Me 16 nëntor 2024 në katedralen e Shkodrës mbahet një meshë nën drejtimin e të dërguarit të posaçëm të Papa Franceskut, me ç’ rast shpallen të lumtur Atë Luigj Palaj dhe don Gjon Gazulli. Në meshë priten të marrin pjesë edhe personalitete më të larta të Shqipërisë dhe të Kosovës, drejtues të lartë të Kishës Katolike nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe Italia, ndërsa prani e veçantë konsiderohet pjesëmarrja e Kardinalit shqiptar Ernest Troshani Simoni.
111 vjet më parë, më 7 mars të vitit 1913 u vra në Janosh të Gjakovës Atë Luigj Palaj. Në njëvjetorin e vrasjes së tij, në vitin 1914 poeti ynë kombëtar Atë Gjergj Fishta ia kushtoi këtij dëshmori një elegji që konsiderohet si njëra nga poezitë më të bukura në këtë fushë në letërsinë shqipe, këtij martiri që, sipas fjalëve të Fishtës, u vra „vetëm pse, si meshtar katolik e shqyptar i njimendtë, nuk mujt me pëlqye mizoritë, qi Sllavët bajshin mbi grigjë të tij“.
Falja për këtë vrasje makabre mund të bëhet vetëm:
„E gjaku i ktij Meshtarit
T’kjoftë falë per komb t’Shqyptarit.“
Tani mësojmë nga një shkrim i Aleksandër Tanushit se procesin për lumturiminë e tij e kishte filluar i pari bashkëvendësi i tij i famshëm, Atë Shtjefën Gjeçovi. Vrasja e këtij të fundit nga serbët me 14 tetor 1929 në afërsi të Zymit bëri që procesi i lumturimit ndalej për një shekull të tërë. Megjithatë, në vitin 2010, Arqipeshkvia e Shkodrës, edhe një herë i vuri në lëvizje dhëmbëzorët e mekanizmit të rëndë të shtetit të Vatikanit për beatifikimin e meshtarit shqiptar. Më 20 qershor 2024, kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve, i autorizuar nga Papa Françeskut, shpall Dekretin për lumturimin e Atë Luigjit Palajt. Vrasja e prelatit shqiptar ishte rezultat i urrejtjes patologjike ndaj katolizicmit shqiptar, urrejtje kjo që vazhdoi edhe në shtetin e madh pasardhës, në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe pas vitit 1929 në Jugosllavinë mbretërore. Në fakt, në forma më të maskuara, kjo urrejtje ndihet edhe sot në shtetin serb. Ende në Beograd thuhet hapur se Vatikani punon kundër Serbisë, pa çka se faktet për një komplot të tillë të imagjinuar mungojnë tërësisht. Përmes Radio Vatikanit në gjuhën shqipe që në një përvjetor ua prezanton dëgjuesve të saj jetëshkrimin e prelatit dëshmor, edhe ne i ofrojmë lexuesit tonë diçka elementare nga jeta e tij:
„Atë Luigji lindi në Janjevë, asokohe dioqeza e Shkupit, më 14 prill 1878. Prindërit Toma e Paulina e pagëzuan me emrin Mati.[…] Studioi në Shkodër, Troshan e Itali, ku më 23 shtator 1896 veshi zhgunin e Shën Françeskut. […] Mbas meshës së parë, më 20 prill 1903, nisi misionin si bari i shpirtrave në Baz, 10 orë larg Lezhës, e njëkohësisht mblodhi lëndën që i nevojitej për ndërtimin e Kishës së re të Gllogjanit.
[…] Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës, në sa vizitonte besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t'i përforcuar në fenë e të parëve, e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta mohojë publikisht këtë fe. E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të tjerë, e nisën rishtas për Pejë. Pater Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët.
I mungonte vetëm Kryqi, për t'i përngjarë plotësisht Krishtit.“
Në ekspertizën ligjore që iu bë kufomës së tij disa ditë pas vrasjes nuk u gjetën plumbat, gjë që e hidhte poshtë pretendimin malazezë për vrasjen e fratit në tentativë ikjeje. As arqipeshkvi i Shkupit dom Lazër Mjeda dhe as përfaqësuesi austriak nuk deshën ta nënshkruajnë ekspertizën që e donin malazezët, sepse, nëse do të pranonin rrenat malazeze do të fyenin kujtimin e klerikut të vrarë. Atë Shtjefën Gjeqovi, që do të vritet 16 vjet më vonë nga vrasësit e paguar serbë, na ka lënë një dëshmi mbresëlënëse për bashkëvendasin e tij. Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë ende ruhet dorëshkrimi i tij prej 108 faqesh me një titull të gjatë, por informstiv: „Diftesat, mbi xanjen, mundime e dekë t’Atë Luz Paliqit, O.F.M. i cili kje mbytë me 7 të Marcit 1913 e shti në nji gropë në katunit të Janoshit, shi aty ku e njomi tokën me gjak të vet!”. Këtë dokument për krimin ende s‘e ka parë lexuesi shqiptar. Në këtë kohë të riaktualizimit të vrasjes së Atë Luigj Palajt është momenti më i përshtatshëm për ta nxjerrë në dritë.
2.
Rusia, humbjen diplomatike e saj në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1908, u përpoq ta kompenzojë me krijimin Aleancës Ballkanike mes Serbisë dhe Bullgarisë. Serbia dhe Bullgaria si anëtarët e parë dhe themeluesit e Aleancës ishin marrë vesh me Rusinë për të pranuar arbitrazhin e saj në lidhje me territoret osmane që do të pushtonin, sepse lufta kundër Perandorisë Osmane nuk kufizohej vetëm me çlirimin e territoreve etnike, por do të shkonte më tej. Austro-Hungaria sikur u zhvendos nga fokusi i Aleancës me hyrjen e Malit të Zi dhe të Greqisë në të. Loja tani u bë më e ndërlikuar, sepse në rajon hynë, përmes Greqisë, edhe dy fuqi të tjera të mëdha europiane si Britania e Madhe dhe Franca, të cilat nuk donin t‘ia linin në dorë Rusisë fatin e Ballkanit. Katër shtetet ballkanike dhe Rusia si patronazhiste kishin tani përballë katër fuqi të tjera të mëdha: Austro-Hungarinë, Britaninë e Madhe, Francën dhe Perandorinë Osmane që ishte objekt i sulmit. Perandoria Osmane për ta ndërlikuar lojën, futi edhe faktorin shqiptar: ajo në këtë kohë bëri sikur e pranoi krijimin e shtetit shqiptar në katër viljatet e saj. Një shtet shqiptar me ata kufijë do ta ndryshonte në tërësi lojën diplomatike dhe, nëse do të pranohej nga fqinjtë ballkanikë do ta bënte të pamundshëm luftën, edhe atë të voglën, edhe atë të madhen më pas. Fuqitë ballkanike me Rusinë në prapavijë do ta kishin tepër të vështirë të luftonin me shqiptarët e motivuar për t‘i mbrojtur tokat e tyre. Ende thuhet se në qendër të Luftërave Ballkanike ishte Maqedonia, por e vërteta është se ekzistonte një mosmarrëveshje mes shteteve ballkanike rreth tokave shqiptare në Maqedoni. Në fakt në qendër ishin territoret shqiptare. Por lufta shpërtheu para se Perandoria Osmane të merrte defterin saj të punëve në dorë. Shteti shqiptar ishte një ultima ratio, ishte menduar si instrument për të ndalë çdo konfrontim të madh, sepse nga kjo luftë Perandoria Osmane nuk kishte çka të fitonte. Ky ishte kalkulimi i diplomacisë osmane. Ne themi se, nëse do të kishim një shtet shqiptar në hapësirën shqiptare, nuk do të kishim Luftërat Ballkanike dhe, pa to, as Luftën e Parë Botërore. Do të vazhdonte realpolitika dhe evolucioni i qetë në Europën Juglindore dhe në botë. Por gjërat rrodhën ndryshe. Siç e dimë, Lufta e Parë Ballkanike shpërtheu, pas saj edhe ajo e dyta dhe më pak se një vit më vonë edhe Lufta e Parë Botërore. Një flakë e vogël u rrit në një zjarr të madh që dogji gjithë botën. Gjërat kishin hyrë në një rreth vicioz, kështu që e keqja e vogël polli një të keqe edhe më të madhe. E gjithë kjo tragjedi po luhej për territore dhe ndikim. Aty-këtu thuhet se aleatët ballkanikë vepruan kokë më vete, por nuk duhet të harrojmë se asgjë nuk do të ndodhte pa Rusinë në prapavijë, nëse ajo me të vërtetë nuk do ta kishte dashur këtë luftë. Në këtë kohë ajo ishte ende një fuqi e madhe që mund t’u jipte gjëra e një kahje tjetër. Pa luftërat ballkanike zor se do të shpërthente lufta botërore. Rusia e dinte se kjo luftë ishte një aventurë që mund të kishte një çmim të lartë për ekzistencën e saj imperiale, por, në optikën e saj, ishte një e keqe e domosdoshme: ambiciet e saj gjeopolitike të mëdha nuk mund të realizoheshin ndryshe. Besimi në aleatët e saj ballkanikë në Rusi nuk ishte i vogël. E vërteta është se kjo perandori ishte e kalbur së brendshmi, por edhe si e tillë përbënte një rrezik të madh për rendin botëror. Nëse kishte diçka që e shpëtonte, kështu funksiononte mendja politike e carit në Petrograd, atëherë ajo ishte suksesi në frontin e luftës në Ballkan. Kështu Rusia, përmes kanalave të saj, i mbështeti forcat politike në Ballkan që punonin për luftën. Rusia si shtet ishte krijuar nga një varg luftërash, kështu që lufta nuk ishte aspak e huaj për të në politikë, mund të thuhet se ajo ishte elementi i saj i mbijetesës.
Me shpërthimim e Luftës së Parë në Ballkan shqiptarët u dezintegruan si njësi kombëtare, u shfaktorizuan plotësisht. Shqiptarët nuk e kishin fatin e tyre në dorë. As lufta dhe as paqa nuk i favorizonin në këtë moment historik. Ata, ç’është e vërteta ishin brenda ciklonit, por gjithçka ndodhte si në një ëndërr të keqe, gjithçka ishte kthyer në një makth: ata shihnin çfarë po ndodhte, por nuk mund të bënin asgjë për ta ndryshuar fatin e tyre kombëtar. Madje, për paradoks, ata në vitin 1915 luftuan në Çenekala, në Gallipol në mbrojtje të Perandorisë në një kohë që tokat e tyre digjeshin, shkretoheshin dhe ndajeshin si letrat në pokerin politik të Ballkanit. Në këtë botë sureale gjithçka ishte e mundshme. Shqiptarët silleshin si pula e prerë, pa kokë. Shqipëria ishte shkokëzuar, ndaj dhe mund të ndodhnin gjithë ato çudira për një të tretë që nuk e njihte dinamikën e vërtetë të ngjarjeve. Kështu u krijuan kushtet për një konflikt të gjerë botëror që do të vinte më vonë, për Luftën e Parë Botërore, për shpërthimim e të cilës historiani autralian Christofer Clark në librin e tij „The Sleepwalkers. How Europe Went to War in 1914“ e bën përgjegjëse Serbinë, sepse Rusia pas hyrjes së tërthortë në lojë të aleatëve të saj, Britanisë së Madhe dhe Francës, të cilave s’u besonte, kinse qe pajtuar për ruajtjen e status quos, mirëpo atë e prishën malazezët kur i shpallën luftë Perandorisë Osmane që po dilte e humbur nga një luftë me italianët në Afrikën Veriore dhe serbët më vonë, me Atentatin e Sarajevës kundër princit austro-hungarez Ferdindand. Ka studiues që thonë se Atentatin në Sarajevë e përgatiti Rusia përmes Serbisë, fraksionit të saj pansllavist. Megjithatë, në opinionin publik reziston edhe më tek mendimi ekziston se një pjesë e fuqive të mëdha, përfshirë edhe Rusinë, nuk e deshën këtë luftë, por pa ato, pa ambiciet e tyre gjeopolitike, a do të ishte e mundshme të ndodhte ajo?! Përgjigjen në këtë pyetje retorike e ka dhënë tashmë historia në një kohë që një pjesë e historiografisë botërore vazhdon të endet në labirintin e saj të hipotezave.
Po ta shikojmë çështjen thellë-thellë Lufta e Parë Botërore shpërtheu pikërisht për shkak të ambicieve të shfrenuara ruse për të dalë në ujërat e ngrohta të Mesdheut, për ta kontrolluar e vetme Ngushticën e Bosforit dhe vendosmërisë perëndimore për të ndëprerë zingjirin e kompromiseve të turpshme. Ekspansionizmi i imperializmit rus u bë shkaku i dy luftërave më të mëdha në botë dhe sot po këto ambicie po e çojnë botën drejt një instabiliteti tjetër të madh që si rezultat mund të ketë një konfrontim tjetër ushtarak në nivel global, sepse imperatoritë revizioniste duan një rend tjetër botëror.
Disa fakte historike duhet konstatuar: Lufta e Parë Ballkanike shpërtheu me Malin e Zi që i shpalli luftë Perandorisë Osmane me 8 tetor 1912 dhe përfundoi me 30 maj 1913 me Marrëveshjen e Londrës, kurse Lufta e Dytë Ballkanike shpërtheu me 29 qershor 1913 me sulmet e Bullgarisë ndaj aleatëve të saj Serbisë dhe Greqisë dhe përfundoi me 10 gusht 1913 me Marrëveshjen e Bukureshtit. Kufta e Dytë Ballkanike shpërtheu për shkak të pakënaqësisë bullgare me ndarjen e presë së luftës.
At Luigj Palaj u vra nga ushtria malazeze në fund të muajit të pestë të Luftës së Parë Ballkanike kur lufta po shkonte drejt fundit të saj. Kjo luftë për shqiptarët qe asgjësuese, mirëpo për fund ajo kishte ruajtur për shqiptarët edhe befasi të reja kriminale. Mali i Zi kishte pushtuar një pjesë të Rrafshit të Dukagjinit dhe vazhdonte sulmet e pandërprera mbi qytetin e Shkodrës. Ushtria e kral Nikollës ushtronte terror të paparë në terren mbi popullsinë shqiptare. Si duket, Rusia dhe Serbia e nxisnin Malin e Zi për këtë politikë kundërshqiptare që drejtohej tërthorazi edhe kundër Austro-Hungarisë. Serbia ishte e mllefosur në Austro-Hungarinë që e ndihmoi fuqishëm shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë për ta bllokuar daljen e saj në Adriatik. Shteti shqiptar tanimë ishte shpallur dhe do të njihet në njëfarë mënyre nga të gjitha fuqitë e mëdha të Europës, ndërkohë që Rusia luftonte për ta zvogëluar sa më shumë territorin e saj dhe për t’ia hapur kështu Serbisë rrugën drejt brigjeve të Adriatikut. Për Rusinë, Mali i Zi ishte një shtet përmes të cilit mund të hidheshin në parketin ndërkombëtar shumë ide që nuk pranoheshin nga fuqitë e tjera të mëdha, por diplomacia ruse kështu fitonte një hapësirë eksperimentimi: testonte idetë e saj të fshehta. Mali i Zi kishte qenë ai që i kishte shpallur luftë Perandorisë Osmane dhe kjo luftë, me sa dukej, do të përfundonte me humbjen e osmanëve. Pas Stambollit të mposhtur në rend vinte Viena. Dhe shqiptarët ishin caku ideal: derisa shqiptarët muslimanë ishin të orientuar kah Porta e Lartë, të cilës nuk i besonin, por s’kishin zgjidhje tjetër, ata katolikë te Perandoria Osmane kurrë nuk ishin mbështetur, ajo kishte qenë gjithmonë armiku më i madh, ndaj dhe shpëtimin e tyre e kërkonin në Vienë. Turqia ishte shkallmuar. Viena gjithashtu duhej të binte, sipas kalkulimeve pansllave në Moskë që fitorja të ishte e plotë dhe Ballkani të kthehej në një domen të mirëfilltë rus. Dhe këtë gjë Rusia mund ta bënte përmes prtodoksëve dhe jo eksluzivisht përmes sllavëve të Ballkanit. Atëherë Stambolli do të kthehej në Carigrad dhe ngushtica e Bosforit do të binte në duart e rusëve. Pa arritur këtu, në këtë ngushticë ushtari rus, Ballkani për Rusinë nuk kishte rëndësi të madhe. Pushtimi rus i Stambollit përbënte grushtin më të madh të mundshëm për të gjitha fuqitë perëndimore. Edhe lufta e sotme në Ukrainë pa këtë prapavijë historike nuk mund të kuptohet drejt. Sevastopoli i Krimesë është një lloj i Stambollit, njëfarë Carigradi i zbehtë i zhvendosur mijëra kilomtra në Lindje.
4.
Armiku i vërtetë i Rusisë nuk ishte Perandoria Osmane, por Perëndimi. Serbia ishte një aleate i madh në këtë ndërmarrje me synime largvajtëse, kurse Mali i Zi vetëm një shërbëtor i dobishëm. 100 vjet më vonë shumë gjëra në botë dhe në rajon kanë ndryshuar, por jo të gjitha. Shtetet e Bashkuara nga një fuqi e madhe perferike janë spostuar në fuqinë kryesore të botës. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete shqiptare, Mali i Zi e ka ndryshuar orientimin, Serbia taktizon mes Rusisë dhe Perëndimit, por në fund do të detyrohet të ndjek rrugën e vet kundër Rusisë, por ajo gjithmonë do të mbetet një shtet kundërshqiptar. Këtë herë do të provojë ta bëjë këtë gjë me aleatë në krahun tjetër. Në anën tjetër, duhet të thuhet gjithashtu se atëbotë ekzistonte edhe një shtet tjetër i rajonit që ekziston edhe sot: Greqia. Ajo anonte kah Moska, por duhet thënë se ajo si shtet ortodoks josllav nuk e gëzonte besimin e saj të plotë. Se kush është Greqia e një shekulli më vonë e tregon në një studim të tij amerikani Robert D. Kaplan. Libri e tij që në origjinal ka një titull tjetër, në shqip i është sjellë lexuesit shqiptar me një titull sugjerues: „Greqia: Dashnorja e Perëndimit, gruaja e Lindjes“. Ky ishte mozaiku i atëhershëm ndërkombëtar në të cilin ushtria malazeze shfaqte gjithë agresivitetin e saj kundër shqiptarëve. Muslimanët ishin pre e lehtë në këto kushte. Katolikët ishin vendosur në shënjestër, ndaj dhe këtë gjë ata duhet ta kuptonin qartë: armiku i tyre e kishte humbur luftën, por ata nuk kishin fituar asgjë. Në këtë rast thënia se armiku i armikut tim është miku im nuk vlente më. Armiku i armikut tim ishte kthyer në armikun tim.
Mali i Zi, duke qenë një shtet i vogël, mund të përdorej për eksperimente të mëdha. Vrasja e një prelati të përkushtuar shqiptar, „ e një shqiptari të njimendtë“, ishte përgatitur si opsion gjatë në zyrat e shtetit rus. Malazezët ishin ata që duhej ta realizonin në terren këtë politikë të re. Vrasja e një kleriku katolik shqiptar ishte hapi i parë që duhej bërë. pushtuesit malazezë filluan të përndjekin shqiptarët me pretekste të ndryshme. Në këtë kohë lufte mbledhja e armëve ishte një pretekst i besueshëm, ndaj dhe u përdor për ta terrorizuar popullsinë shqiptare. Mali i Zi e dinte se pa asimilimin etnik të shqiptarëve arritjet e tij ushtarake do të ktheheshin me kohë në një fluskë sapuni. Kështu filloi trysnia mbi shqiptarët katolikë dhe muslimanë që ata të konvertoheshin pravosllavë. Hapi tjetër i konvertimit të këtyre pravosllavëve të rinjë në malazezë do të ishte shumë më lehtë. Ky ishte kalkulimi i Cetinës. Zgjerimi territorial i Malit të Zi kishte rëndësi të madhe për të. Me Shkodrën dhe Rrafshin e Dukagjinit ai fitonte gjëra me vlerë, fuste brenda kufijve të tij një qendër të madhe historike e kulturore dhe një territor fushor pjellor që i siguronte bukën. Monarkia shkëmbore ballkanike ishte shumë e motivuar për këtë luftë. Por puna ishte se këto vise banoheshin nga shqiptarët dhe jo nga malazezët. Por nacionalizmi jeton nga opsesioni dhe shpërfillja e realitetit. Do t‘i kthenin me forcë shqiptarët në pravosllavë dhe pastaj në sllavë, në malazezë. Duke qenë se shumica e shqiptarëve ishin muslimanë, ata nuk parashikonin ndonjë reagim të fortë të Europës. Mirëpo synimet e Malit të Zi ishin rrënjësore dhe ata bën gabimin e madh: kthimin në pravosllavë e zgjeruan edhe mbi popullsinë shqiptare të besimit katolikë. Mendoj se Rusia dhe Serbia e shtynë në këtë aventurë politike shtetin më të vogël të Aleancës. Katolikët ishin pakicë mes shqiptarëve, por një pakicë domethënëse, simbolike. Kështu Aleanca e provokonte Perandorinë Austro-Hungareze, duke ia matur pulsin asaj. Nëse ajo nuk do të reagonte, do të vritej „serbofobi“ dom Lazër Mjeda. Me 7 mars 1913 në Janosh e vranë fratin Luigj Palaj, jo me plumba, por me bajoneta. Për këtë vrasje ekzistojnë të dhëna të sakta. At Shtjefën Gjeçovi, siç e thamë më parë, ka lënë një dëshmi të detajuar për vrasjen e At Luigj Palajt. Krahas këtij dokumenti ekziston edhe një dokument ndërkombëtar: raporti për Vatikanim i kryeipeshkvit të Shkupit dom Lazër Mjeda, i cili duhet të jetë studiuar mirë para se të shpallej i lumtur Atë Luigj Palaj.
Nën përkujdesjen e Atë Zef Gashit ky raport i kryeipeshkvit të Shkupit dom Lazër Mjeda është botuar para disa viteve nga „Onufri“ në Tiranë. Ndërkaq dorëshkrimi i Atë Shtjefën Gjeçovit prej 108 faqeve ende ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Mendoj se ky vit i lumturimit të Atë Luigj Palajt duhet të merret si shkas për botimin e këtyre dy dëshmive të rëndësishme. Atë Luigj Palaj ishte i lindur në Janjevë, dmth. i përket Kosovës, kështu që shteti ynë e ka për detyrim moral që për kujtimin e këtij martiri të tij të bëjë diçka. Më e vogla gjë është botimi i këtij dorëshkrimi. Para do kohësh në publik ka depërtuar edhe nisma për ndërtimin e një kryqi të madh, një nismë pa asnjë dyshim fisnike. Duke qenë se kemi një dëshmor të kryqit, atëherë do të kishte qenë mirë që kjo nismë të kthehet në një nismë gjithpopullore për ndërtimin e një kishe të madhe në kujtim të këtij dëshmori. Muslimanët shqiptarë kështu do të nderonin njërin nga shpëtimtarëve të tyre. Misioni i Atë Luigj Palajt filloi në vitin 1913, por nuk mbaroi atë vit.
Ende në shekullin XXI ka shkrimtarë serbë si Dobrica Qosić që thonë se „Kosoven nuk mund te themi se eshte e jona derisa aty do të jetojë qoftë edhe një shqiptar katolik. Vetëm kur ta vrasim, largojmë, asimilojmë ose konvertojmë katolikun e fundit, atëherë mund të thojmë se Kosovën e kemi në dorë.“