Në Malmö të Suedisë u bë promovimi i librit” Jeta muzikore në Kosovë- periudha e deinstitucionalizimit (1990-1999)” të autorit Sami Pira

Kultura

Në Malmö të Suedisë u bë promovimi i librit” Jeta muzikore në Kosovë- periudha e deinstitucionalizimit (1990-1999)” të autorit Sami Pira

Më: 19 nëntor 2024 Në ora: 22:46
Kopertina e librit

Gjatë edicionit të Festivalit të 20- jubilar të poezisë dhe muzikës krijuese shqiptare në diasporë, të shtunën, u bë promovimi i librit më të ri të gazetarit dhe kompozitorit Sami Pira, i cili hedh dritë në periudhën më të vështirë, të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, kur Kosovës iu morë me forcë ajo autonomi kulturore nga ana e regjimit të Millosheviqit, duke i mbyllur dhunshëm mjetet e informimit, siç ishin Radio Televizioni i Prishtinës, gazeta “Rilindja”, Produksionin Muzikor dhe radiostacionet rajonale të Kosovës.

Të gjendur para një terri të plotë informativ e kulturor, gazetarët dhe krijuesit e zhanreve të ndryshme të këtyre mediumeve arritën që në masë të madhe të informojnë opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar, nga qendrat e njohura si Brukseli e Zagrebi, si dhe duke vazhduar pastaj nga Tirana dhe Prishtina, me informacione dhe reportazhe për dhunën e represionin e vazhdueshëm dhe politikën gjenocidale të që po bënte aparati shtetëror në krye me kasapin e Ballkanit ndaj popullit shqiptar në përgjithësi dhe kulturës e muzikës sonë në veçanti.

Në mesin e asaj plejade të shkëlqyeshme të gazetarëve dhe reporterëve tonë është edhe Sami Pira, (i cili sonte gjendet në mesin tonë dhe dua të përshëndesim me këtë rast). Samiu, së bashku me kolegët e “Rilindjes”arritën t’a largojnë atë terr informativ e kulturor, që e kishte pllakosur Kosovën, duke e botuar gazetën “Bujku” në Prishtinë, e cila përpos rolit infomativ e kulturor u bë edhe zëdhënse dhe artikuluese e interesave të popullit tonë për liri dhe pavarësi.

Duke shfletuar këtë libër, bien në sy një varg aktivitetesh të regjistruara, si dëshmi e kohës së përpjekjeve për të krijuar një mëvetësi informative e kulturore, jashtë normave dhe rregullave, të cilat i kishte aplikuar sistemi hegjemonist serb. Autori në këtë libër paraqet edhe veprimet jashtinstitucionale, që filluan të prezantohen në formë të kiçit, apo shundit muzikorë, gjatë kësaj dekade, të cilat mjerisht edhe sot e kësaj ditë po favorizohen, duke i ngulfatur dhe duke u zënë vendin vlerave të mirfillta kulturore dhe atyre artistike e sidomos muzikës sonë të bukur shqipe.

Vlen të theksohet s’e ky libër ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm kulturore, apo muzikore, por është një kronikë historike, në të cilën përshkruhet në mënyrë autentike periudha nëntvjeçare e kohës më të vështirë të mbijetesës së identitetit tonë kombëtar, si dhe e ndërgjegjësimit të krijuesit kolektiv, duke mos iu nënshtruar në asnjë mënyrë regjimit totalitar të Beogradit.

Është koha e fundit që edhe institucione relevante t’i ofrojnë lexuesit, sidomos gjeneratave të reja, libra të tillë, në mënyrë që të njihet më për së afërmi me zhvillimet më të rëndësishme të atyre viteve, qoftë në fushën e kulturës, duke u fokusuar me theks të veçantë në lëmin e zhanreve të muzikës, apo edhe në krijimtaritë e ndryshme letrare e artistike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat