“Parajsa artificiale”/ Një ‘komplot’ tjetër nga Ben Blushi, shkrimtari: Është libër ndryshe, inteligjenca artificiale krijon parajsën

Kultura

“Parajsa artificiale”/ Një ‘komplot’ tjetër nga Ben Blushi, shkrimtari: Është libër ndryshe, inteligjenca artificiale krijon parajsën

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 14:07
Ben Blushi

Për Ben Blushin, libri “Parajsa artificiale” me të cilin vjen në panair, është ndryshe. Jo vetëm se është më i shkurtër, për t’iu përshtatur një publiku që ka ditë më të shpejta, por edhe sepse ka një histori dashurie në qendër, mes një burri në moshë pjekurie dhe një vajze të re, por edhe sepse për këtë dashuri shkohet në luftë dhe shpiket një parajsë.

“Ka një lojë mes Simon Shuterit dhe vajzës se me cilin vend mund të shkojë në luftë Shqipëria, që nga Greqia, Maqedonia e Veriut, Italia, Franca dhe derisa mbërrijmë te Irani”, thotë Blushi.

Feja e shqiptarëve, të krishterë a myslimanë duket se ndikon edhe në zgjedhjen e kundërshtarit në luftë.

“Ne jemi heterogjenë në kuptimin fetar të fjalës. Jo të gjithë besojnë në një fe. Kjo e ka bërë shtratin tonë kulturor shumë interesant. Unë e përdor këtë harmoni kur Shuteri dhe vajza bëjnë batuta. Kjo diskutohet në çdo tavolinë nuk mund të shmanget”, thotë më tej ai.

Një pikë e fortë e veprës është integrimi i inteligjencës artificiale në të dhe roli që ka në zëvendësimin e njeriut. Utopike dhe me tiparin komunist të barazitizmit, parajsa artificiale e Blushit sipas tij “është një parajsë e krijuar në rrugë artificiale ose shkencore”.

“Kuptimi që kemi ne për parajsën është hyjnor, këtu kemi një tjetër kuptim. Ne nuk kemi njerëz që janë kthyer nga parajsa të na tregojnë çfarë ndodh atje. Kjo e librit është parajsë që arrihet nga teknologjia. Ajo zhduk arsyet për të pasur konflikt. Robotët dhe inteligjenca artificiale do bëjnë punët e rënda që sforcojnë njeriun dhe njeriu do ketë kohë të jetojë më mirë, të krijojë e të dojë”, shprehet Blushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat