Një trashëgimi e përbashkët dhe rruga e kombit shqiptar është përmes profetit Gjergj Kastriotit Skënderbeut - hero i popullit shqiptar

Kultura

Një trashëgimi e përbashkët dhe rruga e kombit shqiptar është përmes profetit Gjergj Kastriotit Skënderbeut - hero i popullit shqiptar

Nga: Luan-Asllan Dibrani Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 12:34
Paja e Skënderbeut në dy versione pikturash në vaj nga vet autori i shkrimit Luan-Asllan Dibrani

Besimi Abrahamik është një trashëgimi e përbashkët për të gjithë njerëzimin. Ky besim ka mbështetur themelet e tri feve kryesore të botës: Judaizmin, Krishterizmin dhe Islamin. Ndërsa secila prej këtyre feve ka zhvilluar rrugën e saj unike, ato gjithsesi ndajnë një burim të përbashkët – besimin e përjetshëm në një Zot të vetëm, i cili ka shpallur mesazhet e tij përmes profetëve të mëdhenj. Të gjithë profetët janë pjesë e linjës abrahamike, dhe në thelb, ata janë të lidhur me trashëgiminë e një populli të lashtë që ka sjellë shumë ndikime në kulturën dhe mendimin njerëzor.

Kjo trashëgimi është e dukshme në studimin e tri librave të shenjta që janë themel i këtyre feve: Tora, Bibla dhe Kurani. Nëse i lexoni me kujdes këto libra, do të vëreni se të gjithë ata vijnë nga burimi i njëjtë, duke pasur si pikënisje për të kuptuar realitetin dhe vlerat e një bote të udhëhequr nga një Zot i vetëm. Për të kuptuar në thelb mesazhin që këto libra sjellin, është e nevojshme të shkojmë më thellë në filozofinë antike, në konceptet dhe ideologjitë që kanë ndikuar fuqishëm në ndërtimin e këtyre mësimeve. Në këtë kuadër, është e domosdoshme të njihni dhe të kuptoni përmbajtjen dhe filozofinë e lashtë të qytetërimeve si Mesopotamia, Babilonia, Persia, Pellazgët, Greqia dhe Egjipti i lashtë.

Një pjesë kyçe e kuptimit të mësimeve abrahamike vjen nga studimi i filozofëve të njohur si Aristoteli, Platon dhe shumë të tjerë. Ata janë burime të rëndësishme që ndihmojnë në shpjegimin e botëkuptimit dhe vlerave të këtyre periudhave. Nëse nuk e keni studiuar Aristotelin dhe Platonin, dhe nëse nuk keni një kuptim të thellë të këtyre filozofëve, mund të jetë e vështirë të kapni thelbin e mesazheve që këto besime ofrojnë.

Image
Luan-Asllan Dibrani

Gjergj Kastrioti, nëpërmjet veprimeve dhe qëndrimeve të tij, ka qenë një udhëheqës i vërtetë, një model për kombin shqiptar dhe një figurë që i ka dhënë më shumë se çdo profet tjetër kombit të tij.

Në këtë kontekst, shqiptarët e sotëm duhet të kenë një lidhje të fortë me simbolin e Gjergj Kastriotit, një figurë që ka shënuar një kthesë të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar dhe në besimin që mbartin. Gjergj Kastrioti, si një hero i popullit shqiptar, ka dhënë një mësim të paçmueshëm për identitetin, besimin dhe unitetin kombëtar. Çdo devijim nga ky simbol dhe nga rruga e tij na dërgon drejt humbjes së identitetit kombëtar dhe na çon në rrezik të antikombëtarizmit të pastër.

Asnjë profet, asnjë udhëheqës tjetër, nuk ka pasur më shumë ndikim dhe vlerë për shqiptarët sesa Gjergj Kastrioti. Jeta e tij, nga fëmijëria dhe ndarja nga prehri i nënës, deri te shkollimi dhe sfidat që ka përballuar në shërbim të atdheut, janë prova të një misioni të fuqishëm dhe të një jete që mund të konsiderohet si profetike. Kastrioti, nëpërmjet veprimeve dhe qëndrimeve të tij, ka qenë një udhëheqës i vërtetë, një model për kombin shqiptar dhe një figurë që i ka dhënë më shumë se çdo profet tjetër kombit të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat