S’të vranë ty…

Kultura

S’të vranë ty…

Nga: Nikolin Sh. Lëmezhi Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 10:18
Martin Cani

S’të vranë ty Martin, 

vranë Shqipërinë!

S’të hoqën ty,

hoqën lirinë! 

 

S’të varrosën ty Martin,

varrosën drejtësinë!

Kur mizorisht 

të shuan fëmijërinë.

 

Ç’të qajmë ty Martin?

Qajmë pafajësinë. 

Dhe lutemi që njerëzit 

të njohin Dashurinë. 

 

Familja e ky popull,

për ty s’do të marrin hak.

Se jeta jote e bukur,

s’paguhet me gjak. 

 

Megjithëse kjo humbje

të gjithëve na pikëllon,

besimi yt i pastër,

për falje na mëson. 

 

Martin, vëlla i vogël,

vdekja jote s’shkon kot,

përderisa besojmë

tek i madhi Zot. 

 

Sa të bie dielli

akoma mbi këtë dhé,

Martin, o bir i dashur,

i shenjtë ti je për ne! 

 

S’të vrau Mario, o Martin, 

por e gjithë Shqipëria,

se është një popull,

që po vdes nga padija!

 

Prehu i qetë vogëlush,

se shumë e deshe jetën.

Kush të ka vrarë ty, 

ka vrarë të vërtetën. 

 

Lart nga qielli i kaltër, 

ku tashmë s’ka asnjë re.

Martin, o biri ynë,

lutu ti për ne!

 

Nikolin Sh. Lëmezhi 

Kallmet (Lezhë), më 24. 11. 2024  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat