Për të nderë të 80-vjetorit të çlirimit të atdheut, 112-vjetorit të Pavarësisë dhe 2-vjetorit të themelimit të Shoqatës, BShASh "Zëri i mërgimtarit", me mbështetjen e Komunës Novara, sektori i Kulturës, që drejtohet nga zonja Benedeta Baraggioli, në bashkëpunim me sektorin e Muzeut, me drejtuese znj. Nikoletta Puricelli, më 24 nëntor 2024 organizoi në sallën solemne "Arengo Sotto Museo" të Novarës, takimin solemn historiko-letrar me temë: “Në nderim dhe përkujtim të lirisë". Merrnin pjesë artistë, aktorë, shkrimtarë, poetë, piktorë, skulptorë, recitues, drejtues të Shoqatave Kulturore Artistike, diplomatë, familjarë e të ftuar.
Siç është traditë, veprimtaria filloi me krenarinë e dy shteteve, himin shqiptar dhe himnin italian. E para mirëseardhjen në Novara na e uroi mederatorja e mirënjohur, Etleva Rrapa. Ndërsa me fjalë përshëndetëse u paraqit kryetarja e BShASh "Zëri i mërgimtarit", znj. Trandafile Molla (Baja). Së pari, ajo falenderoi poetët e poeteshat e ardhur nga të gjitha anët e atdheut dhe diasporës: piktorë e skulptorë, muzikantë e instrumentiste, valltarë e këngëtarë; artisten internacionale znj. Aksinje Xhoi, aktorin internacional Antonjo Gjonaj, skulptorin internacional z. Ilirjan Xhixha me bashkëshorten, piktoren znj. Ilira Xhixha; shkrimtaren Angela Kosta dhe fabulisten e fëmijëve me banim në Angli, znj. Alma Mehmeti; poeten Afërdita Podvorica dhe të gjithë bashkatdhetarët, pjesëmarrës të veprimtarisë poetike në nderim të datave historike të kombit tonë. Fjala e kryetares u përqëndrua në festën e flamurit, simbol i nderit, identiteti kombëtar shqiptar, frymëmarrja e çdo atdhetari. Pastaj vijoi me periudhën e LANÇ, e cila nuk mund të kuptohet pa pjesëmarjen dhe forcën madhore të nënave e grave aktiviste shqiptare, pa ndihmën e rinisë shqiptare dhe të pionierëve që mes flakëve të batares, rriteshin e burrëroheshin para kohe.
-Le të dalë nga kjo vatër e ngrohtë, nga kjo ndërtesë antike e hershme, kulturale; -theksoi ajo, -urimi i zjarrtë për atdheun tonë të dashur dhe gjithë popujt: Paqe! Ta gëzosh, Atdhe, 80-vjetorin e lirisë dhe ndër shekuj flamurin kuq e zi! Shqipëri, festofsh gjithmonë e lumtur dhe në qiellin tënd të kaltërt pa ré, të valojë i lirë simboli i flamurit kuq e zi! Në vazhdim jehoi kënga shqiptare, e cila vlerat kombëtare i ngre lart me vargjet:
Për ty Atdhe, ma të bukurën kangë,
me fuqinë e kësaj zemre do të këndoj,
për këto male, për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku sot i lumtur jetoj.
-Kam kënaqësinë t'ju përshëndes në emër të LShK-së, -tha në fjalën e tij gjatë hapjes së Orës poetike "Shqipëri, zemra jonë", prof. dr. Shyqri Galica, ndërsa manifestimit i uroi realizim dinjitoz, i cili u zhvillua me përkushtim dhe shtrirje të gjerë kombëtare e kulturore. Manifestimi i 24 Nëntorit pa dyshim ka rëndësi të veçantë për kombin, sepse këto festa gjithmonë na kanë bashkuar dhe na kanë bërë krenarë për rrjedhat e tyre. Ju shpreh urimet me rastin e festave tona kombëtare dhe uroj pjesëmarrësit që të kalojnë çaste të këndshme me këtë program shumë të pasur artistik.
Në vazhdim z. Galica i njohu të pranishmit me vlerat letraro-artistike të vëllimit me poezi të zgjedhura "Shqipëri, zemra jonë!". Siç shkruan në parathënie publicisti, shkrimtari dhe studiuesi Ndue Dedaj, gjithmonë është bukur kur poetët mblidhen për të shqiptuar para njëri-tjetrit poezitë e tyre, si në një festival muze. Aq më shumë kur kjo ndodh në një vend të huaj, në këtë rast Italia. Edhe në mos paçin poezitë gjithnjë figurshmërinë e duhur artistike, kanë shpirtin shqiptar që vibron në vargje, duke të kujtuar dashurinë e rilindasve tanë të mëdhenj për Shqipërinë. Në këtë kuptim poezia që i kushtohet Atdheut është përherë e freskët, iluminuese, drithëruese. E tillë vjen dhe përmbledhja poetike "Shqipëri, zemra jonë!", me zëra poetikë nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora, ku kemi në emigrim aq shumë poetë. Në këtë botim të BShASh "Zëri i mërgimtarit", mbizotërojnë poezitë kushtuar Atdheut, Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë, Preshevës, Tomorit, Rozafès, Reçakut, Lirisë, Pavarësisë, Skënderbeut, Nënë Terezës, Norës e Shotës, Nolit dhe Çerçiz Topullit, siç janë të ndjera poezitë për poetët martirë Blloshmi e Leka etj, poezi ku rroket gjithë përjetime e përsiatje e djeshmja dhe e sotmja, flamuri dhe heroizmi, stinët dhe motet, vendlindja dhe lapidarët, plisi e guri, lumi dhe deti, qyteti dhe fëmijëria, kitara dhe simfonia, njeriu dhe fjala, gruaja dhe dashuria, amaneti dhe iluzioni. Motivet e atdheut askund nuk gjallijnë më shumë se në këto fletë. Dhe janë aq shumë gra dhe vajza në këtë libër që thurin vargje për atdheun, jetën, dashurinë.
Në sallë u ngjit dibrani Nehat Marku, me banim në Perugia, mësues i gjuhës shqipe, president i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali, kryetar i Shoqatës Atdhetare "Ilirida" në Foligno, i cili me kënaqësinë dhe privilegjin që ndodhej mes poetëve e të pranishmëve të tjerë në sallë, recitoi vargje të shkodranit Vinçens Prendushi, ish-folklorist, poet, publicist e përkthyes.
Pas recitimit të tij plot ndjenja, fjalën e mori z. Myrteza Mara, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve "Petro Marko" Vlorë, i cili u ndjé i nderuar dhe i emocionuar, që ndodhej në këtë veprimatri në nderim të jubileut të tetëdhjetë të çlirimit të Atdheut dhe 112- vjetorit të Festës së Flamurit, ditës së shenjtë të Pavarësisë. Duke falenderuar nismëtarët, veçanërisht znj. e nderuar Trëndafile Molla (Baja) për këtë organizim të përsosur, vazhdoi se të ndërmarrësh nisiativa të tilla është përgjegjësi, është seriozitet që kërkon ide, mbi të gjitha pasion, vizion, punë dhe vetëm punë. Atdheu feston jubileun e 80-të, i cili është gëzimi, keranria e gjithë shqiptarëve, kudo në botë. Me qirinjtë e ndezur, mbi tortën e urimit, me këngë shpirti të gjithë brohorasim: Gëzuar jubileun e çlirimit, atdheu ynë i shtrenjtë!
Ndër të tjera theksoi se Nëntorët tanë janë të kuq si gjaku i dëshmorëve, janë themel historie, sepse më 28 nëntor 1912 u lidh besa e madhe me Plakun e urtë, folozofin dhe mendjendriturin Ismail Qemali. Nëntorët tanë janë diell mbi kështjellën e lavdisë të kombit, ku shqiponja rreh krahët në fluturim.
Në intermexon muzikore me klarinetë instrumentisti Emir Koni interpretoi pjesë të shpirtit dhe të kulturës shqiptare. Veprimtaria vazhdoi me recitime poezish të zgjedhura nga nxënëset e shkollës shqipe "Ardhmëria" Rijalda Sadiku dhe Rijana Humolli, me urimin: "E gëzofshim Pavarësinë gjithmonë me një gjuhë e një flamurë!"
Poeti Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit letrar "Pjetër Budi" Mat, gjatë fjalës së tij tha se në historinë e popullit tonë ngjarjet më të mëdha kanë ndodhur në nëntor. Historikisht, më 28 nëntor 1443 Gjergji i Gjon Kastriotit ngriti në bedenat e Krujës flamurin e kuq me shkabë dykrenore, duke ligjëruar fjalët simbolike: "Lirinë nuk e solla unë, atë e gjeta mes jush"... Kaluan 469 vjet robëri dhe errësirë osmane, derisa më 28 Nëntor 1912 Plaku i Shqipërisë, Ismail Qemali, ngriti në Vlorë flamurin e kuq po me shqiponjë dykrenore, i cili u bë flamuri i kombit tonë të përbashkët dardano-arbëror, i përjetësuar "Nëntori i Dytë". Dhe pas atij viti kaluam dallgë të mëdha, aq sa Konferenca e Londrës e viti 1913 na sakatoi, na mori kryeqendrat Prizren, Dibër, Gjakovë e Strugë, për t'ia kaluar Serbisë. Por pas pushtimit fashist më 7 prill 1939, si popull, arritëm organizimin më të madh mbarë popullor "pa dallim feje, krahine e ideje" dhe më 17 nëntor 1944 çliruam Tiranën, ndërsa më 29 Nëntor të atij viti u arrit çlirimi i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë. Ishin partizanët tanë ata që si komb na radhitën midis fitimtarëve të mëdhenj antifashistë. Një tjetër Nëntor fitimtar erdhi për Shqipërinë, Nëntori IV, 8 Nëntori i vitit 2010, dita kur u vendos që dhe ne shqiptarët të lëvizim lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian, pa vizë e pa pengesa.
Mes emocioneve të shumta moderatorja Etleva Rrapa, e lindur për moderime aktivitetesh të mëdha, siç e cilëson poeti Agim Bajrami, ftoi në skenë një nga gratë më heroike, më humane të popullit shqiptar e kudo në diasporë, znj. Flora Brovina: mjeke, poete, artiste dhe partiote. Pyetjes për një mesazh të saj si mjeke, ajo iu përgjigj:
-Të shërojmë plagët e së kaluarës! Ndërsa si artiste për gjithë shqiptarìnë dha mesazh zemre: "Gruaja shqiptare ka zemër të madhe. Ajo është heroinë"! Pastaj nga krijimtaria e saj poetike recitoi poezinë "Atdheu", kushtuar festës sonë më të madhe, ditës së Flamurit, UÇK-së dhe komandantit Adem Jashari. Mes emocionesh dhe duartrokitjeve znj. Flora Brovina iu dorëzua statuja e qëndresës heroike.
Më pas, zv. kryetari Myftar Gjonbalaj, u ndal në historikun e krijimit të BShASh "Zëri i mërgimtarit", kur shkrimtarë dhe artistë shqiptarë, larg atdheut, më 6 nëntor 2022, me dëshirë themeluan bashkimin e tyre në Novara. Gjatë dy viteve janë zhvilluar veprimtari me promovime librash, ekspozita të artit figurativ, përkujtime të datave historike etj. Për t'u theksuar është botimi i dy përmbledhjeve poetike me poezi të zgjedhura: "Zëri i mërgimtarit" dhe "Shqipëri, zemra jonë". Duke u ndalur në disa nga vlerat e bashkimit të talenteve në poezi dhe art figurativ në pikturë e skulpturë, zv. kryetari tha se, edhe pse në mërgim, atdheun ata e kanë të parë, të pandarë në frymëmarrje, në varg dhe ide.
Me interes u prit fjala e kryetarit të Shtëpisë së Shkrimtarëve Durrës, poetit Agim Bajrami, i cili tha se duke ardhur nga Durrësi në Novara, në përfytyrimet e tyre forcohej mendimi se këtu gjejmë një grupim të fuqishëm shqiptarësh, grupim i mrekullueshëm artistësh, poetësh dhe aktivistësh të çeshtjes sonë kombëtare. Nuk ka gjë më fisnike kur, fëmijëve që lindin përtej bregut, përtej deteve tanë, t'u měkosh çdo ditë gjuhën e bukur shqipe, ku fjala e saj tingëllon me gjuhën e nënës. Me këtë rast ai falenderoi kryetaren Trandafile Molla (Baja), e cila "Zërin e mërgimtarit" e ka thyer në një tribunë të fuqishme ku gjemon fjala dhe mendimi i madh shqip, tribunë ku mblidhen vëllezërit e gjuhës sonë të përbashkët dhe korifejt e gjuhës së bukur poetike. Sipas tij, një nga vlerat më të mëdha të BShASh "Zëri i mërgimtarit" është fakti që, edhe pse larg atdheut, mbetemi si një familje e madhe, që nuk ka burrë të na ndajë. Në mbyllje z. Bajrami përshëndeti auditorin me poezinë "Zemra jonë e përmalluar", e autores Trandafile Molla (Baja). Pastaj në emër të Shtëpisë së Shkrimtarëve Durrës, për vlerat e saj të pakontestueshme, për aktivitetin e saj të palodhur, si dhe për vëllimet e saj poetike, i dha Certifikatë mirënjohjeje me motivacion: "Për vlerat e spikatura letrare, kontributin e rëndësishëm në promovimin dhe përhapjen e zërit dhe kulturës shqiptare në Diasporë".
Të tjera emocione dhuroi takimi në skenë me artistin internacional të kinematografisë shqiptare, aktorin dhe regjisorin z. Anton Gjonaj. Por surprizë e bukur ishte një zonjë e thjeshtë, malësore, Mimozë Kurtulaj, e cila me fjalë të parë tha se ndjehej krenare që është shqiptare. Mes emocionesh ajo tregoi se malësia ka shumë tradita, nga të cilat veçoi xhubletën, veshje për nënat dhe gratë malësore.
Një mik i shtrenjtë nga trojet kosovare, i mbijetuari i luftës së Kosovës, gazetar, aktivist, maratonomak, sfidues i majave të maleve, Maxhun Smalji, u ngjit në skenë.
-Shumë prej jush, -u shpreh i emocionuar, -syri, zemra dhe mendja ime ju ka kërkuar, ndaj gëzohem që ju shoh këtu dhe ju përshëndes një nga një.
Në vazhdim moderatorja ftoi në skenë poetët e pranishëm: Fatmir Neli, Eda Miri, Bajrush Hazizi, Vladimir Muça, Fali Ndreka, Raffaele Iacaruso, Lumo Kolleshi, të cilët recituan poezi të zgjedhura nga krijimtaria e tyre. Ndërkohë poeti Fatmir Neli emocionet e sallës i zhvendosi në Mat, në vendlindjen e Pjetër Budit, aty ku ushtron veprimtarinë Klubi letrar "Pjetër Budi". Për këtë kuvend krijuesish dhe artistësh shqiptarë në të dy brigjet e Adriatikut, në emër të letrorëve të klubit solli përshëndetjet më të ngrohta.
Daljen në skenë për të përshëndetur e kërkoi dhe emigranti martaneshas, Shefqet Jashkuri, me punë e banim në Gjenoa. Por takimi me fabulisten nga Anglia, znj. Alma Mehmeti dhe kënga e vajzës së saj, Sara Kaso, kushtuar gjysheve, ia la radhën vlerësimeve. Për merita në fushën e letërsisë kombëtare shqiptare, të kulturës e të artit shqiptar, për kontributin e dhënë me poezi në vëllimin "Shqipëri, zemra jonë!", në nderim të 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, 112-vjetorit të Pavarësisë dhe 2-vjetorit të themelimit të Shoqatës së BShASh "Zëri i mërgimtarit" ndau Çmimet letrare "Jeronim de Rada", "Ibrahim Kodra", "Aleksandër Moisiu" etj.
Hamdi Hysuka,
Klubi letrar "Pjetër Budi" Mat