Mbretëria e romanit

Kultura

Mbretëria e romanit

Nga: Dibran Demaku  Më: 17 nëntor 2024 Në ora: 08:58
Kopertina e librit

Është thënë e shkruar me mijëra herë se Poezia është Mbretëresha e letërsisë. Dhe nëse është kështu, e kështu duhet edhe të jetë, meqë sa e sa nga mendjet më të ndritura të shoqërisë njerëzore e kanë thënë e stërthënë këtë, atëherë unë do të thosha atëherë se Romani është dhe duhet të jetë, Mbreti i letërsisë.

Por, letërsia ka njohur deri më tash edhe poezi apo poemë që për nga vlera ideoartistike ia ka kaluar romanit, e gjithashtu janë shkruar romane poetike që ia kanë kaluar poezisë.

Nëse poezia shënon dhe lind(shkruhet)në një moment apo një çast të veçantë, kur atë e ndjenë thellë në shpirt autori, romani nuk është as i momentit as i çastit. Në të vërtetë ideja për shkrimin e një romani, mund t’i lind autorit në një moment apo një çast, por deri në përfundimin e tij, kalon një kohë e gjatë me muaj  e shpesh herë  me vite.

Pastaj është e ditur botërisht se shumica e krijuesve krijimtarinë e tyre e kanë filluar me poezi, e tek më vonë kanë hyrë në botën e romanit.

Gani Mehmetaj, tashmë autor i dëshmuar në shkrimin e romaneve, pasiqë në vitet e fundit ka shkruar dhe botuar një numër të konsiderueshëm romanesh, do të thosha si askush tjetër. Dhe jo vetëm që ka shkruar dhe botuar një numër romanesh, por romanet e tij kanë lënë gjurmë në krijimtarinë shqipe të Kosovës në veçanti, por në krijimtarinë artistike në përgjithësi.

E dhëna se romani i Mehmetajt ”Zogjtë e qyqes” është lauruar me Çmimin Kadare, tregon qartë se sa me vlerë letraro-estetike janë romanet e tij. Dhe romani në fjalë i Mehmetajt është përkthyer në disa nga gjuhët kryesore të njerëzimit dhe sipas të dhënave ka depërtuar me mjaft sukses tek lexuesit e atyre gjuhëve.

Mehmetaj edhe këtë vit doli me një roman të ri me titull mjaft simbolik për kohën dhe hapësirën tonë. Romani mbanë titullin: ”Koha pezull” dhe bën fjalë për luftën e fundit çlirimtare në vendin tonë.

Si njohës i mirë i letërsisë, por edhe i artit filmik, Mehmetaj romanin e tij më të ri e ka ndarë në “Tri pamje të Çlirimit” e që janë tri faza: pamja e parë, ajo e pushtimit, me tutull”Amok”, që siç e shpjegon vetë autori, kjo fjalë vie nga gjuha malaziase dhe që do të thotë: ”I tërbuar, ose i xhindosur”, me të cilën identifikon pushtuesin serb, ”Prita” dhe “Vdekja e prijësit”.

Që të tri këto pamje, që do të thuhej me gjuhën e filmit, apo kapituj që thuhet me gjuhën e krijimtarisë artistike, në tërsinë e tyre kanë si strumbullar luftën e fundit çlirimtare, të UÇK-ë dhe popullit shqiptar kundër soldateskës serbe.

Në këtë roman defilojnë shumë akterë që ne i kemi njohur edhe gjatë kohës së okupimit,edhe gjatë kohës së luftës për çlirim, e edhe në kohën e lirisë, vetëm se autori u ka dhënë emra të tjerë më artistikë dhe më të dashur për lexuesin.

Mehmetaj tashmë është dëshmuar si një kronikan i zoti që kronikave të tij u jep gjak artistik dhe si të tilla ato bëhen edhe më të dashura dhe më të lexueshme.

Është i dhëmbshëm fati(i pafat) i Bardhoshit,i cili mbijeton luftën, por vritet në “kohën pezull”.

Që fati i tij të jetë edhe më tragjik se ai vritet nga si të thuhet “të vetët”!

Dhe Bardhoshin e kemi njohur të gjithë: Ai ishte i urtë, i ditur, me një fjalë shpirt njeriu…dhe vritet kur nuk e priste askush. Vritet, sepse për fat të keq të tij (dhe tonin) dinte shumë, dhe ata të tjerët nuk mund të mateshin me të, sepse do të humbnin, andaj kishin zgjedhur linçimin e tij. Edhe më e dhimbshme është e dhëna se vrasësit nuk janë zbuluar kurrë.

Çdo luftë ka të mirat dhe të këqijat e saj. Themi kështu sepse në kohë lufte defilojnë karaktere njerëzish nga me të ndryshëmit, që për t’i realizuar qëllimet e tyre, nuk e kanë të vështirë të vrasin edhe shokët e tyre.

Dhe që mos të zbulohen të bëmat e tyre, ata nuk denjojnë të të vrasin edhe në liri, apo në “Kohën pezull” siç e thotë autori Mehmetaj.

Gjuha dhe stili i Mehmetajt edhe në romanin e fundit është një gjuhë artistike e kuktivuar, ndërkaq stili i shkrimit është aq i afërt, saqë kur ti si lexues nis dhe lexon, nuk mund të ndalesh pa i rënë në fund. Dhe pasi t’i biesh në fund, i rikthehesh sërish e sërish, sepse si ngjarja ashtu edhe stili i përdorur në shkrimin e tij të kanë bërë për vete…

Romani “Koha pezull” përveç si vepër artistike mund të lexohet edhe si vepër historike,  sepse është kronikë besnike e kohës që paraqet!…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat