Rrugëtimi imagjinar në korpusin letrar të Kadaresë

Kultura

Rrugëtimi imagjinar në korpusin letrar të Kadaresë

Nga: Ardian Haziri Më: 10 tetor 2024 Në ora: 16:36
Ardian Haziri

Tri harqet e urës u thyen, në prillin e vitit të mbrapshtë, nga shiu i rrebeshtë që sapo kishte pushuar së rëni. Tani shihen vetëm ca pika shiu mbi qelqin e dritares, në dhomën e vajzës. Ishte kjo vajza e Agamemnonit që quhej Doruntina, e cila po flinte në natën me hënë, brenda në kështjellë e po ëndërronte pallatin dhe dhomën ku jetonte princesha Argjiro. Princesha dukej shumë e bukur, si një grua kukull, si një këngëtare që rrinte përball pasqyrës dhe priste ftesë të shkonte në ndonjë studio televizive për të folur rreth koncertit të saj që do të mbahet në fund të dimrit. Ajo duhej t'i informonte vet adhuruesit e saj, lidhur me koncertin, pasi nuk lejohej të vendoseshin reklama në qytet. 

Ëndrra e Doruntinës ishte e çuditshme dhe udhëtonte nëpër kohë. Ajo pa në ëndërr se një muaj pas koncertit, do të bëhej dasma, e cila papritur u anulua. Ishte kjo dasma e gjeneralit të ri anglez Herry me princeshën e bukur shqiptare Argjiro, të cilët kishin një vit që ishin fejuar, pra nga një dhjetor në tjetrin. Arsyeja e anulimit të dasmës ishte se princesha gjeti në bibliotekën e babait të saj (në të cilën bukur rrinte shkaba e vendosur në mur) një dosje që mbante titullin Dosja H (Herry). Dosja H, posedonte dokumente që vërtetuan se Herry nuk ishte gjeneral anglez, por ishte spiun grek dhe se emri i tij i vërtetë ishte Eskil. Eskili kishte bashkëpunuar me njërin nga shërbëtorët e oborrit mbretëror që quhej Gjergj Pula. Kur fliste me Eskilin, ky shërbëtor prezantohej me emrin grek Jorgos Pulos. Eskili donte të martohej me princeshën Argjiro, vetëm që t'i merrte pronat e saj në bregdetin Jon. Ehh, Eskili, ky humbës i madh, i cili humbi princeshën me mashtrimet e tij dhe lakminë për pasurinë e saj. 

Në mbrëmje, i ftohti ngrinte në pallat. Dimri atë vit ishte i madh. Shtërg nuk dukej gjëkundi, kishin ikur në vende të nxehta. Princesha Argjiro ftoi "gjeneralin" për darkë në pallatin e saj dhe i tregoi se e ka zbuluar të vërtetën. Kjo ishte një darkë e gabuar për Eskilin, pasi princesha urdhëroi ushtarët që ta arrestonin për mashtrim. 

Veçse kishte aguar, kur Doruntinës i doli gjumi, që nuk dukej gjumë mbretëror, e që ia ndërpreu ëndrrën. E kishin kapluar djersët e ftohta akull. Motra e saj kur e pa, e pyeti se çfarë ke, mos je e sëmurë, ta thërras doktor Gurameton? Por Doruntina nuk e rrëfeu të vërtetën e ëndrrës, por tha se ishte një ëndërr me një përbindësh që gllabëronte gjithçka, prandaj u frikësova. Pra, thjeshtë disa çështje të marrëzisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat