"Varreza tumulare e Dollcit" është monografia e promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Të dhënat në këtë monografi paraqesin një studim të realizuar në verën e vitit 2021, në lokalitetin arkeologjik të njohur si Nekropoli Tumular i Dollcit. Për herë të parë kjo varrezë tumulare është evidentuar në vitin 2015 nga Shafi Gashi, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.
Autorë të kësaj monografie janë Premtim Alaj, Sedat Baraliu dhe Bardhyl Rexhepi. Në emër të tyre ka folur Premtim Alaj, i cili theksoi se hulumtimet në terren janë realizuar për dy muaj, teksa shtoi se është i qasshëm edhe për publikun ndërkombëtar.
“Terreni i Dollcit është shumë i vështirë duke pasur parasysh që siç thotë populli ‘aty edhe hëna djeg’, është komplet terren shkëmbor. Shto këtu që tumat që janë të mbuluara me gurë janë shumë problem për me i gërmua dhe normalisht edhe varret kanë qenë me djegie. Kockat kanë qenë vetëm të shtrira në varre dhe për të identifikuar një varr ka qenë shumë e vështirë. Zakonisht me kolegët që ne e bëjmë këtë punë për qejf dhe shto këtu edhe temperaturat ekstreme që kanë qenë por që rezultoi të jap një kulturë shumë të pasur materiale. Pas gërmimit u morëm edhe me studimin e materialit dhe aty pamë që ka një kulturë shumë të pasur”, u shpreh ai.
Michael L. Galaty, i cili është arkeolog dhe antropolog, tha se Kosova duhet të jetë krenare me hulumtimin e kryer dhe trashëgiminë kosovare.
“Si shumë projekte arkeologjike, si këtu në Kosovë, por kudo në botë dhe gjithashtu në Shtetet e Bashkuara, arkeologjia shpesh fillon, sepse ne jemi duke shpëtuar një vend arkeologjik. Ka një vend arkeologjik që është gati të shkatërrohet sepse po ndërtohet një rrugë, po ngrihet një spital i ri, po hyjnë linja të reja kanalizimesh dhe shumica dërrmuese e arkeologjisë sot në botë nuk bëhet domosdo nga profesorë, por nga arkeologë të cilët po shpëtojnë një vend sepse do të preket ose shkatërrohet. Dhe unë mendoj se është diçka për të cilën Kosova duhet të jetë shumë, shumë krenare dhe Instituti i Arkeologjisë duhet të jetë krenar për këtë për shumë e shumë vite, dekada, instituti ka punuar shumë për të shpëtuar këto vende dhe për të ruajtur informacionin për trashëgiminë kosovare”, theksoi ai.
Këshilltarja e ministrit të Kulturës, Nora Krasniqi tha se për herë të parë kanë filluar procesin e shpronësimeve në hapësira arkeologjike.
“Arkeologjia si një nga shtyllat kryesore të trashëgimisë sonë kulturore po merr vëmendjen e duhur shtetërore, ku me prioritet e dinamik të lartë po punojmë së bashku në hulumtime të lokaliteteve arkeologjike, hartime të planeve të menaxhimit, bashkëpunime ndërkombëtare me universitete e institute me renome ndërkombëtare, studime e publikime të rezultateve. Për herë të parë kemi filluar procesin e shpronësimit në lokalitetet arkeologjike, të cilët paraqesin rëndësi të jashtëzakonshme historike jo vetëm për vendin tonë por edhe në nivel ndërkombëtar e universal. Shpronësimet kanë filluar në lokalitetet arkeologjike të Ulpiana Justiniana Secunda dhe në lokalitetin e Dresnikut”, tha ajo.
Ndërsa, recensenti Shafi Gashi tha se kjo monografi përmban gjashtë kapituj në dy gjuhë.
“Varreza tumulare e Dollcit e autorëve Premtim Alaj, Sedat Baraliu dhe Bardhyl Rexhepi është një monografi e rëndësishme për vetë faktin që pas tri vjetëve dalin në dritë rezultatet e këtij gërmimi arkeologjik të zhvilluar në vitin 2021. Tumat e Dollcit ishin të evidentuar shumë vite më parë dhe si pasojë e aktiviteteve të nxjerrjes për nevojat u desh që Instituti Arkeologjik të ndërmerr këtë fushatë. Monografia ‘Varreza tumulare e Dollcit’ përmban gjashtë kapituj dhe është në dy gjuhë me mbi 200 faqe, tekst i cili është i ilustruar me shumë foto të procesit të gërmimit si dhe inventari i gjetjeve”, u shpreh ai.
Instituti Arkeologjik i Kosovës ka realizuar gërmime arkeologjike për rreth dy muaj, ku është arritur të zbulohet, dokumentohet dhe shpëtohet një material i pasur arkeologjik, i cili ka konfirmuar edhe njëherë se ky lokalitet paraqet një zonë të pasur.