Përmendorja e Gjergj Kastriotit -Skenderbeu në Tuz të Malësisë së Madhe -- mbrojtësit t’atdheut e të qytetrimit europian, në kuadër të 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë

Kultura

Përmendorja e Gjergj Kastriotit -Skenderbeu në Tuz të Malësisë së Madhe -- mbrojtësit t’atdheut e të qytetrimit europian, në kuadër të 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë

Nga: Frank Shkreli Më: 2 dhjetor 2024 Në ora: 21:49
Frank Shkreli

Dy vjet më parë ishte njoftuar nga Kuvendi Komunal i qytetit të Tuzit në Mal të Zi, miratimi i vendimit për të vendosur në Tuz të Malësisë së Madhe, përmendoren e Heroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit -Skenderbeut. Vendimi i para dy viteve nga Komuna e Tuzit u bë realitet ditën e 28 nëntorit, 2024, të Pavarësisë së Shqipërisë.  Shtatorja e Heroit Kombëtar dhe të përgjithmonshmit të shqiptarëve Gjergj Kastriotit -Skenderbe u vendos në qëndër të komunës Tuz, ku morën pjesë qindra qytetarë të Malit të Zi, nga trojet mbarëshqiptare dhe përfaqësues të mërgimtarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi Ali Salaj, korrespondenti i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe në një raport nga Malësia e Madhe.  Me këtë rast, Zëri i Amerikës, citon njërin prej nismëtarëve të vendosjese së shtatores të Heroit Kombëtar në Malësi të Madhe, nënkryetarin aktual të Parlamentit të Malit të Zi, Zotit. Nikollë Camaj, të jetë shprehur se Gjergj Kastrioti do të rrijë krenar përballë Bratilës së Ded Gjon Lulit, ku gërshetohet me përpjekjet e Malësisë ndër shekuj për ta arritur lirinë kombëtare: “Kjo është një ditë e veçantë jo vetëm për Malësinë”, është shprehur Nikollë Camaj, “por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Kemi Gjergj Kastriotin- Skenderbeun përballë Bratilës ku, u ngrit flamuri, për herë të parë, pas vdekjes së kryetrimit të Kombit shqiptar. Është, vërtetë, një gjë e madhe dhe dua të falenderoj çdo njerin që ka vendos qoftë edhe një guralec në këtë projekt madhështorë”, ka thënë Zoti Camaj për Zërin e Amerikës. Ndërsa, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, vuri në dukje se inaugurimi i përmendores në Tuz rithekson vlerat e Gjergj Kastriotit si një udhërrëfyes i kombit shqiptar, krye-hero dhe frymëzimi i qëndresës së tyre.  “Për shqiptarët në Malin e Zi është një ditë shumë e rëndësishme dhe me rëndësi historike për për ta, të cilët rrezikohen nga asimilimi. Simbolika e inagurimit të bustit në Malësi është një shenjë e zhvillimit të shqiptarëve dhe përforcon bashkimin rreth identitetit dhe vlerave kombëtare për të cilët ne jemi krenar”, ka thënë Z. Faik Nika.

Në përurimin e shtatores së Gjergj Kastriotit -Skenderbe në Tuz ishin të pranishëm shumë mërgimtarë shqiptaro-amerikanë të larguar nga ato troje shekullin e kaluar dhe gjatë dekadave të kaluara. Ishin malësorët mërgimtarë të atyre trojeve shekullore, ata të cilët mbuluan financimin dhe shpenzimet për ngitjen e këtij monumenti madhështor mu në sheshin kryesor të Tuzit, në qëndër të Malësisë së Madhe. Për Zërin e Amerikës foli edhe përfaqësuesi i shoqatave të mërgimtarëve në SHBA, Zoti Ndrek Gjolaj. Ishin ato organizata e shoqata të malësorëve që kontribuan për ngritjen e përmendores. Ndrek Gjolaj e cilësoi vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në Tuz, “si një festë të madhe për shqiptarët kudo që janë”, duke uruar: “Gëzuar Malësisë dhe mbarë malësorëve kudo që janë përmendoren e Gjergj Kastriotit që po vendoset sot dhe ta gëzojnë brez pas brezi”, është shprehur për VOA-n shqip, Zoti Gjolaj, kryetar i Shoqatës Malësia e Madhe në Detroit.

Dita e ngritjes së shtatores së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në qëndër të Malësisë së Madhe ishte vërtetë një ditë solemne, jo vetëm për shqiptarët nën Malin e Zi, por për mbarë shqiptarët e “gjakut të shprishur”, pa dallim e kudo që jetojnë, anë e mbanë botës. Përfaqsues të gjithë atyre, atje të mbledhur në Tuz për të nderuar figurën e madhe, të gjitha kohërave, të Heroit legjendar të shqiptarëve. Ishte një ditë që kujton krenarinë e shqiptarëve ndaj një të kaluare të lavdishme të historisë së tyre, por edhe një rast për të qenë shpresëdhënës për të ardhmen e shqiptarëve në ato troje që, për fat të keq, po zbrazen dita ditës, për arsye të politikave anti-shqiptare vendase të udhëhequra nga politikat e koridoreve antishqiptare në Beograd e Moskë.  Por ajo që na shqetëson edhe më shumë në këtë mes, është arroganca zyrtare dhe mungesa e politikave bashkrenduese kombëtare të udhëhequra nga Tirana e Prishtina zyrtare, të pakën për të krijuar sadopak kushtet – politike dhe ekonomike--për shqiptarët që përballen me asimilim -- dhe për të ngadalësuar largimin biblik të shqiptarëve nga trojet e veta – të përmasave që mund të thuhet se nuk ka ndodhur ç’rej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe.

Megjithë këtë klasë politike aktuale të papërgjegjëshme – politikisht dhe kombëtarishit, zhgënjyese dhe arrogante përball krizave kombëtare -- anë e mbanë trojeve shqiptare -- urdhri nga bronzi i shtatores së Gjergj Kastriotit -Skenderbe në Tuz të Malësisë së Madhe që u përurua në Ditën e Madhe të Pavarësisë së Shqipërisë pak ditë më parë, bën thirrje për bashkim. Sepse bashkimi kombëtar, me një mendje e një qëllim -- mbi të gjithë përçarjet dhe ndasitë midis shqiptarëve ishte dhe mbetet sot e përgjithmonë, synimi kryesor i Gjergj Kastriotit për të ardhmen e shqiptarëve, për bashkim. Gjergj Kastrioti në Tuz të Malësisë së Madhe,  “U porosit të rinjve të Shqipërisë: urdhri fillon nga bronzi, afrohuni të rinj dhe shtrëngoni duart fort me të moshuarit, me të moshuarit, për një betim të përbashkët që është nderim për të vdekurit dhe mbrojtje të të gjallëve. Pa këtë takim mes jush dhe të moshuarve, do të kishte një përplasje qytetërimesh. Mos harroni se agimi i së nesërmes do të lindë, sepse agimi i sotëm ka ardhur. Ka vlera të pavdekshme në jetën e njerëzve. Para syve tanë është i gjithë skenari kalimtar në të cilin njerëzimi kryen tragjedinë e madhe të palingjenezës së tij, në të cilën njerëzimi duket se ushqehet me gjak. Në skenën kalimtare, ndër imazhet që mbeten të patundura në dritën e historisë është ajo e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me ëndrrën e tij të madhe për një atdhe të ringjallur, me sytë plot vizione tragjike dhe ogure të paepur. 0 popull i Shqipërisë, bujar! Njerëz të fortë, ju i keni dhënë njerëzimit, një nga heronjtë më të shkëlqyer të të gjitha kohërave… Si atëherë ai fluturon drejt vendit të fëmijërisë së tij të hershme, tokës së ëndrrave të tij shpresat e tij, dhe ai e kthen flamurin e tij në tribunat e Krujës…pranon edhe sot si funksionin e atëhershëm të qytetërimit perëndimor, ai që kishte kuptuar fatet historike të popullit të tij: ai e kuptoi se Shqipëria i përkiste Perëndimit…”.  (Gennaro Cassiani: Orazione (Ligjëratë) – Me rastin e festimeve kastriotjane në 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, Romë, 1968).

Nga Tuzi i Malësisë së Madhe, Gjergj Kastrioti-Skenderbe u bën thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që janë që të mbrohet identiteti kombëtar dhe vlerat pro-perëndimore të shqiptarëve, ashtu siç i mbrojti ai për të pakën një çerek shekulli, 500 e ca vjet më parë – me vizionin, nderin, burrërinë dhe trimërinë e Skenderbeut – simbolit historik të kohezionit evropian dhe pan-shqiptar?!

E kam thenë dhe vazhdoj të them se për shqiptarët sot, vlerat e Gjergj Kastrioi -Skenderbe nuk gjënden as tek Putini e Vuçiqi dhe as tek Erdogani. Popujt që këta pëprfaqsojnë sot, historikisht, kurrë nuk i kanë dashur të mirën Kombit shqiptar. Ashtu është edhe sot. “Udhëheqësit” aktualë të shqiptarëve që pretendojnë “vlerat e përbashkëta” me Perëndimin demokratik, në të vërtetë kanë treguar me sjellje dhe me vepra se, e ndjejnë veten më rehat në shoqërinë e Erdoganit, Vuçiqit dhe Putinit, se sa me vlerat e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skenderbe. Kombi shqiptar nuk ka nevojë të kopjojë vlerat as identitetein e askujt kombëtar. Shqiptarët kanë vlerat dhe identitetion e vet, kanë simbolin e vet përbashkues dhe përfaqsuesin e vërtetë të njohur nga e gjithë bota -- të vlerave perëndimore: Gjergj Kastriotin- Skënderbeun. Shqiptarët nuk kanë nevojë për shëmbëlla liderësh autoritarë, arrogantë që mbjellin vetëm vdekje për popujt e vet dhe për tjerët.

Por me vendosjen e shtatores së Gjergj Katriotit- Skenderbe në Tuz të Malësisë së madhe, malësorët e sotëm kanë zgjedhur rrugën e Skenderbeut dhe të vlerave dhe trashëgimisë së tij, për të gjithë shqiptarët, qoftë në Shqipëri, Kosovë e mbarë trojet tona ashtu edhe në mërgim. Me ndihmën e tyre, të pakën mërgimtarët malësorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po përpiqen, që simbolikisht, të pakën me një monument kushtuar atij, të mbajnë fjalën dhe amanetin e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut: të besës, nderit, bashkimit e të burrënisë, duke kujtuar Kryetrimin, shtet-ndërtuesisn dhe të përgjithmonshmin e shqiptarëve.

Për fat të keq, indiferenca zyrtare shqiptare ndaj figurës dhe vlerave të Gjergj Kastriotit-Skenderbe po kërcënon drejtimin kastriotjan, pro-perëndimor të shqiptarëve, me të cilët çdo shqiptar ka të drejtë të krenohet para botës së qytetëruar kudo që gjëndet fisi i shqiptarit: në trojet shqiptare shekullore e deri në Amerikën e largët. Sot e tutje, Gjergj Kastrioti edhe nga Tuzi i Malësisë së Madhe, ashtu siç bën nga prania e tij në Evropë e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerat e tija pro-perëndimore, Skenderbeu vazhdon t’u tregojë shqiptarëve kudo, rrugën që duhet ndjekur – se Ai duhet të jetë, jo vetëm, simbol i vlerave dhe kohezionit evropian – por edhe një simbol i përgjithëmonshëm i kohezionit, vlerave dhe identitetit kombëtar i mbarë-shqiptarëve, pa dallim!

Frank Shkreli

Image
Image
Image

Shtatorja e Gjergj Kastriotit -Skenderbe në qendër të Tuzit, Malësi e Madhe

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat