Qasja institucionale dhe shkencore ndaj figurës së Nënës Terezë

Kultura

Qasja institucionale dhe shkencore ndaj figurës së Nënës Terezë

Nga: Prof. Dr. Skender Asani Më: 14 tetor 2024 Në ora: 09:16
Prof. Dr. Skender Asani

Në historinë moderne, Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike që bashkon universalitetin e virtytit njerëzor dhe shenjtërinë hyjnore. Duke qenë midis njerëzores dhe hyjnores, Shën Nëna Tereze u mundua të na tregojë se thellë në natyrën e njeriut bashkëjetojnë flijimi,ndërgjegjësimi dhe besimi, si tre komponente që e bëjnë të veçantë qenien njerëzore.

Nga studimet e shumta që i janë bërë jetës dhe veprës së Shën Nënës Terezës, rezulton që angazhimi i saj nuk ishte thjeshtë bamirësia, siç e trajtojnë gabimisht disa autorë, por flijimi, sepse flijimi, sipas Shën Nënë Terezës paraqet shkallën më sipërore në të cilën ndodhet vetëdija i njeriut për ta bërë të lumtur tjetrin duke hequr dorë nga lumturia personale.

Gjithë këtë sistem vlerash njerëzore e hyjnore, Shën Nënës Tereze e ndërtoi duke pasur si model familjen e saj në Shkup, si një “laborator” edukimi ku u krijua ky sistem. E ardhur nga një periferi e largët, siç ishte Shkupi i kohës së fëmijërisë dhe rinisë së saj, me një gamë të gjerë diversiteti fetar, etnik e gjuhësor, Shën Nëna Tereze përçoi në gjithë planetin indin e njerëzores dhe hyjnores, duke i transformuar gjendjet e zymta shpirtërore në kopshte të optimizmit dhe shpresës. Për rrjedhojë, ajo u angazhua më tepër në rimëkëmbjen shpirtërore se sa materiale të njeriut, sepse, Shën Nënë Tereza konsideronte si njeriun e bënë më të pasur një shpirt i plotë se sa një xhep i plotë.

Për ta kuptuar dhe studiuar më mirë këtë sistem vlerash njerëzore e hyjnore të Shën Nënës Tereze, ne si Institut i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në vitin 2020 kemi themeluar Departamentin për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, i vetmi i këtij lloji në rajon dhe më gjerë. Ngritja e këtij Departamenti u shoqërua me kompletimin e infrarstrukturës kadrovike e juridike, me qëllim që puna jonë kërkimore e shkencore të kishte një mbështetje sa më cilësore.

Të frymëzuar nga dimensioni gjithpërfshirës që ngërthente figura e Shën Nënës Tereze, ne si Institut dhe si Departament projektuam dy objektiva, të cilët u munduam t’i integrojmë në veprimtarinë tonë shkencore e botuese.

E para – duke iu qasur figurës së Shën Nënës Tereze, ne patëm si synim ngritjen e kujdesit institucional ndaj saj, me ç’ka do të mbylleshin të gjitha shtigjet e keqpërodimit dhe keqintepretimit të emrit dhe veprës së saj dhe do të hapeshin shtigjet e afirmimit në suaza të një statusi të veçant, që do të trajtohej si një brend nacional i shtetit tonë. Për këtë përgatitëm edhe një elaborat, të cilin ia drejtuam autoriteteve më të larta zyrtare, ku kërkonim që figura e Shën Nënës Tereze të mbrohet me ligj dhe e njejta të gëzonte të gjitha atributet e një aseti nacional që do të tërhiqte vëmendjen e vizitorëve nga vendi dhe bota. Me këtë donim që Shkupi, si vendlindja e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze të shndërrohej në një qendër pelegrinazhi të të gjithë atyre që admironin figurën e kësaj gruaje të madhe.

E dyta – në kuadër të Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze bëmë disa hapa konkret në trajtimin filozofik, teologjik e sociokulturor të kësaj figure. Për katër vite me radhë kemi organizuar manifestimin shkencor-kulturor “Drita e Gonxhës”, një veprimtari kjo që fillon më 26 gusht dhe përfundon më 5 shtator, data këto që përkojnë me lindjen dhe vdekjen e Shënë Nënës Tereze, si një hark kohor i mpleksur me ngjarje e ide të cilat drejtpëdrejt shpalosin shumëdimensionalitetin e figurës së saj. Në këtë manifestim marin pjesë autorë e studiues, shkrimtarë e artistë nga vendi dhe rajoni, të cilët fillojnë nga Shkupi, vazhdojnë në Prishtinë, Letnicë, Tiranë dhe përshkojnë një shtegtim të gjatë, duke nxitur një vëmendje të gjerë publike për disa nga stacionet jetësore të Shën Nënës Tereze.

Gjithashtu, kur bëjmë fjalë për objektivin e dytë të këtij Departamenti, duhet përmendur edhe veprimtarinë e pasur botuese që i kushtohet kryesisht figurës së Shën Nënës Tereze, por edhe komuniteti të saj katolik-shqiptar në Shkup, siç është edhe vepra mbi “Familjet katolike shqiptare nga Shkupi”, një testament ky shpirtëror e historik që flet për historinë dhe aktualitetin e këtij komuniteti, i cili në fillim deri në mesin e shekullit të kaluar ishte një kandil i fortë që nxirte në pah vlerat kulturore, fetare e shpirtërore të këtyre familjeve, por që me kalimin e kohës, fatkeqësisht ky kandil filloi të zbehej tmerrësisht, për shkak të shpërnguljes gati masovike të katolikëve shqiptarë nga Shkupi. Një kontribut modest në ruajtjen e kujtimit dhe respektit për këtë komunitet, ne për çdo vit, konkretisht për çdo 23 dhjetor, në Institutin tonë organizojmë Krishtlindjet katolike në gjuhën shqipe, si një festë që bën bashkë ato pak familje që kanë mbetur në Shkup.Për rrjedhojë, gjendja aktuale e katolikëve shqiptarë në Shkup, kërkon një qasje më serioze nga hirerarkitë më të larta të botës katolike, në mënyrë që këta pasardhës të Shën Nënës Tereze nga Shkupi të mos të jenë të detyruar të dëgjojnë meshë në gjuhën e tyre amtare në Prishtinë apo gjetiu jashtë Maqedonisë së Veriut.

Qasja institucionale dhe shkencore ndaj figurës së Shën Nënës Tereze do të ishte e mangët nëse nuk e kuptojmë rëndësinë që ka kjo figurë në përhapjen e vlerave sublime humane e shpirtërore tek njerëzit të cilët ajo nuk i njihte më pare, nuk ua dinte emrat, nuk e dinte se cilës fe apo cilit komb i përkisnin, por e dinte se vetmia është plaga më e madhe e njerëzimit dhe vetmia, siç na mësoi Shën Nëna Tereze, nuk ka as përkatësi fetare as kombëtare, por ajo është pjesë e padukshme e njeriut që kërkon një dorë të ngrohtë kur të tjerët të harrojnë.

Duke u nisur pikërisht nga këto kauza humane e shpirtërore të Shën Nënës Tereze, ne si Instituit u përpoqëm që në gjithë veprimtarinë tonë shkencore e botuese të shpërfaqim pikërisht modelin e këtyre kauzave përmes të cilave ajo na mësoi t’i tejkalojmë muret e egove tona nacionale, fetare e racore.

Figura e Nënës Tereze është e vetmja hallkë që i bashkon njerëzit, edhe atëherë kur ata nuk njihen paraprakisht. Gjithkund tjetër, në politikë, në biznes, në sport, njerëzit bashkohen sipas afiniteteve të përbashkëta ose sipas interesave të caktuara, ndërkohë që për të qenë afër Shën Nënës Tereze nuk kishte nevojë të kesh ndonjë preferencë të veçantë, dhe më së paku të jesh i pasur apo i famshëm. Gjithë pasuria dhe fama e Shën Nënës Tereze vizatohej në formë buzëqeshjeje në fytyrën e saj, sepse ajo ishte e vetëdijshme se njerëzit më shumë se për gjithçka tjetër kishin nevojë për buzëqeshje të sinqertë.

Studimi i jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze kërkon një angazhim kolosal dhe asnjëherë nuk mjaftojnë përpjekjet që figura e saj të trajtohet në shumë dimensione. Ndonëse janë shkruar qindra e mijëra vepra letrare e muzikore dhe janë bërë po aq vepra pamore e skulpturore, megjithatë Shën Nëna Tereze vazhdon të jetë një burim i pashterrshëm frymëzimi për krijuesit e të gjitha fushave.

Tani kur po jetojmë në epokën e teknologjisë së informacionit, është afër mendësh që shumdimensionaliteti i figures së Shën Nënë Terezës të bartet edhe në projeksionet e shumta kësaj teknologjie, përfshi edhe Inteligjencën Artificiale, si një favor që tejkalon mënyrën klasike të prezantimit të saj para publikut.

Në një të ardhme jo të largët, jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze, që nga fëmijëria e deri në vitet e fundit të jetës së saj, do të jetë pjesë e projeksioneve teknologjike në kuadër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ku përmes Intelegjencës Artificiale ajo jo vetëm që do të bëhet më e afërt për publikun, por do të prodhojë edhe më shumë ide që figura e saj të përfshihet në procesin e komunikimit dhe ndërveprimit qytetar, si një agorë që relativizon dallimet dhe përafron botëkuptimet.

(Fjalë e mbajtur në „World Changers Balkan Summit“, organizuar më 12 tetor 2024 në Shkup)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat