Para pak kohësh ka dalë në qarkullim libri i Prof. Dr. Elmas Lecit “Anonimët dhe Nihilistët”, një monografi historiko-letrare me fakte e dokumente që rrokin dy kohë, diktaturën dhe demokracinë, përmes të cilëve fshikullohen fenomenet e poshtërsisë, spiunimit në diktaturë dhe nihilizmit në demokraci.
Artikulli në vijim:
Rrëfim i detyruar për vetveten
Në këtë libër do rrëfej e do të rrëfehem, se çfarë më kurdisën disa, me letra anonime në monizëm dhe çfarë më sajuan, me nihilizma në demokraci. Personazhet në këtë libër, janë jetësorë dhe titullimi i çdo pjese me një epitet, që në vështrimin e parë duken si emërtime spiunësh, nuk janë të tillë, madje as emrat e as synimi im. Vërtet i stigmatizoj “letraxhinjtë” e diktaturës, siç anatemoj edhe “nihilistët” e demokracisë, por pa pasur asnjë qëllim ofendues, qoftë edhe për ata me veprimtari negative ndaj meje.
Monografia flet për dy kohë të ndryshme, për “letraxhinjtë” e komunizmit dhe për “nihilistët” e demokracisë. Të dy palët, që kanë po të njëjtat “gjynahe” ndaj meje, përshkruhen e zbërthehen si njerëz cmiriozë, që u përpoqën me trillime e shpifje të më pengonin në rrugën time. Letraxhinjtë në diktaturë, abuzuan me “çështjen biografike”, ndërsa nihilistët në demokraci, u përpoqën të më mohonin vlerat profesionale. Të dy palët, kanë lënë gjurmë të thella tek unë, madje duke sjellë edhe shqetësime jo të vogla personale e familjare.
Si letraxhinjtë në komunizëm, ashtu edhe mohuesit në demokraci, përshkruhen në faqet e këtij libri me fakte e me ngjarje, e pavarësisht ndonjë personifikimi artistik, ndaj të dy palëve trillues, unë nuk kam e nuk mbaj asnjë lloj mërie, sepse një pjesë e tyre janë bashkëfshatarët e mi (që gjithsesi i dua), ndërsa pjesa tjetër, janë ish bashkëpunëtorët e mi, që pavarësisht sjelljeve mohuese, i respektoj!
Dikur letraxhinjtë e informonin partinë, se kisha "dajën" e arratisur”, e se “babai kishte qenë kundër reformave të pushtetit popullor" etj., dhe me këto, më goditnin fshehurazi e pabesisht. Partia i mbronte dhe ua fshihte emrat e adresat, që vite më vonë gjithsesi dolën dhe unë i mësova të gjitha. Ndërsa, nihilistët e periudhës së demokracisë, në përgjithësi ishin po “ato lloje si letraxhinjtë”, që u përpoqën të sajonin të paqena e të më mohonin vlerat, duke më krijuar probleme, që përsëri i raportonin po te partia tashmë e “re”, me qëllimin që të më hiqnin nga detyrat e nga funksionet.
“Letraxhinj dhe nihilistë”! Mos u mërzisni, edhe në se në këtë monografi, u del emri i plotë apo me iniciale, sepse jemi në kohë transparence e pa censura. Ju keni shkruar kundër meje, me çfarë keni mundur dhe më keni denoncuar padrejtësisht për keq, duke trilluar e shpifur, ndërsa unë me pahir i kam duruar poshtërsitë tuaja. Veçse për ato që keni bërë, në koshiencën time keni mbetur, një imazh i keq. Sa herë iu kujtoj, se çfarë kam hequr me ato që kurdisët, më projektoheni ogurzinj.
Nofka ju kam vënë atyre që më shkruan letra në diktaturë, letraxhinjëve si: “Monstrat” për Abdulla V. e Ramiz S., “Llapaqentë” për Qazim H., Rexhep Z., e Enver R., “Gjuhnepërka” për Xhaferr Sh., “Pafytyrësia” për Bilal T., “Sharlatani” për Xhaferr H., “Shpifdjalli” për Rexhep K., “Mësalla” për Ferik P. Ndërsa disa mohuesve që në demokraci më mohuan punën, në faqet e këti libri i etiketoj: “Dedektivët” për Vaso L., “Sefxholi” për Sefedin Rr., “Komitetasi” për Zabit B., “Verbëria” për Ismail Sh., “Turfulluesi” për Pandeli M., “Tinzari” për Maks B., “Honxhobonxhi” për Fatmir K., “Mosmirnjohsi” për Sandër Ll., etj., stigmatizime, që në fakt më shumë janë shënime identifikuese. Këtu e për këto, jam mbështetur edhe te opinioni, se si i ka stigmatizuar ai disa prej tyre. Me këto nofka, që u kam gjetur personazheve, të cilët më kanë shkruar letra goditëse, (anonime e pa anonime, me emra apo me pseudonime, ose të tjerë që me makinacione janë përpjekur të më mohonin qenien reale dhe vlerat), përmes përshkrimeve të dokumentuara, unë jam përpjekur t’u kthej reston.
Nofkat, që kanë lindur me njeriun, e zbukurojnë sarkazmën. Me to në histori, njeriu i ndershëm ka gjetur mënyrën e komunikimit me të pandershmin. Si mënyrë stigmatizuese, ato janë për njerëzit e skutave e funksionojnë si një mësim edhe për të tjerët, por edhe si një thirrje, që ato lloj njerëzish, të mos merren më me punë të pista. Kështu veçohej negativi në jetën shoqërore , të cilit me nofkat që i vendosnin, opinioni i jepte një dënim të madh moral e në komunitet dhe shoqëri.Në pjesën “anonimë”, autorët janë njerëzit, që sajojnë veç intriga, që bëjnë trillime dhe përgjithësisht thurin pavërtetësi dhe me dashje e qëllim i mtrashin gjërat. Se përse është zgjedhur ky personifikim me nofka, gjithçka lidhet me shtjellimin e ngjarjeve të letraxhinjëve, që më sulmuan egërsisht në ish regjimin komunist.
Letrat e tyre ishin trillime për çështje, që ata i shkruanin instancave të partisë e që i lidhnin me mua dhe për mua, ato letra ishin anonime, si për momentin që i dërgonin letraxhinjtë, ashtu edhe për kohën që përmes tyre organet e partisë e të pushtetit, mua më vunë përpara përgjegjësisë, duke mos mi treguar autorët letraxhinj. Mirpo siç thotë populli, “asgjë nuk rri pa dalë” dhe një ditë anonimët u dekonspiruan e letraxhinjtë dolën me emra e mbiemra. Në forma të ndryshme i mora vesh se cilët ishin ata, i gjeta autorët anonimë dhe tashmë i denoncoj publikisht, si një e keqe e vetë atyre, por edhe i kohës kur i bënë e i trilluan ato pisllëqe. Të gjitha tregojnë jo vetëm politikën e keqe të ish regjimit komunist, por edhe njerëzit e këqij që formoi ai regjim dhe që fatkeqësisht më kanë rrethuar edhe mua.
I mësova emrat dhe poshtërsitë e letraxhinjëve, sepse me çfarëdo "kyçi" që të ishin mbyllur letrat e tyre, e me çdo lloj "zinxhiri" që të ishin lidhur dyert e kartotekave të Sigurimit të Shtetit, asgjë nuk do të mbetej anonime në këtë botë, sepse nuk mund të rrijë e vërteta e mbyllur përgjithmonë. E vërteta i shpërthen dyert e blinduara dhe del një ditë në mejdan, e ti e merr vesh, se cilët kanë qenë armiqtë tuaj. Unë arrita t’i zbuloj disa që në kohën e diktaturtës, por veçanërisht në demokraci, ku ata u dekonspiruan plotësisht, ku çdo bëmë e tyre u bë e njohur, duke dalë të zbuluar para meje, si edhe para qindra e mijëra shqiptarëve të tjerë që e kishin vuajtur si unë. Anonimiteti, ishte një fenomen i kohës abdurde të partisë së punës, i cili nuk mund të justifikohet vetëm me partinë, por edhe me autorët anonimë të diskredituar në opinion, që koha i çoi në koshin e plehrave të historisë njerëzore.
Ndërsa "nihilistët", janë soji siamezë i letraxhinjëve anonimë, janë mohues të vlerave në demokraci. Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, me nihilistë, personifikohen njerëzit, të cilët mohojnë punën e të tjerëve, që duke goditur cilësitë profesionale, i sajojnë tjetrit gjëra të pamerituara. Nihilistët apo mohuesit, mbartin vlera negative, e njëlloj si "letraxhinjtë" në komunizëm, edhe ata në demokraci, në punë e sipër, mua më sajuan jo pak probleme.
Në se në përshkrimet e mia, letraxhinjtë janë njerëz zemërzinj, që mbi bazën e biografisë sajonin e zmadhonin negativen, me qëllim që të godisnin, e mandej nga masat që merrte partia ata kënaqeshin, edhe mohuesit e vlerave, të cilët po me të njëjtat qëllime godisnin, jo vetëm personin, por edhe punën, të pa aftët fitonin e festonin. Të dy palët, i shtjelloj në libër me personazhe konkretë, ashtu siç ishin e ashtu siç i kam njohur. Bëmat e tyre të mbrapshta, i shpalos pa dorashka e gjerësisht dhe do ua këndoj rezymenë, siç e kishin. E veçanta është, se të gjitha bazohen mbi fakte e ngjarje dhe me dokumente, e madje me data e vite.
Do thoni, për ca letra të dikurshme e për ca mohime profesionale, vetëm për kaq dhe ankoheni, pasi siç dihet në Shqipëri ka pasur shumë e më shumë se kaq?! Të tjerë nëpër vite, i kanë hequr nga puna, i kanë internuar, i kanë burgosur madje edhe i kanë ekzekutuar, pa nam e pa nishan. Po! Kjo është e vërtetë, që regjimi i Enver Hoxhës, i ka bërë të gjitha, por në rastin tim konkret, unë flas për "plagët" e mia, sepse ato për mua, kanë qenë stresuese e traumatizuese, të shkaktuara kryesisht nga një pjesë e "njerëzve të mi", apo e bashkëpunëtorëve të afërt, rezultat i politikave të mbrapshta të dy kohëve.
Dikur letraxhinjtë stimuloheshin, sepse regjimi i pëlqente, madje edhe i nxiste, e tregues ishte shprehja e “udhëheqësit të dashur të partisë e të popullit, shokut Enver Hoxha”, se ai “e fillonte ditën e punës, me leximin e letrave nga populli”. Në zbatim të kësaj, njerëzit e këqij nxiteshin kundër njëri-tjetrit dhe i shkruante poshtërsi vëllai për vëllain, tregonte fqinji për fqinjin, informonte bashkëfshatari për bashkëfshatarin, fliste shoku për mikun, spiunonte gruaja për burrin.
Pikërisht për këta lloj sojsëzësh dhe se si vepruan poshtërsisht, do të flas, por këtë herë kam vendosur të shkruaj për vetvehten, për letraxhinjtë “anonimë” e për “nihilistët” mohuesit e vlerave, për trilluesit dhe shpifësit e paskrupullt. Do flas, jo vetëm për autorësinë e njerëzve, por më shumë për fenomenet denigruese.
Ndjesë për mungesën e modestisë, por kurdoherë jam ngritur mbi “anonimët” e biografisë dhe mbi “nihilistët” e punës. Të parët, u përpoqën me shpifje e sajime, të më krijonin probleme shqetësuese. Të dytët, bënë çmos të më mohonin vlerat profesionale. Vite dhe ngjarje, që do i shpalos interesçëm në këtë monografi, si për veten, ashtu edhe në homazh të të shtrenjtës Qano, por edhe si njohje për fëmijët e mi, mandej edhe për ata që mund të kenë kuriozitet të motivuar, apo interes për t’i ditur.
Libri, është i bazuar dhe i ngritur mbi dokumente autentikë shtetërorë e personalë (që gjenden bashkëngjitur), ku ngjarjet janë të ndërthurura natyrshëm edhe me elementë letrar, që njëherësh janë edhe historikë, apo edhe anasjelltas. Që në titullin e kësaj pjese, të cilën e quaj “nofkat”, epitet ky i natyrës letrare, tregon se libri ka të bëjë edhe me lloje njerëzish pa dinjitet, pa njerzillëk, pa norma e pa parime. Epitete stigmatizuese ka kudo e pothuajse në të gjithë titujt e pjesëve të librit, që janë edhe sarkazma, por të vëna me qëllim, si për një lexim të këndshëm, ashtu edhe për një asimilim të plotë. E shtojnë kërshërinë, edhe pjesët e pasura me lloje fjalësh e fjalish të përbëra, që janë edhe pasurim gjuhësor.
Titullimi i çdo pjese, me një epitet stigmatizues, vënë nga një këndvështrim i caktuar, që sipas tipit të personazhit personifikojnë njerëz, janë gjetje, ku shpesh janë edhe brendia e përmbajtjes. Dhe këtë lirshmëri stilistikore në trajtimin e problemeve dhe objeksionit që ka libri, ta jep vetëm ky lloj zhanri i ndërthurur historik me atë letrar. Kjo metodë të shkruari në kohën tonë, është kaq në modë edhe në Perëndim.
Në libër del "uni". Po! Është e vërtetë dhe madje, del fuqishëm. Në rastin konkret, ai është i justifikuar, sepse gjithë jetën, "anonimët dhe nihilistët", çfarë nuk bënë, që të më eliminonin nga skena politike, shoqërore e profesionale. Ndaj ja vlen të jetë kështu, pasi çdo gjë, si në përmbajtje, ashtu në thënie e sintezë, çdo akuzë në denoncim, çdo citim në ngjarje e çdo përmendje emri, bëhet mbi baza dokumentare të mijat e të kundërshtarëve, të rivalëve e të denoncuesve. Dhe në fund të fundit, gjithçka është e dokumentuar dhe e botuar me korrektësi, por edhe faksimile e transkripte, që e njeh dhe e pranon praktika botuese.
Llogaritur me ato që kanë bërë “sojsëzët” ndaj meje, për çdo trillim e sajim apo shpifje, u a kam dhënë reston, duke i shoqëruar të gjitha me dokumentacione, por duke mos marrë përsipër të vërtetën absolute. Këto që shkruaj, fundi i fundit janë kujtimet e mia, që nuk mund të më diktohen! Janë për familjen time e për rrethin tim familjar dhe nuk kanë asnjë qëllim denigrimi për askënd, e asnjë mëri ndaj asnjërit, madje nuk paraqesin asnjë lloj mllefi për personazhet negativë të skanerit tim historik, pavarësisht se ata kanë mbajtur mbi mua, varur shpatën e Demokleut.
Në moshën që jam e për atributet që mbaj, si në fushën e gazetarisë e në atë ushtarake, të historisë e të marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe të akademizmit e të drejtimit institucional, asgjë nuk më motivon, që të kem ndonjë synim personal, d.m.th të kem ego për pozicione përpjetë, pasi me ato unë kam kryer punë, edhe si kohë, edhe si moshë. Por kam vetëm një qëllim, që gjërat të mbesin siç kanë qenë, duke i lënë ato në të shkruarën e tyre pa kthim.