letrarë kanë dy anë. Mendoj se janë të dëmshëm për autorët si vlerësimet dhe lavdërimet e tepërta, ashtu edhe vërejtjet, kritikat, këshillat subjektive. Të parat injektojnë eufori dhe mendjemadhësi, të dytat pasiguri dhe pesimizëm...! Në fund të fundit, një krijim letrar, për më tepër një roman, është punë disa mujore apo edhe disa vjeçare e autorit apo autores, duke përfshirë edhe fazën paraprake të ideimit dhe konstruktimit të tij në mendje...! Ndërsa ne lexuesit dhe kritikët letrarë, me një lexim, përgjithësisht të shpejtë, por edhe qoftë tepër të vëmendshëm, ose e ngremë në qiell, edhe kur meriton të mbetet mes një reje të madhe! Ose e përmbysim me vërejtje, sugjerime, këshilla...thjeshtë personale e jo fort bindëse, sidomos për autorët!?
Pas kësaj paranteze, nuk po zgjatem më e po futem “drejt e në thelë”! Romani “Sonatë e papërfunduar”, i pari i autores Armela Drapi, shpreh të paktën dy mesazhe. Së pari, se është një roman që meriton pa paragjykim e mëdyshje kohë e vëmendje për t’u lexuar, nga faqja e parë deri tek e fundit. Së dyti, se Armela, me këtë roman bën një start apo nisje qartësisht premtuese për t’u ngjitur më lart në të ardhmen, me tituj të rinj në “malin” e romanit. Ky roman mund të jetë edhe i pari, që ka në qendër të subjektit dy familje nga shtresa sociale e biznesmenëve në këtë kohë apo në këto vite, dy anët e jetës së tyre.
Domethënë shkëlqimin, luksin, qejfet pa iu dridhur dora për lekë, euro, dollarë, paund e stërlina si dhe njëherazi dramë-tragjeditë, edhe gremisjen morale, financiare, familjare, sociale...Duke dëshiruar dhe menduar të shkruaj një roman modern për nga ideimi, strukturimi dhe mënyra e rrëfimit, Armela nuk e fillon librin e saj me përshkrime të zgjatura të mjediseve kryesore dhe të historikëve të dy familjeve. Njohja e lexuesve me familjen e Sofisë, njërës nga dy personazhet kryesorë, bëhet qysh në fillim të romanit! Me pak rreshta. por që shprehin bollshëm e bukur. Më pas vazhdohet me prezantimin e familjes së mikut të familjes, biznesmentit Andrea, Laura, Nikol...Pa u zgjatur me përshkrime shumëfaqëshe të ambienteve familjare dhe me të dhëna biografike nga e shkuara e personazheve kryesorë, siç është traditë në qindra romane të autorëve shumë e më pak apo fare pak të njohur, të moçëm e të sotëm, Armela, fillon përqendrimin tek dy personazhet kryesorë, dy shtyllat që mbajnë edhe subjektin e romanit. Pra, tek linja e dashurisë plot lirizëm dhe poetizëm e me një fund të palumtur apo tragjik mes Sofisë dhe Nikol.
Edhe pse nuk kanë dramën e çiftit të famshëm Romeo e Zhulieta, motivin që i çoi në tragjedi dhe janë larg tyre për nga koha rreth 625 vjet, përsëri dashuria e tyre, sidomos për nga përmbyllja, të kujton pjesërisht fatin e çiftit shekspirian! Romani, falë lirshmërisë dhe modernitetit të Armelës për strukturimin e tij, për mënyrën e rrëfimit me detaje të kursyer, por shprehës dhe karakterizues, të rrëmben dhe mban peng për nga dramaticiteti dhe emocionet deri në fund. Poetizmi i dashurisë së Sofisë me Nikol përforcohet edhe me vjershën e bukur dhe meditative të Sofisë, “KOHA S’MUNDET PAS ME U KTHY”ndërkallur jo si mish i huaj në këtë roman...Sipas gjykimit të tij kjo vjershë përforcon synimin e Armelës për të mos mbetur thjeshtë një rrëfyese e serialeve dramatiko-tragjike në dy familje biznesmenësh shqiptarë bashkëkohorë, por edhe për të bërë një analizë artistike e psikoanalitike, me sens mase, për shkaqet dhe faktorët e tragjedive në gjirin e tyre...
Kjo vjershë sikur paralajmëron artistikisht edhe fatin e kësaj dashurie. Romani “Një sonatë e papërfunduar” ka përfituar si strukturim, rrëfim dhe për nga emocionet edhe nga dialogët koncizë, por të rrjedhshëm e të ngarkuar me sens mase me mendim dhe dramë, në më të shumtën e rasteve përtej subjektive e individuale, por sociale e të kohës, në Shqipëri e përtej saj. Gjithashtu, nëpërmjet një rrëfimi me gjuhë të pasur dhe me përshkrime dhe detaje shprehëse dhe individualizuese, Armela u jep lexuesve një pasqyrë të qartë të realitetit shqiptar të këtyre viteve gjase demokraci e gjase kapitalizëm. Në të njëjtën kohë na bën edhe të qeshim, edhe të ndjejmë keqardhje me paradokset, deformimet, tjetërsimet e sistemit, të njerëzve, mentaliteteve, tradicionit....Këto e bëjnë këtë roman të shikohet dhe përjetohet edhe si një copëz jete apo film...
Kjo formë e të shkruarit ndihmon Armelën të përçojë mesazhe të fuqishme dhe të bëjë nëpërmjet romanit të saj një kritikë të thellë shoqërore, duke i bërë lexuesit e vëmendshëm të reflektojnë mbi vlerat dhe normat njerëzore, individuale, familjare, sociale... Një fragment që shquhet për rrëfim modernist e të zhdërvjelltë, përshkuar nga një rrymë emocionesh sidomos nga Sofi e Nikol është ai i festimit të Vitit të Ri nga të dy familjet. Atë mbrëmje dy të dashuruarit përjetuan prologun e një lidhjeje shpirtërore të fortë e të sinqertë. Me një peshë të ndjeshme emotive dhe cilësi artistike të spikatur, me dozë të ndjeshme poetizmi dhe psikoanalize, është dialogu mes dy zemrave të dashuruara. Nëpërmjet tij autorja na ndihmon t’i njohim më mirë e përfytyrojmë më shumë këta dy personazhe... Po kështu janë përshkruar lirshëm e bukur ditët e udhëtimit të Sofisë e Nikol në Itali, në Romë, Siena, gjatë të cilave çifti përfitoi të njihnin dhe dashuronin edhe më shumë njeri-tjetrin, jo vetëm shpirtërisht.
Por kjo furi emocionesh shteron befas nga aksidenti i familjes së Sofisë gjatë rrugës së kthimit nga Aeroporti “Nënë Tereza” për në shtëpi...Nga ky aksident mbetet i vdekur babai i Sofisë, Danieli. Ndërsa Sofi dhe vëllai, Mateo plagosen... Sofi bie në gjendje kome për një muaj të tërë...Këtë ngjarje e përjeton rëndë me shpirt e zemër edhe Nikol... Pas vdekjes së të atit Sofi bëhet trashëgimtarja e parë e tij dhe drejtuese e kompanisë. Vizioni i saj bashkëkohor ndihmon që kompania të mos e ndjenjë humbjen e Danielit, një biznesmen me horizont, pjekuri e përvojë. Shtrirja dhe pesha e dramaticitetit dhe emocioneve në roman shtohen ndjeshëm me ngjarjet e pakëndshme në familjen e Nikol, pas zbulimit nga i ati të faktit se e shoqja, Laura kishte një lidhje të fshehtë dashurore... Pas kësaj ngjarjeje për Andre fillon periudha e gremisjes shpirtërore, të pijë pa vetëpërmbajtje pije alkolike e drogë..., që do ta shtyjnë edhe në llumin e prostitucionit e të rrënimit financiar...Kurba ngjitëse e dramaticitetit dhe e emocioneve vazhdon në udhëtimin e ri në Itali, me lajmin për shtatzëninë e Sofisë dhe me përgatitjet për ta festuar këtë ngjarje.
Por, në kulmin e gëzimeve e të lumturisë ndodh një tragjedi e re, nga një breshëri plumbash hakmarrës mbi Nikol..., si ndëshkim ndaj të atit të tij, Andresë... Kështu, ky roman modern në tërësinë e tij, që fillon me skena lirike e dashurie, përmbyllet pa happy and, befasisht me një skenë tragjike. Kam bindjen se shumica e lexuesve, mes tyre edhe unë, me 4 romane me funde të ngjashëm si ky, do të dëshironin që autorja e talentuar Armela Drapi të ishte më mëshiruese për dy personazhet kryesorë të romanit të saj, duke mos ua shkatërruar dashurinë...Por, kjo është zgjedhje e zgjidhje e saj si autore. Kështu që më mbetet ta përgëzoj Armelën me bindje dhe sinqeritet për suksesin e arritur me këtë roman, jo voluminoz për nga numri i faqeve, por bollshëm emocionues dhe mbresëlënës! Së fundmi, suksesi i Armelës dhe jehona e interesimi i romanit të saj u shprehën edhe në ditët e Panairit të Librit Tirana 2024, në stendën e Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, ku ishte ndër librat më të kërkuar dhe të blerë!