me risi e vlera e këtij romani është e larmishme. Mund të fillohet me origjinalitetin në ideim dhe strukturim,. Pastaj mund të vazhdohet me përkujdesjen nga faqja e parë deri tek e fundit në rrëfimin artistik, me një frazeologji e fjalor të pasur nga shqipja e hershme dhe e sotme si dhe nga e folura krahinore. Por edhe me një fond të pasur fjalësh e kompozitash të krijuara nga vetë autori ose të nxjerra prej tij nga thesari i dialektologjizmave të qyteteve dhe fshatrave përreth Liqenit të Pogradecit apo të Ohrit. Për më tepër, që duken fort të natyrshme e karakterizuese për periudhën kohore të subjektit të romanit, pra të Suli Starovës e Bendo Shapërdanit...! Duke qëndruar në këtë fushë, nuk mund të mos vihet në dukje përkujdesja deri në skrupulozitet, së pari nga autori e pastaj nga redaktori Loredan Bubani për kulturën gjuhësore, duke përdorur një sitë shumë të imët ndaj gabimeve gjuhësore apo ortografike. Me dy personazhet kryesorë, Bendo Shapërdanin e Suli Starovën autori i këtij romani e ka treguar veten edhe si shkrimtar me përvojë, edhe si piktor, edhe si operator televiziv e kinematografik në portretizimin dhe individualizimin e tyre, duke i kushtuar më shumë rëndësi sjelljeve, mendimeve, bëmave të tyre se sa paraqitjes së jashtme, fizike.
Kjo e ka ndihmuar autorin për të shprehur nëpërmjet veprimeve e qëndrimeve atdhedashurinë, pasurinë dhe bukurinë shpirtërore, vendosmërinë e tyre, deri në vetëmohim, për të luftuar për të drejtat e popullit të krahinës, për liri e jetë më të mirë në trojet e veta stërgjyshore, sidomos për t’u lehtësuar nga leqet e shumtë në fyt në formën e taksave të vëna nga pushtuesit turq e nga pashallarët shqiptarë vasalë të tyre. Mjeshtëria artistike e autorit shquhet sidomos në portretizimin shumëplanësh të figurës qendrore të romanit, Bendo Shapërdani. Ky roman e merr temën nga jeta shqiptare gjatë sundimit turk, konkretisht nga fundi i shekullit të XVIII. Në qendër është udhëheqësi popullor, kapedan Bendo Shapërdani, një figurë historike, por e pa trajtuar sa meriton nga historia dhe letërsia, prandaj kishte mbetur më së shumti në vargjet e këngëve popullore e të legjendave. Shkrimtari Kristaq Nanushi ka meritën e padiskutueshme që varfërinë apo boshllëkun për të dhëna historike, dokumentare, arkivore, të publikuara ta kapërcejë me këmbëngulje të lavdërueshme, duke kërkuar dhe gjetur aq sa i duheshin si në folklor, ashtu edhe në burime të tjera, arkivore e gojore, në Pogradec e në qytetet e Ohrit e të Strugës si dhe në Manastirin e Shën Naunit, në Perister, Manastir...Siç dihet nga burime dhe botime historike, në trevën e Pogradecit në vitet e fundit të shekullit të 18-të u organizuan kryengritje të armatosura fshatare kundër pushtuesve turq, me prijës Suli Starovën dhe Bendo Shapërdanin.
Për atmosferën politiko-shoqërore të kohës krijojnë ide dhe përfytyrime skenat plot detaje shprehëse nga jeta e rëndë e popullit shqiptar nën pushtimin prej ushtrive osmane e të pashallarëve vendas, që u bënë shërbëtorë të sulltanëve të Stambollit si dhe copëzat nga vjershat e folklorit të atyre krahinave. Por, artistikisht nëpërmjet jetës në kazanë e Starovës, përgjithësohet dhe jeta e gjithë popullit tonë, në hartën e atij shekulli. Ballafaqimet e fshatarëve të Malit të Thatë me dërgatën e Ahmet Pashait, apo debatet në kuvendet e Namazgjasë së Starovës i përshkruajnë bukur dhe me emocion dukuritë dhe kundërshtitë sociale të kohës, dufin popullor që vlonte prej shtypjes si dhe prej varfërisë së madhe. Edhe pse me epërsi të ndjeshme në numër, në armatime e në organizim, ushtria e Perandorisë Osmane u thye dy herë, për turp përballë forcave të komanduara nga Bendo Shapërdani, duke u ndëshkuar për humbjet jo Ahmet Pashai, por komandantët ushtarakë nën vartësinë e tij.
Teatri i njërës prej këtyre betejave apo krejt subjekti i romanit, në formë piktoreske, është pasqyruar artistikisht bukur edhe në tablonë kompozicionale që është në kopertinë, vepër e Piktorit të Merituar Anastas Kostandini. Pashai i Ohrit, autor i një skenari me vizion të largët dhe i intrigave në zbatim të tij, me pabesi eliminoi njërin nga dy udhëheqësit, Suli Starovën. Ky mund të quhet edhe viktimë e ndërgjegjshme e kultit shqiptar për besën e dhënë. Këto ngjarje jepen përmbledhtas me retrospektive, në tre kapitujt e parë. Pastaj, me kompozicion përgjithësisht linear, me thyerje të lehta, në 23 kapitujt vijues përshkruhen luftimet e Bendo Shapërdanit me çetën e tij me ushtritë e pashait të Ohrit. Emri dhe fama e këtij kapedani vajti në Stamboll. Populli i ngriti një këngë epike nga më të bukurat, të cilën e botoi Thimi Mitko në përmbledhjen “Alvaniki melissa” (Bleta Shqiptare) në Aleksandri më 1878, pastaj e kthyen në tregim Mitrush Kuteli e Sterio Spasse. Ndërsa Kristaq Nanushi fatmirësisht ka guxuar dhe ia ka arritur të shkruaj këtë roman të bukur dhe emocionues, me figurë qendrore njeriun sa real, historik dhe aq legjendar, Bendo Shapërdani.
Përshkrimi i figurës së këtij heroi historik e letrar, edhe nga këndvështrimi psiko-analitik, është një nga arritjet më të mëdha të autorit. Po kështu mjeshtria e autorit shprehet edhe për krijimin dhe përshkrimin artistik të personazheve joreale, pozitivë dhe negativë. Karakterizimi apo portretizimi me detaje të kursyera, por të gjetura individualizuese, i përfaqësuesve të sulltanit, turq apo shqiptarë në shërbim të tyre, si vrastarë të paskrupullt të popullit shqiptar e me mendje e shpirtra djallëzorë, realizohet nëpërmjet skenave, veprimeve, intrigave dhe urdhrave të tyre, dialogëve koncizë, por shprehës dhe mbresëlënës për nga teksti e nënteksti. Po kështu, është meritë e padiskutueshme edhe përshkrimi artistik dhe i besueshëm i harmonisë ndërfetare midis shqiptarëve. Ata janë të pandarë edhe në jetë, edhe përballë ushtrive të pashait të Ohrit. Kur ky i fundit i nxit njerëzit e tij “të ndezin urët” midis myslimanëve dhe krishterëve, qatipi i thotë se ata “shkojnë shumë mirë, si miq.
Në luftë si vëllezër. Jetën e bëjnë bashkë në gëzime e hidhërime, në paqe e në luftë. Kanë bërë edhe krushqi. Një zot kemi, thonë. Shikoji, pasha, dhe të parët e tyre, Suli Starova është mysliman, Bendo Shapërdani është kaur. Si të ndahen të tjerët?” Një nga vlerat më të spikatura të këtij romani, me lëndë historike, por me vizion dhe mesazhe në funksion të së sotmes, gjendet tek aftësia dhe mjeshtëria e autorit për të përshkruar dallimet kombëtare si dhe jetën e përvuajtshme, përgjithësisht të njëjtë dhe fqinjësinë në raporte e marrëdhënie të ngushta jetësore midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Autori ka përshkruar me mjeshtëri edhe personazhet e Ritës dhe të Lenës, dy vogëlushe që rriten bashkë me lodra, mendime dhe ndjenja fëmijërore e vajzërore. Bota shpirtërore e tyre, me ngjyrat dhe kufizimet e kohës, përcillet mjeshtërisht, me detaje sa njerëzore, aq edhe artistike. “Kur po mbushnin 15 vjet zunë po shihnin ëndrra ndryshe nga ato të fëmijërisë. Ia tregonin njëra-tjetrës të skuqura, me purpur në faqe. Shihnin dhe ëndrra me turp, sikur pranë u afroheshin djem të bukur. Në këto raste gjumi u trembej dhe ëndrra u tretej si flokë bore mbi qerpik.” Në subjektin e romanit linja e këtyre dy vajzave, edhe pse me pak hapësirë si faqe, sjell një botë tjetër, me jetë dhe emocione të veçantë. Këto skena lirike e lehtësojnë përjetimin e lexuesve nga pjesët me dramaticitet e tragjizëm të fortë. Fundi tragjik i Lenës është dëshmi e dramave individuale e familjare gjatë asaj periudhe nën pushtimin turk.
Në subjektin e larmishëm të këtij romani, krahas fragmenteve dhe skenave me dramaticitet tronditës të luftimeve, ndërthuret artistikisht bukur edhe linja lirike e dashurisë së Bendos me Veselinën, vajzën maqedonase, lindur e rritur aty pranë. Marrëdhëniet mes tyre përcillen me një natyrë rrëfimi shumë lirike prej autorit. Në fillim janë “bisedat frymëvalë e ëndërrimet qiellore”, pastaj në takimin e parë, nën një shtog të çelur, midis luledeleve të bardha, Vesa lë trëndafilin e kuq të vajzërisë. Vazhdojnë harbime faqeve të malit, ai si mëzat e ajo si hergjele, enden me varkë valëve të liqenit, zhyten në not e lodra uji... Kështu kapedani bën me nusen “atë që bën prilli me qershinë, e lulëzon”. Edhe pse kohë luftërash e trazirash, në roman zënë vend dhe përshkrime të goditura ndjenjash erotike, skena dashurie, madje marrëdhënie seksuale, të ndërtuara me mjeshtëri e maturi, pa rënë në erotizëm e pornografi. Këto ia shtojnë romanit bashkëkohësinë me të sotmen dhe e bëjnë të këndshëm dhe emocionues për lexuesit e shekullit 21, nga adoleshenca deri në pleqëri. Skena e njohjes së Bendos me Veselinën, në një mëngjes, ndërsa ajo me dy shoqe lahen lakuriq në një gji të fshehtë të liqenit, si sirena përrallash, e përfytyrueshme ngjashëm me një copëz filmi, përshkruhet me përkujdesje të shtuar artistike. Aty, pikërisht, djaloshi Bendo la mendjen së pari.
Po aty, pas shtjellimit të subjektit, do të jetë edhe skena e fundit e çiftit të dashuruar. Këtë herë në mbrëmje, në mbyllje të ditës, që paralajmëron dhe sjell edhe mbylljen e jetës bashkëshortore...e njerëzore të Bendos, vërtetë e shkurtër si kohë e vite, por e pasur me ngjarje, histori, drama, emocione, lotë gëzimi e hidhërimi...Mund të thuhet pa e tepruar dhe pa subjektivizëm se personazhit historik të Bendo Shapërdanit, në këtë roman, autori Kristaq Nanushi jo vetëm i ka hequr pluhurin e harresës, por e ka bërë mbartës dhe përçues të mesazheve aktuale jo vetëm shqiptare, por edhe ballkanike, për të gjitha kohët. Momenti më tronditës është vrasja me tradhti e Bendos. Atij ia presin kokën, por ai nuk rrëzohet shpejt. Këtu autori futet mjeshtërisht në thellësitë e legjendës. Edhe pse pa kokë, ai vazhdon luftën me armiqtë, duke shkulur lisat aty pranë dhe duke i hedhur mbi ta. Një skenë sa sureale dhe e pabesueshme, aq edhe nxitëse e fantazisë së lexuesve, deri në përjetimin e tij të kësaj skene si në epilogun e një filmi artistik. Krahas sfondit historik autori, si një piktor i vërtetë, i ka përshkruar mjeshtërisht edhe bukuritë e rralla magjepsëse të Liqenit të Ohrit (Liknidës), të qyteteve e fshatrave rreth e rrotull tij.
Njëkohësisht shkrimtari Kristaq Nanushi ia ka arritur me sukses të spikatur edhe për të pasqyruar artistikisht bukur e besueshëm edhe psikologjinë, mendësinë, ndjesitë karakteristike të njerëzve të asaj kohe. Nuk mund të lihet pa vënë në dukje se toponomastika është sa e pasur, aq edhe konkrete e reale. Kjo të përforcon bindjen se autori i ka shkelur vetë me vëmendje e jo si turist i zakonshëm gjithë viset që përshkruan aq bukur në këtë roman, që meriton të gjendet në libraritë e Pogradecit, Strugës, Ohrit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës si dhe në Diasporë e të jetë në libraritë e sa më shumë familjeve shqiptare. Së fundmi, meriton përgëzime edhe piktori Gentian Tola për portretin e Bendo Shapërdanit, që gjendet pas parathënies tejet profesionale të shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Nasho Jorgaqi! Merret me mend se ky portret është realizuar mbi bazën e të dhënave të pakta si njeri e të përfytyrimeve nga burimi folklorik, nga vjershat e pakta për Bendo Shapërdanin.