Suadela Balliu për librin “Muri i Heshtjes”: Kronikë Ballkanase e Gani Mehmetaj

Kultura

Suadela Balliu për librin “Muri i Heshtjes”: Kronikë Ballkanase e Gani Mehmetaj

Suadela Balliu Nga Suadela Balliu Më 18 nëntor 2024 Në ora: 14:02
Foto ilustrim

Nëse shpirtin e Ballkanit do të donit ta gjenit të mbërthyer në një vend të vetëm, kërkojeni në Kosovë. Gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë. Në cilindo qytet të saj. Do të gjeni pranë e pranë si në një maket të arkitekturës antropologjike, historike e kulturore vendësin me rrënjët qysh kur nuk mbahet mend, kolonin serb të ardhur me valët e luftërave ballkanike dhe në disa valë më vonë me fushatat e politikave të Titos, boshnjakun e shqiptarin e boshnjakëzuar herët gjatë Perandorisë Osmane, hungarezin e Janosh Huniadit, romin e egjiptianin, e deri hebreun e Sabatai Zevit e madje edhe më të hershmin nga koha e Shën Palit.

Ballkani në miniaturë – ai rrugëkalim shekullor perandorish të mëdha –në një mëhallë të vetme, e cila bëhet tokë pjellore kulturash, gjuhësh, religjionesh, historish, luftërash e mitesh. Me një tis mjegulle përrallash e gojëdhënash na i vesh sytë Gani Mehmetaj, në hyrje të këtij romani, dhe na fton të zhytemi në botën e mitologjive të gadishullit dhe në atë të personazheve të ndërtuar brenda narracionit të Realizmit Magjik.

Dragonj e kuçedra, kalorës të besës që enden rrugëve dhe shekujve kryeprerë, ujkonja që mëndin foshnje njeriu e gjarpri i shtëpisë, fantazma, shtriga e magjistrica vijnë e përzihen me realitetin e çdoditshëm të jetës në qytetin pa emër, që gjithaq është i ngritur mbi legjenda, me politikën e vendit dhe me gjeopolitikën.

Secila përrallë përcjell mesazhin e fshehtë për të kuptuar realitetin dhe për të vendosur kodet e sjelljes dhe bashkëjetesës me fqinjin, që ndonëse çatitë, oxhakët dhe avllitë i kanë pranë e pranë i ndan në mes jo kalldrëmi i rrugicave, porse një hon luftërash dhe gjaku. Ky është edhe meraku, jo vetëm letrar i Gani Mehmetaj: të rrëfejë për këdo që kujtesën e ka të shkurtër në vendin e vet, për këdo që periudhën e socializmit të Titos ngase nuk e kanë njohur, e kanë idealizuar dhe lakmuar nga përtej telave me gjemba të kufirit. (E kam dëgjuar shpesh, edhe të nervozohet kur nga këndej kufirit ia relativizojnë të keqen e regjimit të Titos vetëm pse andej komunizmi qe më liberal dhe shqiptarët në Kosovë patën mundësi edhe t’i kalonin kufijtë drejt shteteve perëndimore për emigrim. Ai ka vetëm një përgjigje për ta: Tito ishte kriminel.)

Në të tre romanet botuar me shtëpinë botuese UET Press, autori merr përsipër të rrëfejë historinë e shekullit XX, prej luftërave në Ballkan më 1912- 1913, luftimet dhe pasojat e Luftës së Dytë Botërore, instalimi i regjimit socialist me shtetin federativ jugosllav, shpërbërjen e tij e deri te pasojat tragjike të spastrimit etnik e gjenocidit, që kulmuan me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, marsin e vitit 1999.

Parë krijimtarinë artistike të autorit të njohur edhe si gazetar, publicist, dramaturg e kineast, duket se Mehmetaj ka shumë për të rrëfyer. Dhe e bën atë mjeshtërisht përmes letërsisë. E pikërisht, shkrimtari duket se e gjen strumbullarin e të gjitha fatkeqësive tek ajo bashkëjetesë e brishtë, thuajse e pamundur kulturash në këtë truall të Ballkanit.

Te “Zogjtë e Qyqes”, romani i parë botuar në Shqipëri me të cilin u shpall edhe fitues i Çmimit Letrar Kadare 2021, shkrimtari e rrëfen historinë përmes Draganit, kolonit serb, ardhacak bashkë me familjen që në fëmijëri në një prej valëve të nguljes së kolonëve në Kosovë, me premtimin e një jete më të mirë, por siç thotë ai “si zogjtë e qyqes strehuar në një fole të huaj, natyra i bën ta shkatërrojnë atë”.

Te “Lufta e Pengjeve”, botuar më 2023-shin nga UET Press e vendos fokusin në zgrip të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave të reja për pavarësi të shteteve të federatës. Rrëfyesi dhe dëshmitari nga fronti i betejave është Ilirjan Nikaj, një ushtar i Ushtrisë Jugosllave në ditët e agonisë së saj, ndërsa erërat e ngjarjeve në luftë e shpien në Gjyqin e Hagës.

Te “Muri i Heshtjes”, romani i fundit i tij që keni në duar, Mehmetaj ka bërë një tjetër zgjedhje stilistikore: narratori nuk është më protagonisti, përmes kujtesës së të cilit shpalosen ngjarjet, por është vetë autori.

Megjithatë, edhe në këtë roman shkrimtari e përshtat rrëfimin sipas personazhit. Ngjarjet nisin dhe zhvillohen me sytë dhe mendjen e Gjinit, protagonistit, i cili rritet para syve tanë. Përmes Gjinit dhe rrëfimit të çiltër të fëmijës plot imagjinatë kuptojmë sesi ishte jetesa e vendasve dhe e kolonëve, në të njëjtin qytet e lagje.
Përshkrimi i jetës shkollore, ku vendasit dhe kolonët serbë mësonin në të njëjtën shkollë, por në klasa të papërziera, na bën të kuptojmë atë lloj aparteidi a segregacioni që ushtrohej në Jugosllavinë që pretendonte ideologjinë e vëllazërim-bashkimit.

Të gjithë flisnin për vëllazërim-bashkim,- thotë personazhi i Milenës në libër- por as vëllazëri, as bashkim nuk kishte mes nesh. Nuk mund të merreshim vesh as për një shëtitje të përbashkët shkollore jashtë qytetit. Menjëherë bëheshin ndarjet në mes jush dhe nesh. Por në mes të pengesave dhe ndalesave më të rrepta lindin edhe dashuritë më të mëdha. Ai mur i heshtjes, ai lloj i çuditshëm ballkanas omertà-je, mund të kapërcehet vetëm nga macet e sokakëve dhe dashnorët. Përmes dashurisë së dy të rinjve, Gjinit (protagonistit tonë) dhe Milenës (bashkëprotagonistes nga ana serbe e murit) lexuesi i kupton edhe më mirë ndasitë dhe pamundësinë që dashuri të tilla mes fqinjësh të kenë fund të lumtur ( ndonëse rrëfehet për plot të tilla që i sfiduan kodet shpesh duke i rezervuar vetes edhe fund tragjik).

Kapitull pas kapitulli, si të ishte duke gërmuar tokën dhe nëntokën, autori zhytet thellë në histori, në gjenezë të konflikteve, po aq sa edhe në psiken e personazheve larushanë, të gjithë të ndërtuar me tipare të dallueshme e me leksik personal, që i dallon njërin nga tjetri. Ndërsa shohim Gjinin të rritet, vëmë re sesi mendimet e tij piqen dhe sesi pyetjet bëhen edhe më ekzistenciale e domethënëse: përse ajo armiqësi jo gjithmonë e heshtur e jo gjithmonë thjesht e nënkuptuar mes fqinjëve? Ndjekim me Gjinin demonstratat e para studentore, shohim dhunën policore e atë të milicëve që rastisin të jenë pothuaj të gjithë kolonë, kuptojmë edhe më mirë ndasitë e llogoreve ‘partizanë e ballistë’ prej Luftës së Dytë Botërore që thellon edhe më ndasitë etnike apo i pozicionon ato më tej në jetesën e përbashkët mbi të njëjtin truall (pothuaj asnjëherë bashkëjetesë), mësojmë për pyje Katini, në kodrat e qytetit dhe të vdekurit pa varre e pa emër.

Por autori, ndonëse bëhet fjalë për një trill letrar, tregon maturi në gjuhën e përdorur. Ai nuk akuzon drejtpërdrejt, porse ngre pyetje dhe përcjell atë që shpërndahet si era përmes zërave dhe të thënave. Përmes ndasive kuptojmë simpatitë dhe antipatitë e secilës etni në skenën e madhe gjeopolitike. Jemi të paracaktuar në këtë botë që historia të përsëritë veten dhe nën zhvillimet tragjike të konfliktit në Lindjen e Mesme, Izrael- Palestinë dhe sulmet në Gaza ( por edhe te shtetet përreth tanimë), kuptojmë sesi shteti jugosllav anonte kah Palestina në konfliktet e mëhershme dhe pse shqiptarët vendas shihnin me simpati Izraelin.

Një pjesë e mirë e romanit i kushtohet besimeve fetare, jo thjesht si e drejtë e ushtrimit të tyre në një regjim që ndonëse nuk i ndaloi krejt si në Shqipërinë komuniste i inkurajoi ata që e braktisën, por si një element i fortë identitar. Gërmon nën altarë e kryqe, afreske e liturgji të fshehtat e kyçura, martirë si at Bernardi e Marie Shllaku dhe sjell historinë e laramanëve, pjesë e së cilës është edhe ajo e Gjinit, siç njiheshin kripto-të krishterët e Kosovës. Universi romanor i Gani Mehmetaj është i pasur, i gjallë, dhe personazhet nuk e lënë të bjerë në kurthet e mërzisë. Duke ndjekur nga afër jetën e protagonistit, libri mund fare mirë të kategorizohet edhe si një bildungsroman – ku ndjekim vitet e tij formimit shpirtëror e intelektual.

Romani ndahet në dy pjesë, me Gjinin i cili largohet nga qyteti dhe nga vendi drejt Perëndimit. Largim ky i paralajmëruar qysh herët në faqet e romanit, ku autori ka trajtuar edhe migracionet masive të shqiptarëve drejt Europës për shkaqe sociale-ekonomike, shtyrë edhe nga diskriminimi i politikave të regjimit, ndërsa kolonët janë ata që hezitojnë të ndjekin të njëjtin shembull të emigracionit. Gjini largohet si një djalë në fund të adoleshencës dhe kthehet sakaq burrë i pjekur në qytetin e djegur dhe shkretuar pas ngjarjeve apokaliptike të vitit 1999.

Urë lidhëse mes dy krerëve bëhet romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i shkrimtarit Ismail Kadare. Është pikërisht kjo referencë që bëhet edhe pikëtakimi mes Gjinit dhe Milenës, së dashurës së vjetër me të cilën rasti apo fati, në kuptimin determinist ku gjithçka në univers përfshi edhe vendimet apo veprimet e qenies njerëzore janë të paracaktuara, i vënë sërish pranë njëri-tjetrit.

Ndërsa e sheh dritën e botimit në Shqipëri, në vjeshtën e vitit 2024, ky roman i Gani Mehmetaj vjen edhe si një homazh për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta në korrik të këtij viti. Por, ndërsa Gjenerali i shërben autorit si mjet për lëndën e tij artistike, ku Gjini dhe Milena njëzet vjet më pas e gjejnë veten ( për arsye të ndryshme) pjesë të ekipeve të zbulimit të varreve masive, Gani Mehmetaj si fitues i një vepre në prozë të Çmimit Letrar Kadare, por edhe si admirues i letërsisë së Kadaresë sjell referenca të forta edhe të një tjetër vepre. Tisi mjegullor i Realizmit Magjik që vesh këtë roman, të ndërmend “Kronikë në Gur” të Kadaresë, me qytetin e gurtë, gati magjik në sytë e rrëfimtarit fëmijë, që ndonëse nuk e përmend përshkrimet e zbulojnë se bëhet fjalë për Gjirokastrën.

Në të njëjtën frymë, kjo vepër është edhe një tribut për qytetin e lindjes së autorit. Ndonëse Mehmetaj nuk e përmend emrin e qytetit, lë gjurmë dhe të dhëna që bëhet fjalë për Pejën e tij, me Lumëbardhin, Grykën e Bjeshkës dhe Çarshinë.

Iu kujtua Çarshia e vjetër: një qytezë brenda qytetit, me shitore të renditura si kuti shkrepëse, të mbushura me mallra italiane e franceze të modës e me argjendaritë e famshme vendëse. Kishte qenë zemra e qytetit, ku pulsonte jeta e tregtia. Dikur kishte qenë kopje e qendrave tregtare të Triestes e të Venedikut.

Notat kadareane të “Kronikë në Gur” i gjejmë edhe te dy personazhet më të rëndësishëm të romanit: gjyshja dhe Zoja e Lleshit. Ashtu si tek Kadare me gjyshe Selfixhen, Xhexhon, Kako Pinon, hallë Xhemon e nënëmadhen, edhe te “Muri i Heshtjes” zhvillimet politike të kohës, por edhe analiza e ngjarjeve të së kaluarës dekantohet, përkthehet dhe përcillet përmes plakave. Janë dy plakat, bisedave të së cilave herë pas here u bashkohet edhe Ajkuna e Sanxhakut (shqiptarja e boshnjakëzuar që nuk harroi kurrë të fliste shqipen e vjetër), ato që shërbejnë si kronikane.

Përmes tyre zbërthehet politika e Titos, ndryshimet në qeveri, flijimi i ndonjë ministri që vinte si ogur i keq, rrëfimet që plakat i shtrijnë pas në shekuj. Personazhe të ngjashëm nuk kanë munguar as në romanin “Zogjtë e Qyqes”, me gjyshin e Draganit, i cili është zëri dhe ndërgjegjja e së kaluarës dhe ndarjeve të thella etnike, por edhe motive për krenari nga njëra palë dhe urrejtje të palës tjetër.

Në një kuptim, romani “Muri i Heshtjes” vjen si rrëfimi nga ana tjetër e murit, zbërthyer më parë nga Dragani në “Zogjtë e Qyqes”. Përshkrimet të bëjnë të kuptosh se bëhet fjalë për të njëjtin qytet, ose ndonjë aty pranë në Rrafshin e Dukagjinit. Tashmë detyra për të rrëfyer sesi ka qëndruar e vërteta mes atyre që kurrë nuk u bënë “ne”, por mbetën “ne dhe ju” në atë bashkëjetesë të induktuar prej pushteteve, i takon Gjinit – fqinjit nga ana tjetër e rrugës, nga ana tjetër e historisë që siç shumë të rinj të etnisë së tij nuk ia mohoi zemrës të rrihte përtej murit për vajzën e bukur të kolonisë serbe. Por Gjini nuk është hero. Ai e kupton shpejt se heronjtë i takojnë botës së përrallave. Jeta e vërtetë është e mbushur me njerëz që thjesht kërkojnë të çojnë përpara ekzistencën, shpesh të mërzitshme edhe kur është e mbushur me ëndrra e fantazi si ajo e Gjinit.
Nuk është as antihero. Gjini në të gjithë romanin pjek flegmatizmin, prirjen për t’iu arratisur realitetit kur ky i fundit kërkon vendimmarrje. E braktisi qytetin kur e dashura u largua me trenin e pasdites. Nuk iu kthye atij as kur shumë të tjerë dolën të luftojnë. Me kast, autori e lë personazhin e Gjinit të ngecur, në vend e në kohë, pa përkatësi, të plogësht e apatik. Ai nuk merr pjesë në ngjarje, veçse dëshmon.

Si gazetar ka zbritur në terren, por nuk e ka kaluar kufirin drejt Kosovës. I dëgjon dëshmitë e tmerrit nga bashkatdhetarët, por si një i huaj, i distancuar, por pikërisht për këtë i vyer për të rrëfyer qartë dhe paanshëm. Do të kishte qenë pa dyshim më e lehtë për autorin të ndërtonte një personazh që del të luftojë për ekzistencën e etnisë së tij kundër dorës së egër spastruese e gjenocidale. Por autori nuk e bën atë palë. Nuk e bën as veten palë. Në një libër të tillë rrëfimi neutral është ai që ia shton edhe më shumë peshën dhe e bën lehtësisht të eksportueshëm në terrene të tjera, brenda Ballkanit, por edhe më përtej në Europë, po të kemi parasysh fatin e romanit “Zogjtë e Qyqes” që pa dritën e përkthimit dhe botimin në gjuhën frënge e kroate. Në pjesën e dytë të romanit gjejmë një Milenë të transformuar. Ajo nuk është bukuroshja pa guxim të thyejë rregullat e pashkruara të komunitetit të saj, bija e bindur që do të mbytë në heshtje të shkuarën e fshehtë të të atit si milic me duar të përgjakura. Ajo vjen si një grua e fortë, ndonëse fati me të nuk ishte treguar aspak bujar.

Milena shfaqet si një plakë Nicë, porse jo idhnake, jo e tjetërsuar. Dhimbja, humbja e të birit 18-vjeçar, e ka bërë atë më humane dhe më të vendosur. Përmes dramës së saj arrin të shohë më mirë padrejtësitë që i janë bërë një komuniteti të tërë vendësish, kupton dhe denoncon dhunën e të sajve, i del përballë makinerisë së propagandës e ndonëse është viktimë bën mea culpa. I kërkon shtetit t’i japë fund luftës, t’ua kthejë bijtë dhe të kërkojë varret e atyre që nuk u kthyen. Varret masive, pa emër.
Në këtë rritje të brendshme, është e natyrshme ta shohim Milenën të shkojë për të dëshmuar në Gjyqin e Hagës, një akt guximi i pashembullt ndërsa i kundërvihet shtetit të saj.

Në fund, romani na zhyt përsëri në botën e legjendave dhe përrallave, visoreve të patëdyta të qytetit dhe rrethinave, në një Kosovë ku kolonët kanë kohë që kanë ikur, vendi është i mbushur me ndërkombëtare dhe forca të NATO-s që përpiqen të ruajnë rendin ndërsa shohin përpjekjet për rimëkëmbje. Një Kosovë që përgatit terrenin për një shtet të pavarur multi-etnik, me yjet në flamurin e saj që nënkuptojnë grupimet etnike – shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkalinj e egjiptianë. Por në fund, megjithëse koha shkon rrëfehen të njëjtat legjenda, që e përgatisin lexuesin dhe brezin që do të vijë me paralajmërime se në një truall të nxehtë, të cilin europianët në fillim të shekullit të shkuar e pagëzuan si “fuçi baruti”, mund të ketë ndoshta bashkekzistencë për një kohë, por bashkëjetesa pa shëruar plagët e së shkuarës ende duket e largët...

Ai nisi t’u rrëfente për nënën që erdhi nga anë e anës në kërkim të të birit që ishte zhdukur në luftën e gabuar, në anën armike. Brodhi nëpër gjysmën e gadishullit, por gjurmë nga i biri nuk gjente. Pyeste njerëz, kërkonte fushëbetejat, hapte varre.

Gjini dhe Milena, pavarësisht rrjedhës së jetëve, janë shembulli ( dhe përfaqësues të të gjithë atyre dashurive të përziera që rezistuan), se po ta zhveshësh njeriun nga konstruktet sociale, mbetet vetëm thelbi: njeriu. E njerëzit dashurojnë, qajnë e qeshin njësoj, këtej dhe andej murit.
Njerëz si Gjini e Milena nuk janë si uji dhe vaji, por janë lëndë e përzier ballkanase, në ato troje që siç do t’i thoshte aktivistja serbe Sonja Biserko Virgjil Muçit në librin e tij “Intervistë me Armikun” ...vendet e rajonit kanë qenë pjesë e dy perandorive të mëdha – dhe ky është realiteti ynë.
Me këtë roman të tretë botuar në Shqipëri ( ndonëse autori numëron më shumë se 25 vepra të botuara ) Gani Mehmetaj duket se i vendos të gjitha copëzat e mozaikut të sagës së Ballkanit, si një kronikan që besnik i mbetet vetëm devizës së të vërtetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat