Nderim e mirënjohje për personalitetet matjane

Kultura

Nderim e mirënjohje për personalitetet matjane

Nga: Hamdi Hysuka Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 22:29
Foto ilustrim

Në këtë jetë jemi kalimtarë, por në histori hyjnë figura të njohura. Ka nga ata që lënë gjurmë në familje e në shoqëri. Edhe Mati ka pasur dhe ka shumë figura të spikatura, të cilat me aktivitetin e tyre pranohen në altarin e figurave kombëtare. Kujtoj figura të shquara matjane, që ndër shekuj kanë bërë histori, qysh nga lashtësia e gjer në ditët tona: Gjergj Kastrioti (1405-1468) Pjetër Budi (1366-1622), Rexhep pashë Mati. (1842-1908), Ibrahim Temo (1863-1945), Dervish Hima (1872-1928) Hafiz I. Dalliu (1878-1951), Ahmet Zogu (1895-1961) Shahin Toçi, (1911-1939), Abdi Mati (1918-1992) etj. Para se këta të ishin shqiptarë të mëdhenj, janë dhe mbeten matjanë të denjë, mendjendritur, qytetarë të mirë të luftës, artit, shkencës dhe botës së letrave. Mosha e tyre, më tepër se jetë, kishte kohë pune.

Tendenca e botimeve të sotme, sidomos publicistike, është tema e ardhjes së demokracisë, çeshtja kombëtare shqiptare, “dëshira” e rishkrimit të historisë etj. Por gazetari i njohur i medias së shkruar dhe vizive, Hasan Pasha, autor i shumë shkrimeve nëpër gazeta e portale, si dhe i vëllimit publicistik “Të pathënat e tridhjetë viteve”, për botim të ri zgjodhi monografinë “Fisnikët e Matit”, kushtuar njerëzve që kanë kontribuar me mendje, zemër dhe krah për vendlindjen, atyre që ai ka njohur vetë, specialistë të fushave të ndryshme, “intelektualët e shekullit të ri”, burra e gra që kanë dhënë më shumë se sa kanë marrë nga Mati.

U ndjeva i gëzuar kur libri m’u besua për redaktim. Së pari, e lexova me dëshirë dhe ndjeva kënaqësi, sepse ritakova shumë personalitete të njohura matjane, të cilët koha nuk i ka anashkaluar. Tashmë kur në dorë të bie një libër i shkruar mirë, doemos të bën të mendohesh e të nxjerrësh vlera për lexuesin. Ndaj vlerësimi i tyre duhet bërë sipas thënies së Abraham Lincoln, presidenti i 16-të i Amerikës, sipas të cilit, "S'kanë rëndësi vitet e jetës tënde. Rëndësi ka jeta në vitet e tua".

Përzgjedhja dhe renditja e personazheve që përfshihen nëpër faqet e kësaj monografie është bërë sipas kritereve të moshës e profesioneve. Ata vijnë nga gjithë territori gjeografik i Matit dhe përtej tij: nga Shëlliu, Macukulli, Derjani, Lami i Madh, Rremulli, Mirdita, Laç-Bruçi, Burreli, Zenishti, Lisi, Batrra, Kurdaria, Klosi, Karica, Bazi, Urxalla, Xibri, Gurra, Komsia... nga Martaneshi, Bulqiza, Belshi i Elbasanit, Erseka e Kolonjës, Gjirokastra, Vlora... Numri 78 i këtyre personaliteteve nuk është fundor. Ka dhe të tjerë, për të cilët mund të shkruhet në vazhdim nga autori. apo autorë të tjerë, pa u bazuar në bindje politike, as paragjykime. Them kështu, ngaqë shoqëria jonë ka nevojë njohjen e vlerave dhe të traditave për brezat që vijnë, të cilëve u jepet mundësia të njohin e të mësojnë sa më mirë historinë e të parëve të tyre, brenda e jashtë Matit.

Jo pa qëllim, gjatë përgatitjes së monografisë, autori shfrytëzoi rrjetin social facebook, nëpërmjet të cilit “testoi” punën e kryer. Mendimet e ndjekësve qenë pozitive, shoqëruar me falenderime të sinqerta për çdo portretizim, që do të thotë se qëllimi i botimit u arrit. Disa prej tyre, më të zgjedhurat, për secilin portret, autori i shtoi në mbyllje të librit.

Gjatë leximit të monografisë takojmë personalitete që kanë dhënë kontribute në fusha të ndryshme ku ata kanë lënë gjurmë, sidomos në letërsi, art, kulturë, arsim, shëndetësi, bujqësi, ushtri, minierë kromi, shfrytëzim pyjesh, qeverisje vendore e qëndrore. Sipas renditjes në libër, ata janë: Ymer Minxhozi, Qamil Xhika, Rexhep Klosi, Agim Cevani, Shaqir Xhoçuka, Dilaver Kurti, Nezir Hasani, Ymer Nelaj, Feride Kurti, Tahir Tahiraj, Sabri Aliaj, Hysni Xhetani, Mustafa Gjestila, Ferit Hysa, Petrit Frangu, Ferit Këputa, Simon Kaca, Vangjush Gambeta, Kolë Ndreka, Shaqir Çela, Shaqir Stana, Abaz Lleshi, Shemsi Sulaj, Aqif Çupi, Halit Palamani, Sefer Duka, Ramiz Fiçorri, Osman Hoxha, Nikollë Bushi, Avni Leka, Faik Xhani, Rexhep Dardha, Shefqet Lata, Hanke dhe Ilirjana Demirlika, Sali Bushi, Sali Kurti, Dali Farruku, Mehmet Rami, Shaban dhe Elidiana Canaj, Ali Hysnelaj, Tomë Gjergji, Bajram Canameti, Agim Dervishi, Qemal Cenaj, Luftim dhe Afrim Vani, Shefqet Merra, Halit Zhgjoti, Hamdi Hysuka, Kasem Muça, Mirjeta Domi, Natasha dhe Haziz Ballabani, Ali Gjoka, Megi Doçi, Asllan Muharremi, Kolë Rica, Avni Kërtuka, Hysen Rruspi, Ramazan Toçi, Xhavit dhe Mara Ramiz, Xhevrie Sulaj, Naim Gjoshi, Qemal Lena, Adham Prifti, Engjëll Mulellari, Xhemal dhe Arben Bici, Selim Demiri, Agron Malaj, Adelina Farrici, Teki Kurti, Armela Murati, Hasan, Ina dhe Deni Pasha. Shumë prej atyre, që autori sjell para lexuesit, kanë punuar në të dy sistemet, monizëm e demokraci. Por ajo që dhe mua më intrigoi, është se këto personazhe janë të mirë, njerëzorë, të dashur dhe patriotë me vendlindjen.

E shkruar nga pena e gazetarit Hasan Pasha, nëpërmjet njohjeve vetjake dhe dokumentave, monografia “Fisnikët e Matit”, është vepër e veçantë për komunitetin tonë matjan, që i shërben lexuesit të interesuar. Karakteristikë e botimit është publicistika e autorit, e cila për kulturën, traditat, historinë dhe personalitetet e Matit sjell vlera njerëzish që, siç shprehet autori, kanë kontribuar me mendje, zemër dhe krah për vendlindjen.

Veçori e personaliteteve në fjalë është ideali dhe përkushtimi i tyre me devotshmëri aty ku kanë jetuar e punuar. Disa nga ata, për punë të palodhur, janë vlerësuar me tituj nderi. Por ka dhe që s’kanë nevojë për tituj, grada shkencore, apo bujë mediatike. U mjafton ndershmëria, përkushtimi dhe jeta me nderë, sepse pasvdekjen e siguruan pa vdekje. Vlerësimi për t’u bërë pjesë e monografisë nuk iu është bërë me komisione, as me votime. Sepse stadi i sotëm i zhvillimit ka e do të nevojë për personalitete si Ymer Minxhozi, Qamil Xhika, Rexhep Klosi, Agim Cevani, Dilaver Kurti, Ymer Neli, Feride Kurti, Tahir Tahiraj, Ramiz Fiçorri, Sefer Duka, Sali Kurti, Nedin Hoxha, Sabri Aliaj... disa prej të cilëve kanë ndërruar jetë, të tjerët gëzojnë moshën e tretë dhe pjesa tjerër janë në marrëdhënie pune. Është e rëndësishme që autori ekspozon kontributin e secilit personalitet matjan, si dhe njohuritë personale për t'i dhënë librit dinjitet, origjinalitet dhe personalitet. Me jetën e tyre, ndershmërinë dhe shkallën e lartë të inteligjencës ata mbeten në histori.

Me botimin e këtij libri, autori Hasan Pasha synon të hedhë dritë mbi shumë figurat intelektuale të Matit, të cilat pak janë njohur nga lexuesi i sotëm dhe në këtë mënyrë hidhet një hapë drejt zgjerimit të studimeve më të hollësishme rreth këtyre figurave matjane e më gjërë.

Siç ka thënë Heroi i Popullit, Luigj Gurakuqi, “Një popull që nderon burrat e vet, që pavdekëson kujtimin e tyre, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen dhe ka dëshirë me u sjellë e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhajvet të vet”. *kryetar i Klubit Letrar 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat