Çka u tha në Parlamentin shqiptar për Presidentin Wilson?

Kultura

Çka u tha në Parlamentin shqiptar për Presidentin Wilson?

Nga: Lush Culaj Më: 6 tetor 2024 Në ora: 15:17
Vudro Wilson

Vudro Wilson vdiq më 3 shkurt të vitit 1924. Të ne­sërmen, më 4 shkurt, në Kuvendin Kushtetues në Tiranë, u propozua mbajtja e 5 minutave nderim në kujtim të tij.

Në mbledhjen e 4 shkurtit 1924, deputeti Rauf Fico do të theksonte, ndër të tjera: “Me hidhërim morëm lajmin për vdekjen e ish-Presidentit të SHBA-ve W. Wilsonit. Duke marrë parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë propozoj të bëhen 5 minuta nderim në shenjë hidhërimi dhe t’i dërgohet një telegram ngushëllimi fa­miljes të ndjerit.” Nga ana tjetër deputeti Jashar Erebara kërkon të bëhen 5 minuta nderimi për udhëheqësin rus, Leninin. Deputeti Avni Rrustemi shpreh keqardhje se kur përmendet emri i Leninit dëgjohen të qeshura në sallën e Parlamentit. E dinja se propozimi i Erebarës nuk do të pranohej, por megjithatë e kemi për detyrë ta propozojmë që të bëhen 5 minuta nderim si shenjë hidhërimi për vde­kjen e tij.

Në mbledhjen e 11. II. 1924 u dis­kutua në Parlament për Presidentin Wilson.

Jehona e vdekjes së tij u pasqyrua menjëherë edhe në shtypin shqiptar. Mbi personalitetin e Wilsonit do të flitej përsëri në Kuvendin Kushtetues pas disa ditësh më 11 shkurt. Meqenëse Fan Noli nuk kishte qenë i pranishëm në mbledhjen e 4 shkurtit e kërkoi fjalën dhe foli me shu­më pasion për presidentin Wilson. Noli përmendi arsyen pse Shqipëria merrte pjesë në dhimbje përkrah SHBA-ve në ato ditë zie për këtë President.

Fan Noli: Evropa nuk e deshi paqen e Wilsonit dhe Amerika e refuzoi këtë paqe

Noli, ndër të tjera, theksoi: “Titulli “amerikan” mjafton që ta bëjë popullin tonë të marrë pjesë në çdo vajtim të Amerikës, se të gjithë e dimë sa të mira kemi parë prej saj. Që më 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i madh i shqiptarëve. Të gjithë e dinë se Guverna (Qeveria, L. Culaj) e Durrësit u organizua nën kryesinë dhe me iniciativën e një delegati të “Vatrës” të dërguar për këtë qellim me para të Amerikës. Në vijim ai do t’i përmendë disa të mira që kanë ardhur prej Amerikës drejtpërdrejt. Pas luftës, kur Shqipëria ishte e shkatërruar dhe e plla­kosur prej inva­zioneve të huaja, Amerika dërgoi Kryqin e Kuq që t”i lehtësojë vuajtjet. E vetmja shkollë moderne qe e kemi është ajo Teknike e Amerikës. Sa i përket presidentit Wilson, përveç emrit amerikan ka edhe një emër tjetër atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar si dhe paqes të përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Amerika është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për dollarë, nuk e njohin Amerikën. E dini cili ishte programi universal i Wilsonit në Versajë. Cili prej jush nuk ka dëgjuar për katërmbëdhjetë pikat e Wilsonit të sintetizuara në paktin e Lidhjes të Kombeve? U përpoq me tërë forcën e tij që t’ua imponojë Aleatëve programin e tij, por qëllimin e tij nuk e arriti si mendoi. I vajtur në Evropë si triumfator u rikthye i zhgënjyer në Amerikë. Dhe atë copë të fitores që mundi ta shkëpusë nga thonjtë e luanëve të Versajës tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart. Senati amerikan refuzoi ta ratifikonte Paqen e Versajës dhe Wilsoni nga zeniti më i lartë, ku ka ëndërruar të hipte në historinë e botës, si njeri u rrokullis dhe u rrëzua përdhe. Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes. Evropa s’e deshi paqen e Wilsonit dhe Amerika e refuzoi këtë paqe. Wilsoni vdiq. Fjeti si luan profeti bujar i paqes njerëzore, ati shpirtëror i Lidhjes të Kombeve.

Megjithatë, Wilsoni bëri më tepër se çdo njeri tjetër për independencën e Shqipërisë, duke e shpëtuar vendin tonë nga copëtimi, duke siguruar pjesëmarrjen në Lidhjen e Kombeve në kufijtë e vitit 1913. Madhështia e tij morale duket pikërisht në mbrojtjen e të drejtave të kombësive të vogla. (duartrokitje).” Më pas do të vijonte: “Në janar të vitit 1920, një erë zie dhe dëshpërimi kish rënë mbi të gjithë anët e vendit tonë, i cili qe si një i vdekur në agoni. Projekti i copëtimit të Shqipërisë, i redaktuar nga katër aleatët evropianë, ishte njohur dhe priste vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë.” Fjalimi i Nolit në Parlament u shoqërua me duartrokitje, që ishte një tregues i qartë se si u prit ky fjalim, por pati edhe reagime dhe një ndër ata që replikoi ishte deputeti Hil Mosi, që shprehu rezerva ndaj vlerësimit aq të lartë që Noli ia bëri rolit të Wilsonit në mbrojtje të çështjes shqiptare. Ai, ndër të tjera, do të theksonte: “Wilsoni qe ai që pranonte që Fiumja t’i jepej Jugosllavisë tue i lanë Vlorën Italisë e viset e Jugës Greqisë.” Men­dimet e ndryshme të shprehura në Parlamentin Shqiptar dhe jashtë tij për vendin që zinte Wilsoni në historinë e Shqipërisë, nga Fan Noli dhe Faik Konica në superlativ, si dhe nga tjerët si Hil Mosi me rezerva u pasqyruan edhe në shtypin e kohës.

Faik Konica: Shpëtimi dhe liria e Shqipërisë i detyrohen kryesisht Wilsonit

Kundër kritikuesve të presidentit Wilson më ashpër ishte shprehur Faik Konica, i cili theksonte: “Jemi të bindur se çdo shqiptar di dhe kupton se ç’borç të madh i kemi Wilsonit. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s’merr vesh se shpetimi dhe liria e vendit (të) tij i detyrohet krye-sisht Wilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi meshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë.” Ai më tutje do të theksonte: “Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ ndritte gjëkundi. Por e papritura ngjau dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Vudro Wilsonit, vijonte me tej Faik Konica. “Ndërgjegjja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh dhe u drodh nga gëzimi; se Wilsoni duke e mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbro­nte gjithë popujt, e mbronte parimin. Gazeta “Dielli” e datës 25 mars 1924, duke iu kundërvënë disku­timit të Hil Mosit në Parlament, do të theksonte ndër të tjera: “E qortoi Wilsonin se ai i dha Vlorën Italisë, ndonë­se çdo njeri duhej të kuptonte, dhe shumë kuptojnë, që dhe Vlorën Wilsoni e shpëtoi tërthori: se po të mos kish ngulur këmbë Wilsoni që të bëhej një Shqipëri, s’ mund t’i jepej kurrë rasti as Vlorës që të shpëtonte nga zgjedha italiane”.

Shtypi shqiptar është fokusuar në rolin e Wilsonit si kryetar shteti i një fuqie të madhe me potenciale të gjithanshme në rritje, si dhe në arritjet e tij në dy periudha të vështira të marrëdhënieve ndërkombëtare, në Luftën e Parë Botërore dhe në nënshkrimin e traktateve të paqes të viteve 1919-1920 me vendet që e kishin humbur luftën. Shtypi pasqyronte, në mënyrë të veçantë, platformën e tij të njohur prej 14 pikash, ku ai kishte shtruar si bazë vendosjen e paqes pas luftës, si dhe rezervat ndaj kësaj platforme të udhëheqësve të Fuqive të Mëdha evropiane, fituese të konfliktit botëror.

Në paraqitjen me zigzage të pozitës së Wilsonit në Konferencën e Paqes në Paris, shtypi shqiptar iu përmbajt zhvillimit historik të ngjarjeve duke pasuar edhe shem­bullin e Fan Nolit, i cili në trajtesën e tij të 11 shkurtit shfaqi, ndër të tjera, keqardhjen e thellë për atë që i kishte ndodhur presidentit të SHBA-së: “Nga zenithi më i lartë ku ka ëndërruar të hypë në histori të botës (…) u rrokullis dhe u rrëzua përdhe.”

Përgjithësisht pasqyrimi i figurës së Wilsonit, në qarqet shqiptare, është parë nga dy dimensione të ku­ndërta. Është dhënë si figurë që i kontribuoi çështjes shqiptare dhe si figurë që nuk ndihmoi sa duhet në të mirë të saj. Kemi të bëjmë me një pasqyrim të ngjashëm me atë që është vënë në dukje nga studiuesit: se në realizimin e programit të tij në plan evropian dhe botëror Wilsoni më shumë dështoi, sesa fitoi, për shkak të opozitës evropiane në radhë të parë.

Konferenca e Parisit 1919-1920 e ndryshoi hartën politike të Evropës, Azisë dhe Afrikës. Shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre ishin aktivë dhe për rrethanat e kohës arritën atë që mund ta arrinin. Rezultatet e këtyre arritjeve nuk janë për t’u nënvlerësuar. Madje, po ta kemi parasysh raportin e pabarabartë të forcave dhe rrethanat e tjera u arrit aq sa nuk shpresohej. Shqipëria vërtet mbeti si shtet i ndarë pa pjesët më vitale të saj, sepse u morën për bazë argumentet politike, por të paktën u arrit që të rifitohej pavarësia e vendit dhe sidomos të mënjanoheshin pa­drejtësi të reja territoriale që do të ishin tragjedi e dyfishtë për të ardhmen e kombit.

Presidenti Wilson dhe SHBA-të për përpjekjet e tyre për ta ndihmuar çështjen shqiptare mbetën në memorien e shqiptarëve. Për këtë ka mjaft dëshmi. Profesori amerikan Elmar E. Joner gjatë vizitës në një fshat në Jug të Shqipërisë, në një gëzim mirëseardhje dëgjon edhe këngën e Presidentit Wilson. Ai entuziazmohet tejmase nga me­lodia dhe teksti i këngës, të cilën e përkthen dhe ia dërgon Presidentit amerikan Wilson. Presidenti i shfaq mirënjo­hjen profesorit nëpërmjet një letre. Ndër të tjera, ai shkru­ante: “S’ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura qe ushqejnë për mua në Shqipëri. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë për rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare.”

Konica propozon të pagëzohet me emrin Willsonwille Shën Gjergji ose Saranda

Ndërsa diplomati Faik Konica që shërbeu në SHBA ia dërgoi në vitin 1924 këtë telegram kryetarit të Kuvendit në Tiranë: “Ju lutemi të shtroni si propozim në Parlament që me rastin e vdekjes së Presidentit Wilson, shpëtimtarit të Shqipërisë, duke e nderuar Wilsonin dhe Shqipërinë në sytë e botës propozoni që t’i jepet emri Wilsonwille ose Shën Gjergjit, ose Sarandës.” Më 12 mars 1924, nën kujdesin e Faik Konicës, arrin në shtëpinë e presidentit Wilson një kurorë e bukur me 100 trëndafila, 50 të kuqe dhe 50 të bardha të lidhura me një shirit me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë kuqezi në të cilat shkruan: “From the Albanian Federation Vatra Boston Massachusetts”. Ndërsa në telegramin që ia dërgon zonjës Wilson, Konica do të shprehej: “Jepmë leje Zonjë, të bëhem me respekt dërguesi i hidhërimit të thellë që ndiejnë shqiptarët, të cilët të personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre”.

Mbi të gjitha vlen të veçohet fjalimi i Fan Nolit në Parlamentin Shqiptar, më 11 shkurt 1924, ku, ndër të tjera, do të theksonte: “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Woodrow Wilsonit. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria, e cila e quan amerikanin e madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e saj më të fortë. Presidenti Wilson provoi në shekullin XX se ka një vend, i cili edhe prodhon kalorës bujarë për t’i mbrojtur jetimët, të vejat dhe të shtypurit. Qysh ta quajmë e ta vajtojmë këtë kalorës pa frikë e pa njollë, chevalier sans peur ni reproche! Amerika, ajo nënë bujare që ia dha botës Wilsonin ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai, kalorës të cilët do të vazhdojnë të përfundojnë veprën e Paqes, e vëllazërimit dhe mirëdashjës ndërkombëtare”.

Profecia e Nolit se “Amerika, ajo nënë bujare që ia ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai u jetësua pas 75 vjetësh. Amerika e Madhe lindi kryekalorësin Bill Klinton, burrë i madh i shekullit që ishte në ballë të aksionit për t’i sjellë lirinë Kosovës.

Mbështetja nga ana e SHBA-së dhe presidentit Wilson, e shumëkërkuar dhe e shumëdëshiruar nga shqip­tar­ët, nuk ishte ajo që prisnin shqiptarët. Pikërisht në atë periudhë kohore, edhe pse Amerika ishte një fuqi eko­nomike gjithnjë e në rritje, ende nuk ishte fuqi e rëndë-sishme politike botërore. Ndikimi dhe pesha reale e këtij vendi të madh në vendimmarrjet më të rëndësishme të botës do të ndihej me vonë e në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore.

Për shqiptarët mbështetja amerikane ishte vendim­tare gjatë viteve të fundit, sidomos gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ndikimi vendimtar dhe qëndrimi i SHBA-së në ballë të zgjidhjes së problemit të Kosovës që nga viti 1999 e në vazhdim ngjan sikur të jetë njëfarë plotësimi i premtimit të papërmbushur, i cili u ishte bërë nga presidenti Wilson shqiptarëve në Konferencën e Versajës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat