Doli nga shtypi libri “Velloja e kryqëzuar” i autorit Prend Ndoja

Kultura

Doli nga shtypi libri “Velloja e kryqëzuar” i autorit Prend Ndoja

Nga: Enver Sulaj Më: 6 tetor 2024 Në ora: 12:54
Kopertina

Ditë më parë është vënë në qarkullim romani „Velloja e kryqëzuar“, i autorit Prend Ndoja. Romani mbështetet në zhvillimet dramatike të luftës së fundit në Kosovë, për t’i paraqitur lexuesit realitetin e hidhur, të gërshetuar me dramën jetësore personale e kolektive.

Personazhet e këtij romani përfaqësojnë një kolektivitet të tërë, që mbijetesën e pati imponim, shpresën paracaktim, ndërsa qëndresën e rezistencën si opsion të vetëm përpara egërsisë e gjenocidit. Libri nis si dashuri në mes dy të rinjve, për të vijuar si dashuri për kombin, atdheun e traditën e lashtë, që nga antikiteti i hershëm e deri në ditët tona.

Jo vetëm si tekst letrar, me përshkrime të shumta, interesante e plot dhembje, por „Velloja…“ mund të lexohet edhe si dëshmi - kronikë e luftës së fundit, duke paraqitur dimensione të shpirtit njerëzor, si dhembjen e tronditjen përballë vrasjeve e vdekjes, por edhe dashurinë, si ndjenjë fisnike e shprese për të ardhmen, duke ruajtur fijet e vazhdimësisë etnike e njerëzore.

Duke e ndërtuar rrëfimin nga perspektiva e mërgimtarit, autori sikur e ndien të nevojshme që të komunikojë edhe me lexuesin e huaj, për të rrëfyer mbi një kohë, që tashmë i takon historisë së dhembshme e tragjike të popoullit tonë. Autori përdor edhe referenca historike për të dëshmuar edhe mbi origjinën tonë e të kaluarën e largët, sepse në këto troje asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, sepse këtu kanë kaluar apostujt, janë ndeshur qytetërimet e, njëkohësisht, janë shkruar edhe faqet e qëndresës, lavdisë e vlerave të përbotshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat