Bisedë me aktorin Gani Veseli nga Presheva

Kultura

Bisedë me aktorin Gani Veseli nga Presheva

Nga: Sevdail Hyseni Më: 27 nëntor 2024 Në ora: 09:02
Aktori Gani Veseli nga Presheva

Një nga momentet më sfiduese ishte kur u përballëm me ndalimin e filmave tanë. Ishte një moment që më mësoi sa e rëndësishme është të jesh i guximshëm dhe të mos dorëzohesh kurrë. Gjithashtu, mësova se arti mund të jetë një armë e fuqishme kundër padrejtësisë. Forcën e artit përmes ekranit e kemi në filmin “I pabesi”, në të cilin paraqiten ngjarjet para 60 vjet, që shqiptarët kaluan nëpër shumë ditë të zeza dhe mendoj se çdo familje shqiptare është ballafaquar me këto situata, që i kemi paraqitur në film. Jetojmë në një shekull, ku ne shqiptarët duhet të jemi të bashkuar dhe të japim mesazhe të mira qoftë përmes filmit, shfaqjes, politikës etj. sepse kemi aq shumë histori, sa pak jemi duke punuar për ta shprehur përmes ekranit, ashtu siç bëjnë shumë shtete të tjera, në fushën e financimit në filma dhe art në përgjithësi. Thotë, midis tjerash, aktori Gani Veseli.

Çmimi “Aktori më i mirë” për rolin tuaj në shfaqjen “Tre mendje ne ankand” është një vlerësim i madh. Si e përjetuat këtë sukses dhe çfarë domethënie ka për ju ky çmim?

Gani Veseli: Ky çmim është një moment dhe ndjenjë e veçantë dhe një obligim më shumë. Është një vlerësim jo vetëm për punën time, por edhe për ekipin që më mbështeti dhe publikun që na dha energjinë e duhur. Për mua, ky çmim ka qenë një motiv për të punuar edhe më shumë dhe për të dhënë më të mirën në çdo shfaqje.

Në festivalin Teatri shqiptar në Dibër, me shfaqjen“Grafitet”, keni përfaqësuar Luginën e Preshevës, ku rrëmbyet dy çmime, që është një tjetër pikë kulmore për ju dhe teatrin e qytetit të Preshevës. Çfarë mendoni se e bëri këtë shfaqje kaq të veçantë dhe triumfuese?

Gani Veseli: Shfaqja “Grafitet” ka fituar dy çmime unë në rolin e aktorit më të mirë joprotagonist dhe shfaqja më e mirë. “Grafitet” paraqesin një mesazh universal, që lidhet me njerëzimin dhe raportet e tij me moralin dhe lakminë dhe mbijetesën nëpër periudha të ndryshme të pushtetit, gjatë luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit nga ushtria çlirimtare. Kjo shfaqje përfshinë periudhën e luftërave të shqiptarëve se si janë ballafaquar me ata që luftuan dhe ata që punuan për armiqtë. Bashkëpunimi me regjisorin Naser Shatrolli ishte vendimtar, ai solli një vizion, një punë të mirë dhe kishte çdo gjë gjatë provave konkret në mendjen e tij regjisoriale, që preku zemrat e publikut. Për më tepër, përkushtimi i gjithë ekipit ishte ajo që na dërgoi drejt suksesit.

Filmat tuaj, si “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, janë përballur me ndalime dhe akuza nga Gjykata e Lartë në Vranjë. Si ndikon kjo situatë në krijimtarinë tuaj dhe çfarë mesazhi dëshironi të përcillni me këto projekte?

Gani Veseli: Këto ndalime janë dëshmi e fuqisë që arti ka për të ngritur zërin ndaj padrejtësive. Për mua, këto pengesa nuk janë arsye për të ndaluar, por një shtysë për të vazhduar të flas për të vërtetën dhe për të mbrojtur të drejtat tona. Këto filma nuk nxisin urrejtje, përkundrazi, ato synojnë të tregojnë historinë dhe realitetin që shpesh injorohet.

Si e gjeti filmi i ndaluar rrugëtimin e tij deri te artdashësit?

Gani Veseli: Filmi "I pabesi", në regji të Musa Isufit dhe nga unë producent Gani Veseli edhe pse i ndaluar nga organet shtetërore të Serbisë, e gjeti rrugën drejt festivalit, tri net film festival, në Zvicër, ku ka marrë përfaqësimin e Luginës, jashtë kufijve, ku pata rastin para artdashësve të rrëfej për rrugën dhe sakrificën e filmit. Drejtuesit e festivalit tri net film Fest në Zvicër, të gjithë pjesëmarrësit që ishim prezent kemi diskutuar që te kemi një bashkëpunim te ndërsjellë, që ky festival të marrë jehonë dhe të jetë sa më konkurrues në mesin e festivaleve të tjera sepse bashkatdhetarët tanë meritojnë të kenë një aset të tillë siç është ky Festival FILM FEST .

Duke qenë pjesë e skenës artistike në një rajon me sfida të shumta, si e shihni rolin e artit dhe teatrit në avancimin e kulturës dhe në mbrojtjen e identitetit kombëtar?

Gani Veseli: Arti dhe teatri janë forca të mëdha për ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kombëtar. Në Preshevë, ku sfidat janë të shumta, arti është si një dritë që mban të gjallë shpirtin dhe kulturën tonë. Përmes tij, ne tregojmë historinë tonë dhe i përcjellim brezave të rinj vlerat që na mbajnë bashkë.

Cilat janë disa nga projektet ose rolet që ju kanë lënë më shumë mbresa gjatë karrierës suaj? A ka ndonjë rol që ende ëndërroni të luani?

Gani Veseli: Roli i Angusit në shfaqjen “SKICUESI ”, ose Cico tek shfaqja “Jashtë bie borë “ janë padyshim një nga rolet që më ka lënë më shumë mbresa dhe që më kanë dhënë besim në skenë si aktore. Por edhe në filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” kam ndjerë një lidhje të fortë emocionale shkaku se ashtu siç janë filmat kam përjetuar një realitet me këta filma. Sa për ëndrrat, do të më pëlqente të luaja një rol historik, që do të tregonte jetën dhe sfidat e një figure të rëndësishme shqiptare.

A mund të ndani me ne ndonjë moment sfidues ose të veçantë nga karriera juaj që ju ka mësuar diçka të rëndësishme si artist dhe si person?

Gani Veseli: Një nga momentet më sfiduese ishte kur u përballëm me ndalimin e filmave tanë. Ishte një moment që më mësoi sa e rëndësishme është të jesh i guximshëm dhe të mos dorëzohesh kurrë. Gjithashtu, mësova se arti mund të jetë një armë e fuqishme kundër padrejtësisë. Forcën e artit përmes ekranit e kemi në filmin “I pabesi”, në të cilin paraqiten ngjarjet para 60 vjet, që shqiptarët kaluan nëpër shumë ditë të zeza dhe mendoj se çdo familje shqiptare është ballafaquar me këto situata, që i kemi paraqitur në film. Jetojmë në një shekull, ku ne shqiptarët duhet të jemi të bashkuar dhe të japim mesazhe të mira qoftë përmes filmit, shfaqjes, politikës etj. sepse kemi aq shumë histori, sa pak jemi duke punuar për ta shprehur përmes ekranit, ashtu siç bëjnë shumë shtete të tjera, në fushën e financimit në filma dhe art në përgjithësi.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? A po punoni në ndonjë projekt të ri artistik që do të donit të ndanit me publikun?

Gani Veseli: Aktualisht jam duke punuar në një shfaqje të re teatrale, e cila trajton tema që lidhen me jetën e përditshme dhe sfidat sociale. Gjithashtu, kam disa projekte filmike në plan, të cilat shpresoj t’i ndaj së shpejti me publikun. Synimi im është të vazhdoj të sjell art që frymëzon dhe bën ndryshim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat