Ambasada e Italisë në Prishtinë i është bashkuar debatit letrar mbi gratë në veprat e shkrimtares së njohur Elena Ferrante, në kuadër të aktiviteteve të përvitshme të organizuara me rastin e Javës së gjuhës italiane në botë.
Debati “Le Donne di Elena Ferrante” u fokusua në personazhet kryesore femra të romaneve të Elena Ferrante, një nga zërat më me ndikim në letërsinë moderne, e renditur nga revista Time në mesin e 100 njerëzve më me ndikim në botë.
Duke folur mbi rëndësinë e javës së gjuhës italiane në botë, si mjet i shprehjes kulturore, ambasadori i Italisë në Prishtinë Antonello de Riu tha se çdo vit përcaktohen tema diskutimi mbi personalitete të njohura me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të vlerave kulturore italiane.
De Riu: Elena Ferrante, një nga zërat më me ndikim në letërsinë bashkëkohore italiane
“Është shumë e rëndësishme që të promovohet leximi si element jetësor për ngritjen personale dhe kolektive duke theksuar fuqinë transformuese të librave në pasurimin e gjuhës e të marrëdhënieve tona. Në qendër të ngjarjeve të planifikuara është letërsia italiane, e eksploruar përmes dimensioneve të ndryshme që gjatë gjithë javës do të kemi aktivitete kinematografike në pjesën e arsimit dhe aspektin shoqëror. Diskutimi i sotëm fokusohet në artikullin e Elena Ferrante, një nga zërat më me ndikim në letërsinë bashkëkohore italiane dhe revista Time e ka renditur atë në listën në mesin e 100 personave më me ndikim në botë dhe i ka cilësuar librin e saj “L'Amica Geniale" në vitin 2011 si ndër librin më të mirë të shekullit 21”, ka thënë ambasadori italian.
Shkrimtarja Elena Ferrante zhytet thellë në temën e grave në veprat e saj dhe përmes storieve emocionale ofron njohuri kyçe mbi problemet me të cilat ato përballen në shoqëri. Elena Ferrante është pseudonim i saj dhe identiteti i saj i plotë nuk është bërë ende i ditur.
Aida Baro nga Botime Pegi, ka folur mbi jetën dhe veprën e shkrimtares së njohur italiane, e cila ka bërë jehonë në çdo cep të botës, pasi trajton temën e grave dhe problemet me të cilat ato përballen në shoqëri.
Baro: Vepra e Ferrante hyn në mesin e letërsisë universale
“Pikërisht fakti që Ferrante nuk njihet ende me fytyrën e saj të vërtetë është pjesë e marketingut apo jo, unë mendoj që letërsia e mirë pavarësisht nëse e njohim ose jo shkrimtarin, ajo që na përcjell dhe na bën për vete është vepra. Nuk ka rëndësi nëse shkrimtari është burrë apo grua. Ferrantes i kanë dhënë ndër epitetet më të ndryshme, por në fund të fundit mbetet vepra. Vepra në vetvete ka vlera shumë të mëdha dhe është një nga ato veprat që hyjnë te letërsia universale - i flet çdo vendi, kontinenti, çfarëdo moshe. Këtë libër e kanë përqafuar si në Amerikë, si në Shqipëri, si në Itali, sepse gjendja e garave për të cilat Ferrante flet duket sikur nuk ka ndryshuar”, ka thënë Baro.
Edi Gusia nga Agjencia Kosovare për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit ka folur mbi ngjashmërinë e personazheve që trajton Ferrante në veprat e saj me jetën e grave edhe në shoqëritë e tjera.
Gusia: Vepra e Ferrante ka motive të ngjashme me atë që përjeton gruaja shqiptare
“Edhe mua Elena Ferrante më ka mahnitur si çdo ato gra dhe burra që e kanë lexuar, pasi kishte motive të ngjashme dhe arketipa me atë që përjeton gruaja shqiptare, edhe pse nëse e marr në moshë sikur e përshkruan Ferrante personazhet e veta... Nëse e sheh rrugëtimin e një gruaje kosovare në shoqëri, gjejmë aq shumë Elena sa duket se po e përjeton jetën tënde, nënës, shoqeve tuaja apo historinë e grave që kanë jetuar apo vazhdojnë të jetojnë në Kosovë”, ka thënë ajo.
Ndryshe, libri i parë "L'Amore Molesto" nga Elena Ferrante u shndërrua në film nga Mario Martone (1995).