Çeku: Kosova do të bëhet destinacioni kryesor për prodhimtari filmike

Kultura

Çeku: Kosova do të bëhet destinacioni kryesor për prodhimtari filmike

Më: 13 nëntor 2024 Në ora: 14:10
Hajrulla Çeku

Një ndër pikat e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ishte edhe miratimi i projekt rregullores për të drejtën e rabatit në Ligjin për Kinematografinë, e cila u miratua nga Qeveria.

Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, në konferencë për media, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku theksoi se rabati nuk do të jetë vetëm për filma e seriale, por edhe për animacion, videoklipe e video-lojëra.

Çeku: Nuk është vetëm për filma e seriale por edhe për videoklipe muzikore reklama dhe së fundmi edhe për zhvilluesit e lojërave

“Në korrikun e vitit të kaluar është miratuar ligji i ri për kinematografinë që ka qenë një arritje për të cilën komuniteti i kinemasë e ka pritur shumë gjatë...Ky ligj u ka ofruar mundësi më të mëdha prodhimit të filmit e kushte më të mira për film bërjen në vendin tonë. Njëri nga instrumentet e prezantuara me ligjin e ri të kinematografisë është e drejta për rabatin. Me rabatin sigurohet që 30 për qind e shpenzimeve të pranuara, t’i kthehen direkt investuesit të huaj, shpenzime që bëhen në shërbime dhe fuqi punëtore lokale. Kjo nuk është vetëm për filma e seriale por edhe për videoklipe muzikore, reklama dhe së fundmi edhe për zhvilluesit e lojërave”, ka thënë Çeku.

I pyetur për anëtarësimin e Kosovës në UNESO, Çeku ka deklaruar se çështja e anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare është ekskluzivitet i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Çeku: Çështja e anëtarësimit në UNESCO është ekskluzivitet i Ministrisë së Punëve të Jashtme

“Duhet të them që Kosova e meriton dhe duhet të jetë pjesë e UNESCO-s. Ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2015, ka qenë një fatkeqësi dhe një padrejtësi ndaj vendit tonë. Dhe unë besoj që e kemi vendin atje, duhet të bëjmë çmos që sa më shpejtë të jemi pjesë e UNESCO-s, ndërsa çështja e anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare është ekskluzivitet i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Unë besoj që ajo është ministria më kompetente për të bërë vlerësimin e momentumit, mënyrës, strategjisë dhe qasjes në raport me këtë. Ne gjithmonë përgatitemi dhe bëjmë veprimet tona”, deklaroi ai.

Ndërkaq, aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, kanë deklaruar se javën e ardhshme do të hynë në grevë shkak i pagave të ulëta.

Rreth kësaj greve, ministri i Kulturës, Çeku ka theksuar se nuk ka ndonjë mospajtim mes aktorëve dhe ministrisë.

Sivjet, buxheti i teatrit kombëtarë do të jetë rreth 700 mijë euro nga Ministria e Kulturës dhe stafi do të plotësohet.

Ndërsa, rreth 20 milionë euro janë investuar në infrastrukturën teatrale të Kosovës dhe restaurimi i tërësishëm mbi 7 milionë euro.

Çeku: Për të hyrë në grevë duhet të ketë një mospajtim ose situatë kur një kërkesë nuk pranohet nga një autoritet

“Për të hyrë në grevë duhet të ketë një mospajtim ose situatë kur një kërkesë thjesht nuk pranohet nga një autoritet. Sivjet ka buxhet 700 mijë euro nga Ministria e Kulturës. Stafi i teatrit është plotësuar me punëtorë të ri, ndërsa ansambli dhe rezidentë të aktorëve do të shtohet me 8 aktorë, katër janë duke u rekrutuar, tash procedurat duke u zhvilluar dhe katër pozita të tjera do të hapen me fillim të vitit të ardhshëm. Me një infrastrukturë teatrale të Kosovës, kemi investuar rreth 20 milionë euro. Punimet vazhdojnë në tetarin, restaurimi i tërësishëm mbi 7 milionë euro”, ka theksuar Çeku.

Ministri Çeku, la edhe një mesazh për aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke thënë “ të mos ua mohojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës të drejtën për të parë shfaqje të mira në Teatrin Kombëtar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat