Para 113 vitesh lindi poeti i mjerimit dhe i fshikullimit të padrejtësisë, shkrimtari më modern i letërsisë shqipe të viteve ’30.
Migjeni është një ndër figurat më të shquara të letërsisë shqiptare mbas Rilindjes, përfaqësues i realizmit kritik të viteve ‘30. I lindur në një familje të varfër, mësimet e para i mori në qytetin e lindjes në Shkodër dhe me vonë në Tivar e Manastir. Ai punoi si arsimtar në Shkodër, Vrakë e Pukë nga vitet 1932 deri në 1937. Në veprën e tij, Migjeni pasqyroi gjendjen e vajtueshme të popullit shqiptar dhe shtresat e varfra. Migjeni shprehu protestën dhe revoltën, ëndërroi për një botë të re me aspirata të reja. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, gjithashtu, ndau dje foton e banesës ku ka lindur poeti Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), e cila është Monument Kulture, Kategoria l e shkrepur nga fotoreporteri Genti Demolli.
Varfëria
Migjeni, konsiderohet që kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai trajtoi varfërinë e viteve kur jetoi, me krijime të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj., fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet ’30 kishin qenë pjesërisht të pabotuara. Mirkoja – siç e thërritnin Milloshin të vogël – u lind më 30 shtator 1911 sipas kalendarit julian, që i bie 13 tetor 1911 me kalendarin gregorian. Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar ku ndoqi gjimnazin e ultë po në serbisht. Daja, Jovan Kokosheviqi, i nxori bursë për në gjimnazin e Manastirit, ku kreu dy vitet e fundit të semimaturës më 1925/26 dhe 1926/27.
Më pas fitoi të drejtën e studimit shkollim fetar dhe u regjistrua në seminarin ortodoks “Shën Gjon Teologu”. Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet “bir i Gjergjit, tregtar”. Me atë “Dëftesë Pjekurie” e përcaktonte për detyra klerikale. Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka. Një vit qëndroi pa punë, më pas në vitet 1933-1935 punoi si mësues filloreje në Vrakë kur u sëmur ose iu përkeqësua tuberkulozi. Vitin arsimor 1935-36 kthehet dhe shërben në Shkodër; vitin pasardhës kërkoi që ta transferonin në Pukë – ku përfitoi edhe për shëndet, ndërsa dimrit kthente në Shkodër. Në Pukë i përkeqësohet shëndeti, e zë hemoftiza dhe më 22 dhjetor 1937 shkoi në Torino, ku shpresonte të studionte për letërsi pasi të kurohej. Pas një operacioni të pasuksesshëm në spitalin Valdensian të Torre Peliçes, ndërroi jetë më 26 gusht 1938. Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë.
Krijimtari
Punën si shkrimtar Migjeni e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha dihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm. Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë (“kalbësinave që kërkojnë shejtnim”).
Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik. Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira (“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në “Poemën e mjerimit”, veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si “Zoti të dhashtë” etj.,
Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare (“Të çelen arkapijat”, “Studenti në shtëpi”). Në “Studenti në shtëpi” vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar (“Kanga skandaloze”, “Programi i një reviste”, “Novelë mbi krizën” etj.) Skamorët, të cilët i urrenin shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat “Luli i vocërr” dhe sidomos te “Zeneli”, shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore. Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore (“Mollë e ndalueme”). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t’i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia – këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit.
Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës. Me mohimin e shoqërisë çifligaro-borgjeze dhe aspiratën e fortë për një të ardhme më të mirë për masat e popullit, Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare; me veprat e tij ndihmoi në formimin shpirtëror të saj. Këtë rol ato e luajtën edhe në vitet e qëndresës kundër pushtuesit fashist, kur qarkullonin dorë më dorë. Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. (“Veprat” e plota të Migjenit janë botuar tre herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tij janë botuar studime e artikuj të shumtë.
Sëmundja
Tuberkulozi e kishte përndjekur vite të gjata si një demon i pamëshirshëm “shenjtorin” e poezisë shqipe. Por hapat e tij fundit nisën gushtin e 82 viteve më parë, hapa të cilët rendën gjëmimshëm në zbrazëtinë që do të gërryente grahma e tij e mbrame. Më 12 gusht 1938 Migjeni shtrohet në spitalin “Opsadale Valde”, Bari, Itali. Tre ditë më vonë, Migjeni i nënshtrohet një operacioni të rëndë, ku i hiqet një pjesë e madhe e mushkërisë. Në 15 gusht 1938 Migjeni bie në koma, për të mos u përmendur më. Gjendja e tij në koma vazhdoi plot 11 ditë. Më 26 gusht 1938 afër mesnatës zemra e Migjenit kishte ndaluar. Pas një agonie të gjatë ditën e premte të datës 26 gusht 1938 në orën 11 e 40 minuta poeti mbylli sytë për të mos i hapur më kurrë. Pranë tij ndodhej motra Ollga, e cila ishte duke ndjekur studimet për matematikë në atë periudhë në Torino. Gjithashtu, së bashku me të ishin të pranishëm prifti valdez, protestanti Giulio Tron dhe personeli mjekësor. Këtë fakt e vërteton edhe faksimilja e cila lajmëron aktin e vdekjes e përpiluar nga Davide Taghiero, të hartuar në orën 13 e 30 minuta. E motra Ollga si dhe personalitet të bashkësisë shqiptare në Torino, mjaft të prekur nga vdekja e tij falënderuan stafin mjekësor të spitalit Valdez, priftin Giulio Tron si dhe drejtuesit e “Villa Elisa”, ku e motra e poetit ishte strehuar në kohën kur ai ndodhej në sanatorium. Ata menjëherë njoftuan për vdekjen e tij me një nekrologji të botuar nga e përjavshmja “La Voce Del Pellice”. Nekrologjia: “Ka ndërruar jetë të premten e shkuar, në spitalin valdez, i riu shqiptar Millosh Gjergj Nikolla, vjeç 27. Funerali do të kryesohet nga prifti zoti Giulio Tron dhe do të zhvillohen të shtunën pasdite. I shprehim ngushëllimet motrës Ollga, e cila me dashuri është përkujdesur për të deri në momentet e fundit duke i shprehur dhe familjes ngushëllimet tona.”. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956. Iu dha titulli “Mësues i Popullit” pas vdekjes në vitin 1957.