Koha

Kultura

Koha

Nga: Agron Elezi Më: 15 tetor 2024 Në ora: 13:29
Foto ilustrim

Ç’është kjo heshtje e rrahjeve të përhershme

Ky xhelat i së tashmes dhe pavdekshmërisë

Që ashtu, pa keqardhje dhe e pamëshirshme

Ther shikimet e gjalla të përjetshmërisë?

 

Pse troket papushim kjo orë e palodhshme

Edhe ndërmjet yjësive të mbretërive qiellore?

Pse s'pushon fare kjo nepsqare e pangopshme

Edhe mu n'ëmbëlsirën e bukurive qumështore?

 

Si vallë, ashtu e verbër dhe e ftohtë, vërshon

Porsi një lumë i padukshëm dhe pa shtrat

Që mbërthen çdo gjë dhe në harresë mbulon

Me qeshje dhe dënesë jehone lënë nga pas

 

A thua nga shishja me rërë doli ky xhind

Që po e ha rininë e njerëzisë porsi krimb?

Apo është një bekim i hyjve të pafundësisë

Duhi frymëzimi, artistëve të pavdekshmërisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat