Shoqja nga New Yorku dhe shoqja nga Korça

Kultura

Shoqja nga New Yorku dhe shoqja nga Korça

Nga: Ilir Levonja Më: 2 nëntor 2024 Në ora: 13:14
Ilir Levonja

Shumë njerëz habiten me faktin se si një grua shqiptare që ka 30 vjet emigrante në New York, akoma e quan veten shoqe, shoqe partie si në kohën Enver Hoxhës.

Ashtu sikundër shumë të tjerë shpërndajnë në internet një tjetër grua, kësaj radhe nga Korça e cila po me të njëjtën metode debati nga koha e diktaturës, ngrihet në mbledhje grup seksioni dhe flet me po të njëjtën terminologji, të shokut e shoqes, bash si në kohën e diktaturës. E para, nuk ka ardhur në Amerikë për t'u integruar.

Ndofta fëmijët e saj po, megjithëse tek-tuk edhe atyre ua ka dëshira të shprehin simpati për elementë të regjimit, si disiplina, vënia në radhë, frika, rregulli. Aq sa koha e bidonave prej teneqeje të vajgurit dhe vajit të lulediellit akoma thyen ambjentet e boshe të ditëve njëngjyrëshe të luftës së klasave. Shoqet dhe shokët e New Yorkut punojnë me inat ku të mundin, jo për t'u integruar, por me mendjen se si një ditë të kthehen rishtas në pushtet dhe të vazhdojnë po aq egërsisht luftën e klasave.

Dhe pavarsisht moshës, realitetit të ri, e konsiderojnë ikjen, emigrimin, si një dëbim nga armiku i klasës. Shumë syresh e dinë mirë se fabrikat e kohës ishin ca karakatina që nuk potësonin dot as tregun vendas, megjithatë, të thonë kishim punë. Në fakt nuk kanë mall për kohën, por për atë skuthërinë ku qoftë edhe në poste prej kompesate, të bënin gjëmën në luftën e klasave.

Nga ana tjetër nuk është se e duan Amerikën, por janë në dallëgt e mllefit nga dështimi shekullor i ideollogjisë së tyre, ku të parët janë pjella po e tyre që shqeu ambasadat, kaloi detin me gomone dhe hapi shtigje të panumurta maleve me Greqinë.

Ndaj sot i sheh kudo, krah diktatorit Rama, thjesht se kanë gjetur një kënaqësi perverse të sundimit, të luftës së klasave, kanë rigjetur Enverin. Kurse shoqja nga Korça, si shumë nëna shqiptare, nuk mbështetet tek fakti real ta zëmë 200 mijë lekë pension.

(Pa përmendur se sa të tjera pa 'të fare). Dhe nëse ti përpiqesh ta sqarosh, në kuptimin se sa paguan drita, sa është karburanti, sa është farmacia etj., shoqet nëna të kujtojnë atë qenin që iku. Nga ana tjetër, formula është e qartë, nëse janë me qera, qeranë e paguan fëmija emigranrt.

Nëse kanë shtëpi të madhe, katana, të re e moderne, u ka paguar goca a djali. Nëse u duhet të shkojnë tek doktori, ua paguan djali, goca. Nëse duhet të operohen, ua paguan fëmija prapë. Rrobat ua blejnë fëmijët, tek-tuk edhe ndonjë makinë.

Madje siç e dini, tashmë ekzistojnë edhe furgonët apo autobuzot e pakove, kjo tregti e fortë deri tek trahanaja shqiptare dhe vitaminat e Europës, apo lavastoviljet etj. Nëse duan të shkojnë në llixha, ua paguan fëmija. Nëse duan të rregullojnë gojën, ua paguan fëmija. Nëse duan të shkojnë e të shohin botën, mund të dalin, madje të marrin edhe pasaportë amerikane e të bredhin metropolove.

Se pasaportat e huaja, sidomos ato amerikane dhe kanadeze i kanë edhe biletat brenda, i kanë falas nga djersa a gjaku i fëmijëve. Jo nga pensionet e Enverit apo këtij pinjollit të tij. Kurse ato (pasaportat) e Enverit dhe Edi Ramës, kanë Noc Rrokun po të Enverit dhe të Edi Ramës.

Kishin dikur një pasaportë të Ahmet Zogut, që bridhnin të lirë, por me ardhjen e bolshevizmës, u ra nja 100 vende poshtë aq sa sot gëzohen kur Noc Rroku u thotë se, hoqëm vizat me Kubën. Tani që t'i vëm kapak punës, demokracia është rotacion. Sundon ligji jo Noc Rroku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat