimat, luftëtarët e vërtetë për të drejtat e liritë njerëzore. Ata që përplasen e sakrifikojnë kundër regjimeve…Në se dëshironi të ulni qafën, vazhdoni atje…!
Ata, regjimet ju rrjepin e dimë, ju vjedhin edhe ketë e dimë por që t’ju vjedhin aktualitetin kjo nuk pranohet…e ju keni pranuar t’ju vjedhin gjithçka, edhe personalitetin edhe aktualitetin …është zgjedhja juaj?!