Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar, sot u shfaq premiera e filmit të metrazhit të shkurtër "Will you marry me", me regjisor Alban Makolli dhe producent ekzekutiv, Orhan Hajrizi.
Një vajzë e dashuruar me një djalë në karrocë, dashuria e të cilëve fillimisht nuk pranohet nga nëna e vajzës, por më pas gjithçka rregullohet, është tematika mbi të cilën është realizuar ky film.
Me rastin e shfaqjes së kësaj premiere, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se kjo ditë rikujton përgjegjësinë e përbashkët për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku çdo individ gëzon të drejtën dhe mundësinë e barabartë.
Gashi: Të jemi gjithmonë pranë personave me aftësi të kufizuara
“Me këtë premierë që kanë ardhur për nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Më vjen mirë që jemi bashkë dhe në këtë ditë festive. Ndihem i nderuar që në mesin e juaj dhe mundohem që gjithherë të kuptoj edhe botën e gjithë të tjerëve që i kanë disa mangësi. Por, si shoqëri do të rrugëtojmë bashkë dhe do të jem përjetësisht pranë juve”, tha Gashi.
Përfaqësuesi i organizatës “Handikos”, Eljesah Terbunja derisa falënderoi organizatorët për shfaqjen e premierës, tha se kushtet e personave me aftësi të kufizuara janë përmirësuar, por ka ende punë për t’u bërë.
Terbunja: Jemi të kënaqur me shkollimin e fëmijëve me nevoja të veçanta
“3 dhjetori është Dita e Personave me Aftësi të Kufizuara. Në Kosovë festohet që nga viti 1983, e në Obiliq 1994. Sa i përket kushteve të personave me aftësi të kufizuar mund të themi se janë përmirësuar dukshëm, edhe pse ka ende për të punuar. Me mjete ndihmëse ortopedike i mbulojmë të gjithë personat me aftësi të kufizuar, nuk kanë nevojë të shpenzojnë asnjë cent sa i përket këtyre mjeteve…Po ashtu edhe me shkollimin e fëmijëve me nevoja të veçantë jemi të kënaqur, sepse ekziston paralelja e bashkangjitur ku së bashku me kuvendin komunal dhe drejtorinë e Arsimit kemi arritur së bashku të evidentojmë të gjithë fëmijët që kanë nevojë për shkollim”, u shpreh Terbunja.
Ndërkaq, producenti ekzekutiv i filmit “Will you marry me”, Orhan Hajrizi tha se ky projekt është më shumë se një histori dashurie. Ai potencoi se ky film është një testament i mundësive të pafundme që arti ofron për të reflektuar mbi jetën, dashurinë dhe marrëdhëniet ndër-njerëzore.
Hajrizi: Will you marry me, një film më shumë se një histori dashurie
“Ky film është më shumë se një histori dashurie. Është një pasqyrë e thellë e marrëdhënieve ndër-personale, e dilemave që na përcjellim gjatë rrugëtimit tonë të jetës dhe natyrisht e momenteve që na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë është më të vërtetë e rëndësishme. Në qendër të kësaj historie qëndron një pyetje, një propozim që mund të ndryshojë gjithçka. Një moment që përfaqëson më shumë se një akt të thjeshtë, por një vendim që formon të ardhmen tonë…Kjo premierë është një dëshmi e përkushtimit tuaj ndaj mbështetjes së projekteve kulturore dhe krijuese që i japin ngjyrë dhe jetë qytetit të Obiliqit...Ky film është një testament i mundësive të pafundme që arti ofron për të reflektuar mbi jetën, dashurinë dhe marrëdhëniet ndër-njerëzore”, tha Hajrizi.
Rolet kryesore në film i luajnë aktorët Oltion Budakova, Verona Mirena, Anisa Ismajli dhe Xhevdet Doda.