Ka nisur me ritëm vallja zgjedhore,
Partitë politike, ndahen në taborre.
Secila mundohet me takat të vetë,
Për më shumë vende në Parlament.
Ngarendin të lumet ashtu si më parë,
Duke u përplasur me bërryla në garë.
Gjatë fushatës askush nuk lëshon pe,
I ngrehin premtimet deri lart mbi re.
Vazhdon kampanja edhe n’diasporë,
Rëndon mbi supe si mali me borë,
Thua se mërgimtarët me delikatesë,
Vetëm këtë sport e kishin mungesë.
Me fontanë dëshirash, si në karnavale,
Për pikë politike, me shumë “ideale”.
Zgjaten tubimet, si në filma pa fund,
Me skenar e aktorë e qytetarë askund.
Por, vota si duket është sikur veja,
I shtohet nami në zgjedhjet e reja.
Kur i vije pulës, me nder në vrimë,
Votat dhe vezët bëhen copë e grimë.
Disa nga politikanët të themi troç,
Me vetëm një gur i vrasin dy zogj,
Po ka të atillë në krye me Xufën,
E vrasin me një gur e gjithë tufën.