“Zogjtë e qyqes”, saga e kolonizimit dhe e hegjemonisë serbe në Kosovë

Kultura

“Zogjtë e qyqes”, saga e kolonizimit dhe e hegjemonisë serbe në Kosovë

Nga: Beti Njuma Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 15:49
Beti Njuma

Nën mjegullën e një pasditeje fundvjeshte, në stacionin cyt me njerëz, fishkëllima e një lokomotive njofton nisjen, teksa qyteti K zhduket dhe duart përshëndetëse që zgjaten nga platforma, do t’i ndjekin gjatë të larguarit nëpër ëndrra. Treni zien nga ethet e familjeve kolone që janë nisur drejt tokave në Fushë Kosovë. E panjohura i frikëson dhe tundon. Në sy u shihet varfëria por edhe babëzia për tokat e reja. Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar dhe Jugosllavia është tashmë një federatë e përbërë prej gjashtë republikash dhe dy krahina autonome, Kosova e Vojvodina.

Pasi shpalli në 16 mars 1945 “Dekretin e përkohshëm” që ndalonte kthimin e kolonëve sllavë në tokat e tyre në Kosovë, Tito ndryshoi krejtësisht mendje dy javë më pas, duke vendosur që të gjithë kolonët të ktheheshin. Pikërisht këtu merr udhë historia e romanit “Zogjtë e qyqes” i shkrimtarit Gani Mehmetaj, që me mjeshtërinë e rrëfimit, artin e evokimit dhe shijen e ndjenjës përshkruan sagën thuajse 45 vjeçare të kolonizimit dhe hegjemonisë serbe në Kosovë, përmes ndryshimit radikal të strukturës etnike të popullsisë me dhunë. Është kurba e marrëdhënieve të pamundura, e bashkëjetesës së përgjakshme mes serbëve dhe shqiptarëve, e moskuptimit, e luftës, e urrejtjes mes tyre por edhe e dashurisë së destinuar të ish fatkeqe.

Kjo histori makthi dhe mbijetese vjen përmes kësaj proze me një temë jo shumë të rrahur në letrat shqipe. Edhe pse e trajtuar nga autorë si Rexhep Qosja, Ramiz Kelmendi apo Rexhep Hoti, ende mbetet e panjohur ndër shumë lexues. Mehmetaj ka zgjedhur që rrëfimtari i luftës që kurrë s’arriti të kthehet në paqe të jetë koloni serb, Dragani. Përmes tij shpaloset fati i familjes serbe si vatra e ngjizjes së nacionalizmit të verbër, të ushqyer nga politika dhe propaganda e pashoqe në Federatën Jugosllave, deri në shpërbërjen e saj. Diskursi për Kosovën që rinovohet periodikisht është çelësi për të kuptuar diktatin ideologjik dhe policor që synonte asgjësimin e shqiptarëve. E nëse Noel Malkolm vëren se “vitet e Titos kujtohen me një butësi të trëndafiltë, paçka se politika e tij ka nevojë për një analizë të thellë”, këtë sintezë analitike e ka bërë në mënyrë të letrarizuar shkrimtari Mehmetaj. Sepse për diktaturën titiste s’duhe të ketë më asnjë keqkuptim! 

Image
Libri

Ngjarjet e romanit nisin me shpërnguljen e valës së dytë të kolonëve drejt qytetit të panjohur në tokën kosovare, mes “detit të shqiptarëve” ku lufta ka mbjellë djegie, rrënim e hasmëri. Me premtimin për shtëpi dhe toka të reja, familjet e qindra milicëve dhe nëpunësve të shtetit të ri vendosen në truallin e huaj që gjithmonë e kanë lakmuar teksa e kaluara u rri pezull mbi krye. Hendeku që i ndan, gjithashtu. “Kolonë të futur pykë në mesin e shqiptarëve. Kolonë të ardhur me furi, të gatshëm të shkelin mbi këdo që u del përpara, të bindur se e drejta e të fortit është në anën e tyre.” 

Letërsia ka depërtuar thellë aty ku politika s’ka shkuar dot kurrë, në zemër të dramës së kosovarëve dhe serbëve të mbrujtur me urrejtje. Kjo vepër është autopsia e dhunës ndaj shqiptarëve dhe pafuqishmëria e asaj pjese të papërfillshme serbe për t’iu kundërvënë, për të mbajtur qëndrim e për të mos iu nënshtruar. Ky është romani i fateve ballkanike, ku marrëdhëniet ndëretnike shndërrohen në teatër të përgjakshëm. Sepse kombet e vogla, siç shkruan Azem Shkreli “hyjnë dhe dalin nëpër dyert e tragjedive të mëdha”. 

Në këtë zonë të rrezikshme ka hyrë Gani Mehmetaj për të na kujtuar se “shqiptarët, serbët dhe malazezët, asnjë luftë nuk i bashkoi. Lufta i ndante. Gjithnjë rreshtoheshin në ushtri të ndryshme. Ushtritë që për njërin ishin çlirimtare, për tjetrin ishin pushtuese. Kur plaste lufta, nisnin hakmarrjet, qëroheshin hesapet, shpërthenin mëritë e vjetra, numëroheshin krimet, hapeshin varre të reja. Gjuha krijonte mure, heronjtë i armiqësonin. Ai që ishte hero për njërin, ishte vrasës për tjetrin.”

Me sytë e një fëmije, të riu e mandej burri, heroi i këtij romani, Dragani kupton të vërtetën e historisë që gjithmonë është manipuluar dhe se si kolonët përdoren si instrumente të një politike shoviniste, gjenocidale; “shteti na dërgoi si ushejza ť'ua thithnim energjinë e jetën vendësve, ndërsa thithëm jetën tonë. Ne e vuanim dështimin tonë dhe dështimin e tyre, ndërkaq, atyre që na dërguan nuk u bëhej vonë. Kolonët si puna e babës dhe e gjyshit tim, ishin viktima të shtetit; me ndihmën tonë donin ta popullonin vendin, t'ia ndryshonin konfiguracionin etnik. I përtypëm me dekada, por nuk i kapërdimë. I përgjysmuam, por nuk i zhdukëm. I lamë as të gjallë, as të vdekur”. 

Dhe si një vrojtues i ngathët, pa pasur mundësi të ndikojë tek ngjarjet, Dragani rreket të kapë urrejtjen por ajo i rrëshqet rrugicave të pluhurosura apo në fushën e futbollit, e vetmja që i bashkon fëmijët e të gjitha etnive. E kur nuk luajnë futboll, sekush jeton i mbyllur në geto, armik i betuar gjer në vdekje me shqiptarët. 

Kureshtja për njerëzit jashtë kolonisë nuk e lë të qetë Draganin. Pse disa flisnin si ata e të tjerët jo? Pse nuk e flisnin të gjithë një gjuhë?! Ndoshta do të kuptoheshin më mirë, nuk do të ziheshin mes tyre dhe nuk do ta urrenin njëri-tjetrin…

Romani shpalos kësisoj dy botë të ndryshme, që i dallon gjithçka: gjuha, mentaliteti, librat, muzika por mbi të gjitha, GJAKU.

Me naivitetin e një fëmije Dragani nuk e di pse janë të ngatërruara marrëdhëniet e të rriturve, çfarë është ky këtë mozaik etnish, hendeku mes tyre, ndarja në “ne” dhe “ata”, në “shka” dhe “shiptar”, sekush mbështjellë në gëzhojën e vet. 

Por dora-dorës që piqet kupton se si “bashkëjeton” ky komunitet shumëngjyrësh i ndarë në serbë, kroatë (apo ustashë), malazezë, bullgarë, boshnjakë, madje edhe hebrenj e hungarezë, dhe në fund më të nëpërkëmburit e të gjithëve, ata që historikisht i kanë quajtur “jevgj”. Ndaj këtyre të fundit të gjithë sillen me përbuzje, madje edhe shqiptarët.

“Urrejtja ishte ushqimi ynë shpirtëror. Urrejtja ngrihej e fashitej, varësisht kush i frynte zjarrit dhe kujt i duhej. Urrejtja na gërryente si thartira lukthin, na i përvëlonte rropullitë, na futej në gjak. Në këtë verbëri urrejtjeje të heshtur, secili ishte i bindur se kishte të drejtë, të tjerët ishin gabim. Shqiptari e urrente serbin dhe malazezin, dhe ishte i sigurt se ka të drejtë. Serbi e urrente shqiptarin dhe boshnjakun, ndërsa malazezi i urrente të gjithë, por ishte figurant i serbit. Boshnjakun nuk e donte as shqiptari, por nuk e urrente; më dukej sikur kishin një hatërmbetje. Boshnjaku ndihej keq para shqiptarit, një ndjenjë faji që i përshkonte këto marrëdhënie.”

Dhe kjo ndarje përçohet brez pas brezi, pa u ndalur, nga të mëdhenjtë tek fëmijët: “Ata na urrejnë, vetëm çastin presin, - dëgjon shpesh gjyshin Dragani, një ish komandant serb që shqiptarët i ka ndjekur shkrepave. Kurrë nuk i shqitej nga kujtesa rrëfimi i tij se si malësorët e vranë kapitenin polak edhe pse fjalët e tij nuk përputhen asnjëherë me atë që ai përjeton. Secili nga kolonët e moçëm ndjen detyrim të tregojë copëra nga e kaluara, si fqinjët Ratko e Radosh, apo malazezi Jagosh. Ky i fundit kujton me lehtësi të habitshme luftimet kundër malësorëve shqiptarë dhe trofetë e të vrarëve pasi u kanë marrë shpirtin: “Trimëri quhej të sillje një strajcë me sy të nxjerrë nga kafkat e tyre, një thes me koka të squllura nga gjaku, që i shkëputje nga stiva e të vrarëve.”Dragani ende dëgjon kërcënimet e serbëve ndaj njëri-tjetrit: “Do të të ther në fyt si të ishe shqiptar!”

Po shqiptarët si e mësonin historinë? - pyet ndërgjegjja e fëmijës që diç ka nisur të kuptojë. Sepse në librat e shkollës nuk flitet askund për masakrën e Bihorit dhe të çetnikëve të Pavle Gjurishiqit, për aksionet e UDB-së për shartimet e grave serbe me burrat shqiptarë, për vrasjet në kufi, për aventurat e ministrit Rankoviq… Një kuti pandore që u qëndron kërcënueshëm mbi kokë.

Nëna Jovanka, infermiere në gjinekologji mblidhet çdo mbrëmje me gratë e kolonëve ku në llurbën e thashethemeve të Milevës dhe Zoricës, ka vend edhe për një brengë: Gratë e shqiptarëve lindin shumë… dhe citon mjekun famëkeq Bulatoviq se “lehonat shqiptare pjellin si dosat” ndaj aplikon ndaj tyre në fshehtësi sterilizimin. Mjerisht nuk është një rast i veçuar. Çdo qytet ka Bulatoviqin e vet që grave u heq mitrën e burrat i tredh gjatë torturave.

Me gjuhë të bukur e të rrjedhshme, autori zbërthen shtresa e nënshtresa brenda një areali me kaq shumë histori. Vërtetësia njerëzore prek çdo ind e depërton edhe në botën e familjeve brenda kolonisë. Gra e fëmijë që presin në ankth t’u kthehen nga puna bashkëshortët e baballarët, milicë të dhunshëm që shuajnë kryengritjet e shqiptarëve. Ashtu si gjyshërit dikur. Historia përsëritet, asnjëherë si farsë, gjithmonë si tragjedi. Ashtu si i ati i Draganit, duart e të cilit janë lyer me gjak. Gjak “shiptari”. 

“Kush është babi im?” pyet shpesh veten teksa milici i heshtur Slobodan kthehet vonë nga puna, me sy të enjtur e ndonjëherë me kapotë të përgjakur. Sepse “ata kurrë nuk dorëzohen” siç i buçasin në vesh fjalët e milicit tjetër, fqinjit Zvonko. E kur në 1966 Plaku Tito vendos se në vijën e Partisë janë bërë “gabime”, (kupto të vrarë e të burgosur), dhe godet linjën e ashpër antishqiptare të Ministrit Rankoviq, babai ashtu si Ledi Maktbeth, nis të përndiqet nga fantazmat e bie në depresion. “Kemi bërë gjëra që mund të na ndëshkojnë”-pohon ai, por më shumë se sa brejtja e ndërgjegjes e brengos ndëshkimi. Për torturat ndaj shqiptarëve justifikohet se vetëm zbatonin urdhrat e eprorëve.

Kjo botë që për të rriturit është bardhezi, shpaloset me tërë larushinë e saj tek fëmijët. Jo vetëm fusha e futbollit por edhe një miqësi e ngrohtë e lidh Draganin me bashkëmoshatarin Dukagjin, çka vë në pikëpyetje tërë narrativën kundër shqiptarëve. Miku i flet për gjyshin që ia morën serbët dhe kurrë s’e kthyen, ngjarje që i ndërmend se në tre brezni të shkuara asgjë s’ka ndryshuar. Janë këto ballafaqime me një tjetër të vërtetë ato që vënë në dyshim kredon e personazhit, perceptimin mbi realitetin dhe pikënisjen e metamorfozës, sidoqoftë të pamjaftueshme. Dukagjini, jeta e të cilit ka një trajektore krejt tjetër, shkrimtar, intelektual dhe atdhetar, vihet nën shënjestrën e UDB-së, përballet me dhunën e pushtetit, duke të kujtuar Xhezairin tragjik tek “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. arrestohet e burgoset duke u shpërfaqur gjatë gjithë shtrirjes së romanit si një alterego e heroit serb, antipodi i tij, ana tjetër e medaljes ndonëse mbetet në hije dhe jo plotësisht i zhvilluar si personazh.

Nga ana tjetër, edhe dashuria një ndjenjë e rrallë mes kolonëve, përflitet me ligësi dhe përdhoset me egërsi kur i kalon kufijtë e komunitetit. Kësisoj mbytet pa dalë kurrë në sipërfaqe ndjenja për shqiptaren e bukur Vjollca! Dragani tregohet konformist, dashurohet me sllaven Neda, lidh jetën me Petrinjën pa dalë kurrë nga zona e rehatisë. Krejt ndryshe nga motra e tij, Jadranka që shkel kufirin e vënë dhe i kundërvihet paragjykimeve. Ajo martohet me një shqiptar dhe ikën larg, aty ku nuk e arrin dot mendësia provinciale dhe armiqësore për martesat e përziera. I njëjti mentalitet që shkatërron martesën e Dukagjinit me serben e bukur Nada. 

Vitet kalojnë, komunizmi mbahet në këmbë me të njëjtin mekanizëm të egër propagande si në Shqipëri, Tito vdes, diktatorë të rinj marrin pushtetin por martirizimi i kosovarëve nuk ndalet. Dragani, tanimë baba i tre fëmijëve zhvendoset në Beograd nga ku sheh si shkërmoqen para syve stereotipet me të cilat është rritur ndërsa spiralja krimeve dhe zhgënjimeve nuk ka të sosur. Ai i vënë përfund nga mungesa e kurajos dhe Serbia nga mungesa e civilizimit e mposhtur nga sindroma e vetëviktimizimit.

Dy shokët “humbasin” për shumë vite, kohë gjatë të cilës Dukagjini bie në burg dhe i vrasin gruan dhe vajzën nga kjo martesë e dytë me një shqiptare. Por miqësia e tyre nuk lëkundet as kur amoku serb përgjak rrugët, as kur shpërthejnë demonstratat  e fuqishme të 1989-ës më të egra se të 1968 dhe 1981. Protestat e përgjakura studentore, greva e Trepçës, djegia e shqiptarëve të ekzekutuar në shkritoret e metalit në Smederevë, të shndërruara në krematorium si ato të holokaustit, vrasjet e rumunëve në kufi, luftërat në Slloveni e Bosnje janë preludi i masakrave ndaj kosovarëve të 1999-ës, nisjes së një lufte të re e të mbrame dhe humbjes përfundimtare të Kosovës! 

Edhe pse e ka braktisur geton e kolonëve, mallkimi i tyre e përndjek edhe në qytetin e ri ku nis të punojë si inxhinier. I huaj në një qytet që s’e pranon. I vijnë ndër mend fjalët e kolegut të babës, milicit Trajko: Na lanë si zogun e qyqes! Kjo metaforë domethënëse që i jep titullin veprës i kujton Draganit qyqen që hedh vezën në çerdhen e huaj. Zogu i saj ushqehet nga shpendi tjetër, por kur forcohet i hedh nga foleja zogjtë e tjerë e në fund, shkatërron edhe folenë që e ka strehuar e ushqyer. Siç kanë bërë edhe serbët me shqiptarët! 

Mbyllet kokulur jeta e Draganit me dhimbjen e pashërueshme për vdekjen e të birit në front kundër shqiptarëve, në luftën e 1999-ës ndërsa vendi ushton nga bombardimet e Nato-s, mbi Jugosllavi. Ai mbetet deri në fund një personazh utopik me pyetjet që e pushtojnë si një vrasje e përjetshme e ndërgjegjes. 

Teksa televizori lajmëron se bashkësia ndërkombëtare ka hartuar një plan për kthimin e kolonëve një dilemë mes shumë syresh e mundon: A do të ballafaqohen serbët me pasojat e krimeve të tyre? E vërteta është se askush nuk kërkoi falje! Koha na e dha përgjigjen dhe historia të drejtën! 

Kam treguar shumë për librin dhe kam lënë ende shumë pa ju rrëfyer, me shpresën se ky shkrim do të jetë një joshje dhe ftesë për lexim. Të vërtetat asnjëherë nuk duhet të harrohen. Ato para së gjithash, kanë nevojë të shkruhen. E ardhmja ka nevojë të mbështetet mbi kujtesën!

 Nga katalogu: 10 vjet çmimi Kadare

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat