"Rrafsh e Leboten"

Kultura

"Rrafsh e Leboten"

Nga: Adem Breznica Më: 12 nëntor 2024 Në ora: 10:54
Foto ilustrim

Mali Leboten (pjesë e masivit të Sharrit), me lartësi mbidetare rreth 2500 metra, është panorama më tërheqëse në gjithë horizontin pamor të Fushës së Kosovës.

Për shkak të lartësisë mbizotëruese, si dhe largësisë disa dhjetra kilometërshe nga vendbanimi ynë i rrafshët, kjo kodër ka krijuar kontrast të madh, jo vetëm relievor e klimatik, në përceptimin e fushëkosovarëve.

Prandaj banorëve të anëve tona (Fushë Kosova), e ndoshta edhe regjioneve tjera, nuk mund t'iu ikte kjo pamje, thjesht në kohen moderne, pa e arkivuar më parë në fjalorin e vet popullor: "Rrafsh e Leboten". Kjo shprehje e të vjetërve tanë vie në pah në rastet kur merren për referencë dy gjëra që kanë kontradiktë ose dallim shumë të madh mes vete, jo vetëm në pamje, por edhe në fjalë, sjellje, qëndrim...

“I ra rrafshit” – “iu ngjit malit”; “u bë fushë” – “u bë mal”; “ishte i rrafshëm” – “ishte malok”; “rrafsh e koder”; “rrafsh e leboten”, etj. janë vetëm disa nga frazat krahasimtare në fjalorin popullor, ku, varësisht prej kontekstit të bisedës, her njëra, her tjetra, herë rrafshi e herë mali, marrin konetacion pozitiv ose negativ, dhe jo të njëtrajtshëm. Kur dy gjëra nuk shkojnë me njëra-tjetrën dhe nuk përputhen, populli (gjenerata e vjetër e anës sonë) thotë: "Rrafsh e Leboten".

Kjo frazë nuk është interesante vetëm për nga filozofia që përmban dhe mesazhi që përçohet, por edhe nga struktura emrore e krahasimit: "Rrafsh e Leboten", dhe jo "Rrafsh e Luboten". Pra, Leboten, ose në fakt Laboten, e kurrsesi Luboten e Ljuboten.

Siç mund të vihet re, LAB(o-ten) është metatezë e ALB, që tregon malin, alpet dhe tamam i përgjigjet jo vetem rrënjes shqipe si fjalë, por edhe kontekstit krahasimtar të dy poleve, dy anëve, dy gjërave të kundërta, rrafshit - nga njëra anë dhe malit - nga ana tjetër.

Si rezultat, as në aspektin gjuhësor dhe as në atë kontekstual, emri i malit në fjalë nuk mund të jetë "Luboten" dhe as "Ljuboten", pra nuk ka të bëj asgjë me sllavishten, por është produkt i rrenjës shqipe Lab(oten), si shprehje e metatezuar për lartësinë, ashtu siç janë edhe toponimet tjera analoge në çdo cep të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, si: Llap, Llapushë, Laposa(viq), GaLap, Llabjan, Pllanë, Laberi etj.

"Mali Laboten", pra popullata përreth këtij mali, nuk njef ndonjë presupozim dashurie (“ljub” – sllav.) për ta quajtur atë "Ljuboten". Por edhe nëse do të kishte diçka të tillë, popullsia albanofone e këtyre anëve ka shprehje me bollëk për t’u dhënë emra vendeve e ngjarjeve të tilla dhe nuk do të kishte nevojë të huazonte fjalë nga një gjuhë e huaj që filloi të imponohej relativisht shumë vonë në disa prej këtyre popullsive (shqiptare ortodokse) që u treguan më lojal ndaj pushtimit serb.

Përkundrazi, natyra e vrazhdë e kësaj kodre dhe lartësia e saj (“alp” – alb.) mbresëlënëse i ka dhënë emrin e metatezuar Lab(oten) dhe frazën krahasimtare “Rafsh e Leboten”. pikërisht nga popullata vendore që shtrihet në vendbanimet pranë këtij mali, përreth por edhe në distancë të konsiderueshme, gjithnjë të pashkëputshme nga pamja e tij.

/Adem Breznica, profesor i historisë/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat