Jemi vetëm numra.
Thërrasim numra,
na thërrasin numra.
në tren
numrin e vagonit
e të sediles ta lëshojnë në prehër e kuponin e pagesës,
letër me vrimë,
për emrin tënd
as nuk duan ta dinë.
në aeroplan,
ju jeni 17 F,
një grua
më thotë kalo atje,
se unë jam 17 E.
mirëmëngjes
më thotë fqinji i katit tim 816,
mirëmëngjes ja kthej
unë fqinji i tij 818.
prej vitesh jemi komshinj,
në dyert e njëri tjetrit
sytë nuk u panë,
as për kafe
as për krypë,
emrat njëri tjetrit
nuk ja dimë.
më falni,
ju tavolina 23,
na thotë kamarieri në restorant,
edhe për pak minuta,
supat e juaja do vijnë…
Në varrezat,
numrorët po e çojnë atje një numër,
në parcelën e shtatë,
në bllokun tridhjetë e dy,
në rreshtin e katërmbëdhjetë,
numro njëzet e një hapa,
gropa ka numrin
njëzet e një,
askush tek varrezat
nuk pyeti për emrin e tij.
sapo ikën numrat e gjallë,
rojtari i varrezave
i nguli tek koka,
numrin e ri.
të parët tonë,
për ata
që kishin humbur rrugën në oborr,
e kishin një fjalë të urtë:
Të humbtë emri o njeri !
KUR SHKRUAJ
Hedh germat në letër
derdhën një nga një
fjalë si lumë
letra herë qullet,
lëshova aty një përrua,
jo, jo një lumë,
prekë sytë e mi zbrazë,
oqean i tharë,
filloj të prekë kudo vehten,
nuk e gjëj askund.
Jam krejt në letër.
SMulaj,
Tetor 20, 2024
New Jersey, USA