Vallja zgjedhore

Kultura

Vallja zgjedhore

Nga: Sevdail Hyseni Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 12:20
Karikatura marrë nga revista humoristike “Kunji”, e përpunuar

Ka nisur me ritëm vallja zgjedhore,

Partitë politike, ndahen në taborre.

Secila mundohet me takat të vetë,

Për më shumë vende në Parlament.

Ngarendin të lumet ashtu si më parë,

Duke u përplasur me bërryla në garë.

Gjatë fushatës askush nuk lëshon pe,

I ngrehin premtimet deri lart mbi re.

Vazhdon kampanja edhe n’diasporë,

Rëndon mbi supe si mali me borë,

Thua se mërgimtarët me delikatesë,

Vetëm këtë sport e kishin mungesë.

Me fontanë dëshirash, si në karnavale,

Për pikë politike, me shumë “ideale”.

Zgjaten tubimet, si në filma pa fund,

Me skenar e aktorë e qytetarë askund.

Por, vota si duket është sikur veja,

I shtohet nami në zgjedhjet e reja.

Kur i vije pulës, me nder në vrimë,

Votat dhe vezët bëhen copë e grimë.

Disa nga politikanët të themi troç,

Me vetëm një gur i vrasin dy zogj,

Po ka të atillë në krye me Xufën,

E vrasin me një gur e gjithë tufën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat