Promovohet romani i njohur “Zgjerimi” i shkrimtarit austriak Robert Menasse

Kultura

Promovohet romani i njohur “Zgjerimi” i shkrimtarit austriak Robert Menasse

Më: 31 tetor 2024 Në ora: 18:13
Foto ilustrim

Romani “Zgjerimi” i shkrimtarit austriak Robert Menasse, është vlerësuar i nevojshëm për kuptimin dhe mënyrën e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian. Leximi është organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Prishtinë.

Menasse të enjten lexoi pjesë nga romani i tij në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin ambasadorë të akredituar dhe përfaqësues të Universitetit të Prishtinës.

Ambasadori i Austrisë në Prishtinë, George Schnetzer, vuri në pah se romani “Zgjerimi” ka fituar disa çmime ndërkombëtare. Ai tha se ky libër është i pari që merret me çështje të zgjerimit të BE-së, por veçon edhe rastin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Schnetzer: “Zgjerimi” merret me rastin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së

“Si roman është vijimësi i romanit ‘Kapital’ që është botuar në vitin 2015 e sipas ekspertëve është i pari roman që merret me BE-në dhe me çështje të zgjerimit të BE-së, por merret më konkretisht me rastin e Shqipërisë. Autori ka bërë shumë hulumtime si në Bruksel ashtu edhe në Shqipëri. Ai është botuar në vitin 2022 dhe është shpallur si fitues i çmimit evropian të librit në Gjermani”, tha ai.

Zëvendës shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha se ky roman jep detaje mbi mënyrën e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian.

Palatova: Menasse prezanton punën e Brukselit në romanin e tij

“Në institucionet e BE-së në Bruksel bëhen shumë përpjekje për komunikimin për të gjetur se si mënyrat e vendimmarrjes për BE-në të jenë të kuptueshme për publikun pasi që ka shumë gjuhë dhe shumë media. Kjo nuk është e lehtë. Unë kam punuar për 15 vjet në BE dhe mund të them se zotëri Menasse ia ka dalë të prezantojë punën e Brukselit në romanin e tij”, tha ajo.

Autori Robert Menasse tregoi detaje mbi përmbajtjen e librit të tij. Ai duke lexuar disa fragmente të romanit, tha se ka përdorur shumë simbolika të cilat sipas tij janë fenomen i pushtetit. Po ashtu, foli për planet e zgjerimit të BE-së dhe nacionalizmin në vendet anëtare për idetë e zgjerimit.

Menasse: Në histori ka dinamika në kontradiktë me njëra-tjetrën

“Simbolet duket se kanë rëndësi të jashtëzakonshme në politikë, sidomos kur politika nuk është në gjendje të zgjidhë problemet. Atëherë duhesh zëvendësuar kënaqësinë e votuesve dhe këtë e bën përmes simboleve. Tash është bërë madje e rrezikshme sidomos për politikën evropiane, pasi mund t’iu jepet shembull sesa e pakuptimtë është kjo. Elita e BE-së, burokraten, që kohë pas kohe munden me gjet narrativë të BE-së, pasi s’ka një simbol që shtetasve të BE-së iu jep një identitet dhe kështu me radhë… Si gjithçka në histori ka dinamika që janë në kontradiktë me njëra-tjetrën, ka shtete ku shumica e popullsisë ka frikë nga zgjerimi dhe nuk dëshirojnë zgjerimin. Për shembull, ka ide të çmendura kur, për shembull, dëgjojnë fjalën shqiptar dhe të asociojnë me mafioz… Zgjerim i madh me Rumaninë dhe Bullgarinë - ky zgjerim u bë pak si shpejt dhe tash me përvojën dhe problemet e atëhershme, andaj tash po ecën kaq ngadalë”, theksoi ai.

Romani “Zgjerimi” u konsiderua i domosdoshëm për lexim edhe nga të pranishmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat