Gani Mehmetaj plotëson trilogjinë për luftën në Kosovë me romanin “Muri i heshtjes”

Kultura

Gani Mehmetaj plotëson trilogjinë për luftën në Kosovë me romanin “Muri i heshtjes”

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 07:03
Gani Mehmetaj

Pas dy botimeve të mëparshme “Zogjtë e qyqes” dhe “Lufta e pengjeve”, shkrimtari Gani Mehmetaj plotëson këtë trilogji për luftën dhe bashkëjetesën mes etnive të ndryshme në Kosovë, me romanin e fundit “Muri i heshtjes”, botim i UET Press. Përmes historisë së dashurisë së dy personazheve kryesorë, fituesi i Çmimit Kadare vendos pjesët e munguara në puzzle-in e realitetit të shkuar, ende të pa pastruar plotësisht nga kujtimet e dhimbjes.

E gjitha filloi me një tregim të shkurtër. Ngjarjet vendosen në ambientin e një kafeneje në Pejë, qytetin ku autori lindi dhe u rrit. Subjekti eksploron vuajtjet e njerëzve pa e ditur arsyen pse vuajnë. Mes sentimentalizmit, melankolisë dhe shpërthimit të pakënaqësisë të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës shpërfaqen drama edhe më të mëdha.

Këto drama trajtohen pastaj më gjerë e gjatë në romanin e parë të autorit Gani Mehmetaj të botuar nga UET Press “Zogjtë e qyqes”. Ishte ky subjekti që triumfoi në edicionin e gjashtë të Çmimit Letrar Kadare, por njëkohësisht e bëri të njohur kineastin, shkrimtarin e gazetarin Mehmetaj edhe për lexuesin brenda Shqipërisë.

Image
Kopertina e librit

Dragani, koloni serb i vendosur në territorin e Kosovës, kalon një fëmijëri të vështirë, në një ambient gati të pakuptueshëm të përshkuar nga urrejtja e muret e heshtjes. Mes paragjykimeve, armiqësive, ideologjisë së qeverisë së Beogradit dhe jetës reale të njerëzve të thjeshtë që jetojnë në tokën e tyre ka një mospërputhje dhe kundërshti totale që merr fund me bombardimin e NATO-s.

Duke e zgjeruar këtë dramë përtej serbëve dhe shqiptarëve, Gani Mehmetaj prek vuajtjet e etnive të tjera që jetonin nën çadrën e Jugosllavisë komuniste, duke sjellë kështu në librin e dytë “Lufta e pengjeve” historinë e tetë ushtarëve nga kombe të ndryshme. Ata gjenden bashkë në një kazermë në Slloveni dhe jeta e tyre, identiteti, gjykimet do të marrin tjetër rrjedhë pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

“Nga frika se nuk i kam thënë të tëra e bëra edhe një roman që tash po e promovojmë. Më dukej se diçka nuk ishte thënë deri tani”, tha shkrimtari Gani Mehmataj gjatë promovimit të romanit të tij më të fundit “Muret e heshtjes”, sërish i ardhur nën logon e shtëpisë botuese UET Press.

Në ndryshim nga dy subjektet e librave të parë, në “Muret e heshtjes” Mehmetaj ndalet në një aspekt tjetër të marrëdhënieve njerëzore, atë të dashurisë mes dy të rinjve, në një tokë ku njerëzit ndaheshin nga varre dhe gjaku.

Gjini nga Kosova dhe Milena, kolone serbe e ardhur me familjen e saj, do të tejkalojnë shpirtërisht ndasitë, paragjykimet, urrejtjen, survejimet dhe frikën. Do të jetojnë dashurinë e tyre e do të ëndërrojnë, por pa prekur fundin që ata duan. Dashuria e tyre nuk do të arrijë të tejkalojë muret e heshtjes. Janë këto mure, që siç u shpreh autori, u rrëzuan praktikisht me bombardimet që i dhanë fund luftës në Kosovë duke krijuar një realitet të ri në Ballkan. Pavarësisht të gjithave, ende pas gati dy dekadave e gjysmë, duket se herë pas here nga ky mur vijnë zërat, thirrjet, retorikat e rrezikshme të një rikthimi në ato vite.

Milena dhe Gjini lanë kohën, vendin, rrethanat, ideologjinë të mposhte dashurinë e tyre dhe vijuan jetën larg vendlindjes. Harruan kohën e luftës, ruajtën kujtimet e mira, vijuan jetën përpara, jetuan tragjeditë e tyre njerëzore, falën, dashuruan sërish dhe evokuan atë se si duhet të jetë realiteti i ri. Rikthimi nuk do t’i gjejë bashkë, por do t’i gjejë me fillime dhe jetë të reja.

“Urrejtja të grin, të bren, të ngarkon shumë. Është një situatë që përpiqesh ta mundësh veten. Në fakt unë nuk kam urrejtje, ose më ka kaluar dhe me mendje të kthjellët përpiqem të mendoj se si do të ishin zhvilluar ngjarjet nëse shteti do të ishte sjellë ndryshe”, sqaroi më tej autori duke e quajtur qasjen e tij indiferente dhe të paanshme.

Drejtuesja e shtëpisë botuese UET Press, Suadela Balliu, përmes parathënies së librit evidenton elementët karakterizues të subjekteve, fabulave dhe krijimtarisë letrare të Mehmetajt.

“Parë krijimtarinë artistike të autorit të njohur edhe si gazetar, publicist, dramaturg e kineast, duket se Mehmetaj ka shumë për të rrëfyer. Dhe e bën atë mjeshtërisht përmes letërsisë. E pikërisht, shkrimtari duket se e gjen strumbullarin e të gjitha fatkeqësive tek ajo bashkëjetesë e brishtë, thuajse e pamundur kulturash në këtë truall të Ballkanit”, shkruan Balliu.

Autori dhe kritiku i letërsisë, dr. Ermir Nika tha se letërsisë shqipe i duhet një frymë origjinale, një këndvështrim autentik dhe një stil që në njëfarë mënyre të ketë identitetin e autorit. Për këtë arsye, Nika u shpreh i kënaqur që një autor si Mehmetaj i është zbuluar dhe promovuar lexuesit shqiptar përmes Universitetit Europian të Tiranës dhe UET Press.

“Me këtë vepër dhe të tjerat që ka botuar, autori ka krijuar një sagë të madhe e cila nuk është vetëm dëshmi dhe vlerë e kohës. Në njëfarë mënyre ajo ndërton një të ardhme ku njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të mbartin në subokishencën e tyre ato fjalë dhe psikologji të personazheve që Mehmetaj sjell në librat e tij”, theksoi Nika.

Vetë autori rrëfeu për studentët e Universitetit Europian të Tiranës se ka filluar vonë të shkruajë letërsi. Deri në moshën 50-vjeçare është përqendruar te karriera e tij si kineast apo si gazetar, duke krijuar eksperienca të larmishme, me ngjarje, kujtime e histori nga vende të ndryshme të botës.

“Vjen në një moment që duket se të gjitha këto që të ngarkojnë duhet t’i shprehësh e t’i shkruash”, rrëfeu Mehmetaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat