Aty, mes viteve '50-të të shekullit të kaluar, IDRIZ SINANI, nga TROPOJA, u vendos familjarisht në fshatin PETOVË të FIERIT. Unë kam lindur dhe, pothuajse, gjysmën e jetës (tani jam 82-vjeç) e kam kaluar në PETOVË. Deri në moshën 16 vjeçare kemi banuar familjarisht atje, dhe mandej, për 25 vjet kam qenë mësues në PETOVË. Aty e kam njohur IDRIZ SINANIN dhe, natyrshëm, edhe familjen e tij. Ishte malësor dhe, sado që jetoi mbi 50 vjet në këtë komunitet myzeqarësh, në punë dhe në jetë manifestoi tiparet e një malësori: i drejtë dhe i ndershëm. Ishte komunist, por kurrë nuk e bëri trupin "urë" ku mbi të të shkelnin njerëz me pozitë në kooperativë ose të dërguar nga rrethi.
Ka kohë që ka ndërruar jetë, por kurrë nuk është vonë për të kujtuar një njeri të ndershëm. Kjo kujtesë bëhet paksa më e veçantë, sepse jo vetëm që ka humbur ndershmëria, por dhe drejtësia.
Kurrë nuk shkruaj për gjëra që nuk i kam parë ose pa i dëgjuar me veshët e mi. Nëse po shkruaj këtë skicë përkujtimore për IDRIZ SINANIN, është sepse ndershmërinë dhe përkushtimin për të mbrojtur të drejtën i kam parë dhe nuk kam se si t’i harroj. Ne, mësuesët, shpesh hanim drekë në mensën e kooperativës. Sado që për mësuesët ishte përcaktuar gjella e zakonshme: fasule, ne i nënshtroheshim këtij "ligji të brendshëm". Në fakt, ky ishte një padrejtësi, sepse për traktoristët shërbehej mish dhe, jashtë çdo dyshimi, mish shërbehej edhe për kuarot e kooperativës: si kryetari, përgjegjësi i sektorit apo sekretari i byros.
Po hanin traktoristët me bërzolla dhe bashkë me ta edhe përgjegjësi i sektorit. Natyrshëm, kuzhinierja e kishte lëshuar dorën andej nga përgjegjësi dhe një traktorist rebel, bërtiti:
Kuzhiniere, nëse do t'i bësh nder përgjegjësit, merrre për drekë në shtëpi, por këtu racionet bëj njëlloj, se njëlloj paguajmë.
Në këtë moment hyri IDRIZ SINANI (u ndodh rastësisht aty) dhe, kur pa pjatën plot të përgjegjësit, shfryu:
Përgjegjës (po qe hileqar, tërë jetën veç ankohej), mos ta ndiej zanin me u ankue se je keq me stomakun. Me gjithë atë bërzollë je tu u mbyt krejt!
Fytyra e "hileqarit" mend u ndez nga "dy sulme" njëherësh, dinak siç qe, i tha kuzhinieres:
Më bën dëm kjo bërzolla, por më bjerë ndonjë gjë tjetër.
Epo mirë, - fola unë, - tani e marr unë këtë bërzollën.
Jo, jo, - bërtiti kuzhinierja, - se e ruaj për dikë tjetër.
Po ku të linte IDRIZI? "Këtë o e ha, Papi (kështu më thërresin ata që më njohin), o po shtrohem dhe e ha vetë."
Deshi, s'deshi, kuzhinierja u dorëzua. Bërzollën e përgjegjësit e hëngra unë.
Por kjo histori nuk mbaron me kaq. Përgjegjësi i "sëmurë" (ia la Idrizi bërzollën në grykë), nuk mund ta përtypte atë ankesën e traktoristit dhe, ngase e kishte dorën e gjatë e të rëndë, ndërhyri tek drejtori i S.M.T. dhe i hoqi traktorin. U ankua traktoristi i pafajshëm, por kush e dëgjonte? Atëherë kërkoi ndihmën e IDRIZ SINANIT. Ky i doli krah, shkoi me të në komitetin e partisë së rrethit dhe jo vetëm kaq, por ua përplasi:
Kam qenë dëshmitar dhe dëshmoi, po qe nevoja me ankuesin do të vete deri në Komitetin Qendror.
U thyen nga këmbëngulja e këtij malësori të ndershëm dhe traktoristit ia kthen traktorin.
IDRIZ SINANI kishte qenë në qytet dhe, kur po kthehej në fshat, bashkë me të shoqen DUSHEN, u takua me mua. Zbrita nga biçikleta (qe një 10-vjeç më i madh se unë) dhe, me politesë, e pyeta:
Hë, Bacë, si ia kalove nga qyteti?
Lene mos e luej, - ma priti me të folmen e tij. - Dhe një mik që e pata, e hupa!
Po përse, BACË? - pyeta.
Ishim ndenjur tek veranda e mikut (i ka shtëpitë e veta), kur "trrak", ia thyen xhamin e penxheres.
Ou, burrë, a ndjeve që ta thyen xhamin? Çohu e ta kapim "hajnin"!
Jo, - më tha, - asht çuni i jem, m'i kërkoi do lekë për kinema dhe nuk ia dhashë...
Çohu, - i thashë Dushes, dhe ika.
Çfarë po e due atë mik që nuk është i zoti me edukuar fëmijët e vet?