Robert Nikollbibaj – Piktori i furçave dhe ngjyrave të forta që krijojnë dinamikën e natyrës në pikturë

Kultura

Robert Nikollbibaj – Piktori i furçave dhe ngjyrave të forta që krijojnë dinamikën e natyrës në pikturë

Nga: Gjon Marku Më: 26 tetor 2024 Në ora: 19:38
Gjon Marku

Në suazën e traditës familjare, Robert Nikollbiba identifikohet si një ndër artistët e kësaj familjeje, i spikatur dhe i dalluar pikërisht për pikturat e tij si një piktor identitar. Me heshtjen e tij të mençur, ai racionalizon ekspresivitetin, duke e gjetur vendin e duhur në pikturën e tij substanciale, e cila para së gjithash vjen si një rrugëtim shpirtëror nëpër atdhe. Në koleksionin e tij privat bien në sy motivet nga qytetet e ndryshme të vendit tonë si: Prishtina, Shkodra, Gjakova, Pogradeci, Korça, Ulqini etj., të cilat ai mjeshtërisht i hedh në telajo. Dritëhijet dhe kombinimi i ngjyrave krijojnë një harmoni të epërme, ndërsa kuptimi i figurave e bën pikturën e tij mjaft interesante.

Përmes udhëtimit të tij, Robert Nikollbibaj nuk synon aspak një fiksim të thjeshtë vizual të këtyre qyteteve, por përpiqet të pasqyrojë artistikisht vendin tonë. Ky rrugëtim ka bërë të mundur realizimin e një cikli më vete veprash arti të kësaj natyre, me vlera të mëdha. Sigurisht, kjo ka kërkuar një punë këmbëngulëse, voluminoze dhe kërkimore për të siguruar ose pikasur momentet e veçanta të pasqyruara në këto vepra arti. Vetë autori duket se i përket një periudhe të veçantë të të menduarit dhe të transmetimit të vlerave. Pikturat e tij, edhe pse ai është ende në moshë të re, kanë një komunikim dhe vlerë të rangut kombëtar. Koherenca dhe ecja artistike e tij nuk janë një nxitim për të portretizuar me shpejtësi fragmente nga qytetet tona; përkundrazi, pikturat e tij kanë një gjuhë të veçantë komunikimi, dhe mbi të gjitha, krijojnë një identitet personal në pikturën bashkëkohore.

Ai nuk mund të linte pa u ndalur në vendlindjen e tij, Gjakovë, ku përshkruan një ndër ndërtesat më tërheqëse të këtij qyteti, kishën e vjetër, e cila me dy kambanorët e saj ndriçon në kontrast me sfondin e larmishëm të ngjyrave. Në pikturën kushtuar Gjakovës, përdoret një stil ekspresionist, ku furçat e trasha dhe ngjyrat e pasura krijojnë një ndjesi lëvizjeje dinamike poshtë një qielli ku kombinohen bluja me të bardhën, duke krijuar një atmosferë dramatike. Qyteti prapa kishës së madhe paraqitet me tone të ndezura, duke bërë që piktura të ndihet e gjallë dhe plot energji, ndërsa goditjet e furçës i japin asaj një ndjesi spontaniteti dhe pasioni të brendshëm. Kjo është një pikturë që flet për historinë dhe jetën e një qyteti, duke u dukur sikur piktura vetë është e gjallë.

Komunikimi që sjell piktori në veprat e tij është i veçantë nga njëri qytet në tjetrin, por gjithsesi ka një gjuhë të përbashkët komunikimi, që na mundëson të krijojmë një lidhje midis idesë dhe temës, dhe më pas realizimit të tyre në një kohë të caktuar. Ndjenjat dhe vlerat artistike vijnë përmes penelit si mjete që mbajnë gjallë mendimin. Ai është i vëmendshëm dhe di të vëzhgojë e të pikasë të bukurën, duke e paraqitur atë pa cënuar një sërë gjendjesh emocionale në mënyrë organike, origjinale, individuale dhe të pavarur në fushën e pikturës, duke krijuar një lidhje të fortë me vëzhguesin e pikturës së tij.

Nikollbibaj krijon një hapësirë të veçantë artistike përmbledhëse, edhe pse telajoja ka përmasa të caktuara, duke sjellë një ndërthurje të fortë të frymëzimit artistik dhe qëndresës ndaj sfidave të kohës. Ai vendos standardin e tij të komunikimit me publikun, të mbushur me vetëdije qytetare dhe emancipim shoqëror.

Shpesh në këtë grup pikturash, ai përdor ngjyra të ndritshme dhe të përziera, duke përçuar një ndjenjë të fuqishme apo një pamje të trazuar, siç janë shpesh qytetet tona. Me ngjyrën e verdhë dhe jeshile, ai sjell ndjesinë e dritës apo shkëlqimit të këtyre qyteteve, por kur i mbush me ngjyrën blu apo të kuqe, duket sikur tregon intensitetin. Linjat e përziera dhe struktura e lëvizshme e ngjyrave sugjerojnë një përplasje midis dritës dhe errësirës, ndoshta një betejë emocionale të fuqishme. Ky grup pikturash flet për kontrastin e jetës dhe të emocioneve në një përzierje të qetësisë dhe trazimit të brendshëm.

Interpretimi i pikturave të Robert Nikollbibajt varet nga përvoja dhe ndjesia e vëzhguesit, por sugjeron ndjenja të thella dhe të tensionuara në shpirt.

Shpesh në pikturat e tij reflektohet një frymë e avancuar, sidomos në ato piktura ku autori i jep botës së tij shpirtërore një shpërthim të lirë, veçanërisht kur pikturon ndonjë nudo, duke transmetuar një mesazh universal. Në këtë grup pikturash, ai kërkon të zbulojë thelbin e natyrës njerëzore përmes krijimtarisë artistike, ku sjell një perspektivë të re për formësimin e mendimeve dhe ndjenjave që na përcaktojnë si individë. Përzgjedhja dhe realizimi i ideve të tij, përmes emocioneve artistike, fton vëzhguesin e pikturës dhe e angazhon atë në mënyrën e tij të interpretimit.

Në pikturat e Robert Nikollbibajt nuk mungojnë edhe portretet, si ai i Skënderbeut në një sfond shpërthyes, apo Nënë Tereza, që paraqitet si simbol i dashurisë dhe humanizmit. Fytyra e saj e ngrohtë pasqyron një ndjesi të thellë, duke e bërë portretin emocional dhe simbolik.

Përvuajtje dhe mirësia; vetë rrudhat e theksuara në fytyrën e saj transmetojnë vitet e përkushtimit të saj ndaj të varfërve dhe të sëmurëve. Ngjyrat përdoren me mjeshtëri për të sjellë kontrastin midis të bardhës së shamisë së saj, që lidhet ngushtë me urdhrin e saj, dhe hijes së errët që tregon jetën e kaluar në përkushtim, duke pasqyruar vetëm paqe dhe mirësi.

Në pikturat kushtuar personaliteteve të papërsëritshme kombëtare sjell një polifoni idesh ku ndërthuren tradita kulturore me një tërësi koherente, që në shumicën e rasteve vjen si një manifest kulturor apo një platformë e mirëstrukturuar. Me logjikë, mendim dhe stilin e tij individual, piktura e tij bëhet jo vetëm e larmishme për sa i përket temave të trajtuara, por edhe e rëndësishme si vlerë artistike.

Teksa vëzhgon pikturën e këtij piktori, sidomos disa prej peizazheve të tij, por edhe gjithë pikturën në tërësi, bie në sy aftësia e tij për të pikasur imazhin mbresëlënës, i cili më pas mirëorganizuar dhe realizuar mjeshtërisht falë shkollimit të tij që herët për pikturë në Shkollën e Mesme të Arteve Aplikative në Pejë, ku, që në atë kohë, ai ishte fitues i disa çmimeve në këtë gjini. Më pas, ai vijoi studimet në Universitetin e Arteve në Prishtinë, ku mbaroi fakultetin dhe më vonë mori kualifikimin pasuniversitar.

Janë të shumta pikturat e moshës së rinisë, ku gjendet ekspresiviteti i moshës. Në disa prej pikturave të tij, sidomos ato të gjinisë së peizazhit, shpesh abstrakte, me tone të forta dhe dinamike të natyrës, sjellin ndjesi të veçanta. Ngjyrat dhe furçat e përdorura tregojnë një lëvizje të fuqishme, herë duke përfaqësuar një skenë bregdetare me dallgë të ashpra dhe qiellin dramatik, por që gjithashtu japin një ndjesi të fuqishme të natyrës. Furçat e gjera të përdorura në disa raste krijojnë ndjesinë e një tensioni të lartë energjie.

Mënyra e përzierjes së ngjyrave krijon një ndjesi lëvizjeje të pandalshme, duke kombinuar ndjesitë e tensionit dhe qetësisë me energjinë e natyrës. Kombinimi i ngjyrave të verdha dhe të gjelbërta me ngjyrat e errëta japin ndjesinë e një qetësie të kombinuar me tensionin. Në pikturat që kanë të bëjnë me natyrat e qeta, shpesh të krijohet një ndjesi qetësie dhe pastërtie për syrin vëzhgues. Nuk mungon një përzierje e dritës së butë që luan me ngjyrat transparente, por edhe ndriçime të forta, ku krijohet atmosfera e ngrohtë dhe mikpritëse.

Duket se qëllimi i tij i brendshëm është t’i afrojë publikut të tij një impresion personal përmes shenjave të tij. Ndonjëherë, me një stil dinamik, ai trajton motive dhe tema të ndryshme, që shpesh, në dukje, duket se nuk kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me njëra-tjetrën, por në fakt ato bashkohen thelbësisht përmes përmasave dhe ideve të përbashkëta, duke dhënë mesazhe të qarta dhe ide të larmishme.

Nuk mungojnë as vizatimet e shumta, ku gjuha e simboleve nuk mund të zgjidhet rastësisht. Nëpër siluetat e mbetura të kësaj vorbulle, vjen gjithnjë mendimi dhe emocioni i brendshëm, të cilët, të bashkuar, na sjellin piktura të admirueshme dhe me vlerë.

Robert Nikollbibaj shfaqet ngado në çdo tablo apo pikturë, sa dinamik, aq edhe melankolik apo i butë dhe engjëllor. Me idetë dhe gjendjen e tij emocionale, ai gjendet prezent në pikturën e tij me psikologjinë dhe mendimin e tij të ri, që, edhe pse është i ri në moshë, shpesh arrin të sjellë në pikturën e tij një konflikt të brendshëm. Në pikturat e tij gjallërojnë personazhe të blatuara si hije, dhe brenda tyre mund të jetë edhe vetë ai, që vëzhgon pikturën. Por mbi të gjitha, është vetë piktori me idetë, mendimin dhe gjendjen e tij të brendshme emocionale dhe shpirtërore.

Tek Robert Nikollbibaj, artisti është i integruar në vetëdijen dhe mënyrën që ai zgjedh për të komunikuar. Ai është një punues i kujdesshëm i argjendit, dhe kjo vjen si një traditë familjare. Martin Nikollbiba, babai i Robertit, na fton në punishten e tij të vogël, ngritur mbi themelet e një prej truallit më të famshëm të Kosovës, pikërisht aty ku dikur lindi i madhi Anton Çeta. Sot, aty gjendet punishtja e punimit mjeshtëror të argjendit, ku ai na tregon disa prej punimeve të mrekullueshme. Roberti është një punues i mirë i argjendit, pohon ai. Roberti punon me shumë kujdes dhe realizon punime të bukura, thotë i ati, që nuk mungon të na ftojë të qëndrojmë gjatë, por intensiteti i punës tonë është krejt tjetër. Vetë Martini ka një përvojë të gjatë në punimin e argjendit dhe është një ndër mjeshtrit e spikatur të tij.

Ndërkohë që piktura e tij bëhet gjithnjë e më e vyer dhe konsolidohet si vlerë artistike, Roberti duket se secilën prej tyre e ka të shtrenjtë, dhe secilën prej tyre e ka të vështirë ta nxjerrë nga studioja e tij, pikërisht pse aty është shpirti i tij artistik, puna e tij krijuese, mundi dhe djersa e derdhur në shkollimin dhe profesionin e tij, por mbi të gjitha ndjesitë e tij artistike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat