Në rubrikën Opinion në News 24, ishin të ftuara Elda Vela, botuese e “Mediaprint” dhe Rudina Çupi, shkrimtare për fëmijë dhe botuese. Elda Vela shprehet se në panairin e këtij libri ka pasur pjesëmarrje të lartë.
Ndërsa, Rudina Çupi, shkrimtare për fëmijë dhe botuese deklaroi se prindërit dhe mësuesit janë të interesuar që të kenë botime sa më të zgjedhura për vogëlushët e tyre. Çupi u shpreh se interes ka edhe nga lexues shqiptarë, që jetojnë në diasporë.
Elda Vela, botuese e “Mediaprint”: Në panair kishte shumë pjesëmarrës. Përveç lexuesve besnikë, nuk ka lexues të rinj dhe kjo më shqetëson disi. Duhen falënderuar autorët dhe kontakti me autorin është tepër i rëndësishëm. Më pëlqen që fëmijët e shikojnë autorin, përkthyesin me admirim dhe kjo është diçka e bukur. Letërsi shqiptare për fëmijë ka pasur, ka dhe do të ketë. Shumë prindër e gjyshër kërkojnë Mujin e Halilin, tregimet e vjetra shqiptare, që kanë rrënjë të forta në histori. Më vjen keq që adoleshentët nuk lexojnë shumë. Por, ka raste kur këta adoleshentë, që kishin hequr dorë nga leximi, i kthehen librit në moshën 20 vjeç.
Rudina Çupi, shkrimtare për fëmijë dhe botuese: Ka interes të shtuar për libra nga prindërit për vogëlushët e tyre. Përveç fëmijëve, kemi edhe mjete didaktike. Ne jemi të dedikuar vetëm për libra për fëmijët. Unë duhet të drejtoj fëmijët tek librat, sepse librat duhet që të merren sipas moshës. Prsh legjendat mund të merren nga mosha 9 vjeç e lart. Fëmijët janë të kënaqur me botimet. Ideja është që të mos lexojmë libra, por të “konsumojmë” libra. Nuk kam përtuar asnjëherë që fëmijët të zgjedhin ata libra, që janë te nevojshme për ta. Njerëzit janë afruar me leximin. Në panair kishte edhe shqiptarë nga diaspora.