Autoritetet komunale të Prizrenit të martën kanë përuruar ndërtesën e rinovuar të Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha” që njëherësh është edhe selia e Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu”.
Sipas tyre falë këtij investimi janë krijuar kushte më të mira për punën e Teatrit dhe artistëve tjerë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se realizimi i këtij projekti ka marrë pak kohë për shkak të disa peripecive.
“Është dashur që ti harmonizojmë disa gjëra me QRTK-në. Por, tani Shtëpia e Kulturës është një objekt i rëndësishëm për kulturën e qytetit, që ofron mundësi edhe për Teatrin, por edhe për artistët tjerë”, ka thënë Totaj.
Sipas tij, ndërtesa në fjalë është rinovuar me mjetet e Komunës së Prizrenit, meqë autoritetet qendrore përkundër zotimeve të dhëna nuk i kanë përmbushur obligimet në këtë drejtim.
“Pavarësisht kësaj, sot po e rihapim Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, me ç’rast për Teatrin dhe artistët tjerë po ofrojmë hapësira dhe mundësi ku ata munden me kreativitetin e tyre me begatu jetën kulturore në Prizren dhe gjithashtu po japim mesazhin se Prizreni ngadalë po e merr primatin si qendër e kulturës”, ka deklaruar Totaj.
Ndërkaq drejtori i Kulturës, Adem Morina është shprehur i lumtur që përurimi po ndodh në kuadër të festave të nëntorit.
“Ka qenë sfidë ngase ky objekt që përfshin dy institucione, Teatrin e qytetit “Bekim Fehmiu” dhe Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, pas nisjes së punimeve është futur nën mbrojtje, por në bashkëpunim me QRTK-në e kemi finalizuar rinovimin e ndërtesës, duke krijuar kushte më të mira për aktorët dhe artistët tjerë”, është shprehur Morina.
Sipas tij, projekti i rinovimit të kësaj ndërtese kap vlerën prej një milion eurove. Punimet patën nisur në mes të vitit 2022.
Ndërtesa e shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha”, sipas përshkrimeve zyrtare, u takon objekteve të periudhës moderne, respektivisht të viteve ‘50 të shekullit të kaluar, që është ndërtuar me materiale bashkëkohore të periudhës përkatëse.