Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Kultura

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Adil Fetahu Nga Adil Fetahu Më 30 nëntor 2024 Në ora: 19:04
Kopertina e librit

Njerëzit që duhen mes vete takohen edhe krejt rastësisht. Kjo mund të thuhet edhe për poetët Shefqet Dibrani nga Gërdofci i Llapit (Kosovë), “i ramë” në St.Galen të Zvicrës, dhe Agim Spahiut nga Kolesjani i Kuksit.

“Takimi” dhe njohja e tyre nisi nga një kartolinë që Shefqeti i kishte dërguar Agimit në prag të vitit të ri 1991 (saktësisht më 15 dhjetor 1990). Në atë kartolinë Shefqeti shkruan gati në vargje poetike: “Poetit Agim Spahiu, Kukës, Shqipëri. Edhe pse s’jemi parë kurrë, të njoh përmes vargut poetik”, pastaj vazhdon i prezantohet për veten e tij: “U linda në Llap e po bredhi nepër Europë. Dëshiroj që në Vitin e Ri 1991, të takohemi në Shqipëri apo në Kosovë! Me respekt, Sh. Dibrani”. Kjo kartolinë ishte “kapsulla” që e ndezi epistolarin (letërshkëmbimin) e dendur dhe kulitivimin e miqësisë së përzemërt midis dy poetëve dhe familjeve të tyre.

Në 15-vjetorin e kalimit në amshim të poetit Agim Spahiu, miku i tij i zemrës dhe shpirtit, poeti Shefqet Dibrani, e botoi librin me titull simbolik: “LETRAT E AGIMIT”. Por, në këtë libër monumental për poetin Agim Spahiu, janë botuar edhe letrat e Shefqetit të dërguara Agimit. Letrat janë botuar sipas kronologjisë, krejtësisht në origjinal, e të përcjella me faksimile të postës së dërguar njërit dhe tjetrit. Letërshkëmbimi midis Shefqetit e Agimit ka zgjatur tri vjet, derisa Agimi i ka dhënë fund jetës në këtë botë (14 dhjetor 1993). Por Shefqeti nuk e ka ndërprerë letërshkëmbimin edhe me familjarët e Agimit, me bashkëshorten Zanen, vajzën (poete) Idën dhe djalin Arbërin.

Janë botuar në këtë libër 19 letra të cilat Shefqeti ia ka dërguar Agimi, dhe 7 letra që ua ka dërguar familjarëve të Agimit. Nga ana tjetër, janë 23 letra të cilat Agimi ia ka dërguar Shefqetit. Përmbajtja e letrave, përveç shprehjes së respektit reciprok dhe dashurisë vëllazërore, trajtojnë çështje të lëvizjes kulturore, letrare po edhe politike si në Shqipëri, poashtu edhe në Kosovë. Në to vërehet brenga e poetëve për gjendjen në fushat e përmendura, po edhe optimizmi se gjërat do vijnë duke u përmirësua. Këta i ofrojnë ndihmë të pakursyeshme njeni-tjetrit në përpjekjet për të botuar veprat e tyre poetike.

Të shkruara me stil elegant të poetit, në letrat e shkëmbyera autorët shpërfaqin karakterin dhe pjekurinë e dy poetëve, me mendje të mprehtë dhe intuitë të sigurtë; me një ton nderues ia thonë njeni-tjetrit vërejtjet apo sugjerimet për veprat që po i bënin gati për botim, me qëllimin më të mirë që vepra të del sa më e arrirë. Në këtë shkëmbim, ata i dërgojnë libra njeni-tjetrit dhe botojnë poezitë, cikle poezishë apo përmbledhje sosh në shtëpitë botuese në Kosovë e në Shqipëri,në Zvicër apo gjetkë, përkundër vështirësive të mëdha të gjendjes politike e të sigurisë në Kosovë dhe të gjendjes së varfërisë në vitet e para të demokracisë në Shqipëri, aq sa shtëpitë botuese nuk kishin as letër për botimin e veprave.

Në letërshkëmbimin midis poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu, përmendën emrat e shumë poetëve e shkrimtarëve të njenës apo të palës tjetër, si recenzentë, redaktorë apo botues të mundshëm të veprave që këta i kishin bërë gati për botim.

Nga përmbajtja e letrave të Agimit vërehet zhgënjimi i poetit për situatën në vend. Ai në mënyrë poetike e thotë “Shqipëria është në anën e errët të hënës”! Në letrën që i shkruan Shefqetit më 22 janar 1992, Agimi shprehë zhgënjimin e tij me pushtetin e ri: “Miku im i shtrejtë, në këtë midis kohe, pa qeveri të vërtetë, pa shtet, pa ligj e pa rend, rruga me rrëmujë e rrëmet ka marrë frerët në dorë e po pi edhe pikën e fundit të gjakut që ka mbetë në trupin e tharë të këtij populli të mjerë... Inelektualët janë preja e parë e kësaj lukunie. Është bllokuar shkenca, kultura, arti, shtypi.... Ndaj shkruaj, shkruaj vazhdimisht, mbasi kjo është e vetmja detyrë imja që më ka caktuar kjo tokë e shenjtë, ky Komb fisnik e fatkeq, ky Komb i lindur prej Zotit e i mallkuar prej robit. Po fundja, Shefqet, ky është edhe misioni i çdo njeriu: të bëjë atë që mundet, pa kursyer asgjë, në shërbim të Kombit...”. Në letrën e tij dërguar Agimit, Shefqeti duke ditur situatën e përgjithshme në Kosovë dhe në Shqipëri, ndër të tjera i shkruan: “Jetojmë në një moment kritik, në një kohë që vendoset për fatin tonë, të ekzistojmë apo jo, në një momnt kur nuk mund t’i qëndrojmë larg interesit kombëtar... intelektuali i ndershëm nuk guxon të tërhiqet në një anë, mos të merret me politikën e ditës, e as nuk guxon të mbyllet e të heshtë kundruall matrapazëve e bashibozukëve apo liderëve të ashtuquajtur elitë...”

Përmbajtjet kryesore të letrave të tyre kanë për objektiv botimet e njenit dhe të tjetrit, mundësitë për të botuar nëpër gazeta e revista në Shqipëri, në Kosovë apo jashtë. Në këtë kuptim, nga përmbajtja e letrave shihet se Shefqeti ka bërë më shumë dhe i ka ofruar ndihmën më të madhe Agimit për botimin e librave të tij, madje i ka dërguar edhe letër për t’i botuar ato, pasi shtëpitë botuese nuk kishin letër!

Shefqeti ishte angazhuar me mish e me shpirtë për ta botuar librin e Agimit “NJERIU MBI PIKËLLIMË”, (Pikëllima është mal në vendlindjen e Agimi). Por libri u botua pas vdekjes së autorit, veçse miku i tij ia dërgoi familjes së Agimit më se 50 ekzemplarë, u premtoi se do t’iu dërgojë edhe tjera sa t’iu nevojiten për t’ua dhuruar miqve e dashamirëve të Agimit, dhe kërkoi listën me adresa të personaliteteve të cilëve do t’ua dërgonte drejtpërdrejtë, në Shqipëri, Europë apo në Amerikë. Pas dërgimit të librave, Shefqeti mori letra falënderimi nga disa prej atyre të cilëve ua kishte dërguar librat e Agimit: Visar Zhiti, Ferhat Cakaj, Esati, Shpresa Vreto, Islam Spahiu, Ylfi Selmani, Petrit Palushi, Tonin Çobani, Elmira Mujo, Luan Qeneti, Teodor Laço.

Shefqeti ka vazhduar shkëmbimin e letrave me familjarët e Agimit, e posaçërisht me vajzën e tij poete, Ida, së cilës është shprehur i gatshëm t’i ofrojë gjithëfarë ndihme të nevojshme për botimin e poezive të saj, duke e porositur dhe udhëzuar që ato të jenë sa më të mira, për ta vazhduar traditën e babait të saj.

Vlerësimin e tij mbi shkëmbimin e letrave midis poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu, poeti e shkrimtari Adem Istrefi, e nisë më këto shprehje: “Ka letra e letra. Si këto letra kurrë s’kam lexuar. Këso miqësie poetike ende s’kanë njohur letrat shqipe.... O ju të shtrenjtit e mi, ju vëllezërit e mi më të vegjël! Se si vëlla më të madh desha të më kishit. Se vëllezër janë ndërmjet veti gjithë fisi i poetëve. Dhe kur flas për poetët, flas për poetët. Flas për ata që si ju që letrat i quanit ‘Pëllumba të bardhë’. Dhe përmes këtyre ‘pëllumbave’ u njohët, pa u njohur kurrë më parë, u patë dhe pa u parë. Që të dy nga dy cepa të Dardanisë së sotme, jo asaj të lashtës, shumë të lashtës e shumë të dëgjuarës gjurmëlënëse, se ajo kishte shtrirje tjetër...”. dhe vazhdon me lavëdërime për njenin dhe tjetrin, për miqësinë e tyre të sinqertë e të përzemërt, me shpirtin e tyre të kulluar në shtatë kullojsa.

Në librin “LETRAT E AGIMIT”, autori ka botuar intervistën e gjatë me Agim Spahiun, të zhvilluar më 13 qershor 1992. Intervistën e kishte bërë për revistën “FJALA” (të Prishtinës), me sugjerimin e Milazim Krasniqit, redaktor, por nuk u botua në atë gazetë. Më vonë, një verzion të shkurtuar e botoi “ZËRI” në Prishtinë, dhe pak më të gjërë e botoi revista “REPUBLIKA” në Lublanë, e botuesit Salih Kabashi. Në këtë libër është botuar intervista e plotë, duke i ruajtur të gjitha tiparet shprehëse dhe gjuhësore të poetit Agim Spahiu.

Libri epistolar i Shefqet Dibranit “LETRAT E AGIMIT”, është një monument letrar për poetin Agim Spahiu, ndërsa në përkushtimin e tij autori shkruan: “Këto letra le të mbeten testmanet i gjallë dhe uratë e përhershme për shpirtin e poetit Agim Spahiu”.

Prishtinë, 22 nëntor 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat