Poezi e pasurisë ideore, tematike dhe figurative

Kultura

Poezi e pasurisë ideore, tematike dhe figurative

Ardian Haziri Nga Ardian Haziri Më 4 dhjetor 2024 Në ora: 23:06
Kopertina e librit

Januz Januzaj (1958) i takon brezit të poetëve, krijimtariapoetike e të cilëve është pjesë e periudhës së dytë (1981-2000) të letërsisë tashmë të identifikuar dhe afishuar si letërsia ngaburgu.

Poeti Januz Januzaj është njëri prej pesë bashkautorëve tëpërmbledhjes poetike “Libri i Lirisë”, e cila me një titull mjaftdomethënës dhe metaforik, gjithnjë nëpërmjet vargjeve, shpërfaq sakrificën dhe shpirtin liridashës të të burgosurvepolitikë shqiptarë të viteve ’80 të shekullit të kaluar.

Ndonëse pas një kohe të gjatë, nga koha e shkrimit të këtyrepoezive, autori Januz Januzaj, tash, vjen me përmbledhjenpoetike “Shpirti i lirisë”, nëpërmjet së cilës na ofron një pjesëtë trashëgimisë së tij letrare të shkruar në kushtet e burgut. Kyvëllim poetik është i një rëndësie të veçantë, pasi i ofron lexuesit një krijimtari të pasur poetike, e cila është origjinale dhe përmban vlera të larta letrare dhe estetike, duke nxjerr në pah tema ekzistenciale, kujtime e lidhshmëri të tematikave nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, kjo e fundit si rrezeshprese, si besim, si ideal i palëkundur, që ka për epilogtriumfin dhe lirinë. Nga leximi i kësaj përmbledhjeje, kemi arritur të identifikojmë një gjuhë të bukur poetike, tematikainteresante, simbole, metafora, ironi, satirë, fjalë të reja efigura të tjera stilistike, të cilat i japin ngjyrim të theksuar letrar, artistik dhe estetik poezisë së poetit Januzaj.

Llojllojshmëria e tematikës, e gjuhës, e stilit të të shkruarit, e formave të ligjërimit poetik, e tejkalojnë të zakonshmen, duke e bërë vëllimin poetik “Shpirti i lirisë” tejet atraktiv dhe të këndshëm, jo vetëm për lexuesin e zakonshëm, por edhe për studiuesin e poezisë. Poezia “Kosova”, është poezia hapëse dhe njëherësh poezia më e shkurtër e kësaj përmbledhjeje, e cila përbëhet vetëm prej një fjale të vetme “xham”. Kjo poezi njëstrofëshe monokolonë, njëvargëshe, njëfjalëshe, madje edhe njërrokëshe, duke qenë njëra prej poezive më interesante në aspektin e formës, por edhe të përmbajtjes, mbase në gjithë poezinë bashkëkohore shqipe, nuk ka dyshim se e ngacmon, e intrigon imagjinatën e  lexuesit, duke ia dhënë mundësinë e pafundme të interpretimit dhe rrëfimit të mëtejshëm. Është njëpoezi shembull.

Përmbledhja poetike “Shpirti i lirisë” në vete përmban një numër të madh të poezive dedikuese. Poezia më e gjatë e librit, me elemente të një poeme, me titull “Nëna- nanë” i dedikohet nënës dhe është e ndarë në tridhjetë njësi poetike, ndërkaq si e tillë është njëra prej poezive më të mira përkushtuese për nënën. Autori, i dedikon poezi edhe vetës së tij duke e vënë veten (Januzin) përballë perëndisë mitike (Janusit). Po kështu disa nga poezitë e tij janë përkushtime, nëtë shumtën e rasteve për shokët e tij të burgut, siç janë: Bajram Kosumi, Merxhan Avdyli, Halil Alidema, Fadil Vata, Tahir Turkaj, Ramadan Bunjaku etj., duke theksuar veçantitë e secilit prej tyre. Por, ai gjithashtu iu drejtohet, ndonëse me nota qortuese, edhe personaliteteve të ndryshme si p.sh. Bekim Fehmiu, Hasan Mekuli, Sinan Hasani etj.

Figuracioni që autori përdor, e bën vëllimin të jetë më i dashur për lexuesin, si dhe më rezistues në kohë dhe hapësirë, si vlerë e artit të fjalës së shkruar. Sidomos kur e kemi parasysh kohën kur janë shkruar këto poezi (vitet ’80 të shekullit të kaluar), si dhe hapësirën ku janë shkruar (burgu).

Një figurë e patejkalueshme te poezia e Januz Januzajt është krahasimi. Poezia “Roja” është e ndërtuar mbi bazën e krahasimit, ku autori krahason rojën, e cila rri në karakoll, me qenin që rri në stelë. Për autorin, të dy këta kanë punën dhe rolin e njëjtë: ta ruajnë kampin dhe t’i japin lajmet e sakta me telefon, përkatësisht lehje:

Në karakoll rri njeriu

Si qeni brenda mureve

Në stelë

Ai lart me telefon

Ky poshtë me lehje

Lajmet gjithherë të sakta.

 

Përdorimi i figurës së krahasimit në poezitë e Januz Januzajt, arrin efekte estetike e stilistike, siç janë: zbukurimi i përshkrimeve, forcimi i ndjenjave dhe emocioneve, shpjegimi dhe kuptimi i mëtejshëm, krijimi i imazheve të fuqishme, përmirësimi i stilistikës dhe ritmit etj.

Një figurë tjetër e shprehur dukshëm në poezinë e Januzajtështë figura e personifikimit, e cila krijon efekte të fuqishme artistike dhe estetike. Poezia “Qengji”, është ndërtuar mbi figurën e personifikimit, me ç’rast ujqit vijnë si mysafirë dhe bariu bisedon me qengjin, duke e pyetur se cili prej tyre do të jetë kurbani. Poezia përfundon me një pyetje retorike, si në vijim:

Ujqit kanë ardhur mysafirë

Bariu i afrohet qengjit – e rrëzon

Gjaku rrjedh nën leshin e bardhë

E shikojnë njëri – tjetrin

Si në atë botë

A thua cili jemi kurban?

Disa nga efektet që arrihen nëpërmjet figurës së personifikimit, në këtë përmbledhje poetike, janë: thjeshtimi i përshkrimeve, përcaktimi i karaktereve, forcimi i metaforës, krijimi i ndjenjave dhe emocioneve, krijimi i atmosferës e gjallërisë etj.

Natyrisht se metafora është figura e cila përshkon gjithë përmbledhjen poetike “Shpirti i lirisë”, figurë kjo e cila shfaqet që në titullin e saj. Kështu, përmes vargjeve metaforike të poezisë “Pjepri”, autori tregon se kur merrnin ushqime nga familjarët gjatë vizitave në burg, gardianët ikontrollonin pakot në mënyrë të detajuar, madje ata kishin dyshime edhe për pjeprin se mos është futur diçka brenda tij. Pjepri çahet dhe ua tregon zemrën mosbesuesve të natyrës, është shpjegimi i poetit Januzaj, kur shprehet:

Njerëzit nuk besojnë

se është pjekur, 

ai

çahet e ua tregon zemrën

Të pabesët në kurth

e hanë në shpejtësi.

Poezia e Januz Januzajt është e përmbushur edhe me figurën e simbolit. Simbolet në këtë vëllim poetik janë mjaft tëshprehura, me shumë domethënie, ku na dalin si shenja, përmes së cilave simbolizojnë ngjarje apo dukuri të ndryshme të karakterit historiko-kombëtar, antik, mitologjik etj. Si simbole të natyrës historiko-kombëtare, mund t’i përmendim: Kosova, ballkani, lufta, gjuha, flamuri shqiptar, Beteja e Kosovës etj. Ndërkaq, simbolet antike dhe mitologjike: Akili,Homeri, Prometeu, Odiseja, Ciklopi, Penelopa, Troja etj.

Përmbledhja poetike e Januz Januzajt, “Shpirti i lirisë”, për shkaqe funksionale, përmban brenda vetes edhe dialektizma, neologjizma, madje edhe barbarizma. Disa nga neologjizmatmë interesante që autori ka krijuar: Erëbaritoka, kryebeg, shpirtshenjë, buzëvishnjë, flokëkaçe, faqepogaçe, njeringrënës etj. 

Anafora është një tjetër figurë stilistike e cila është përdorur dukshëm në këtë përmbledhje. Përmes kësaj figure forcohet shprehësia dhe veçohet kuptimi i pjesës që përsëritet apo asaj pjese që del e re pas përsëritjes. Me këtë rast do të veçonim sidomos poezitë “Rekordi fenomenologjik”, “Natyrë e vdekur”, “Të gjorit”.

Antiteza, po ashtu është një prej figurave mjaft të përdorura në poezinë e Januzajt. Nëpërmjet saj, vihen përballë njëra-tjetrës dukuri të ndryshme, veprime, karaktere, sende etj., përmes së cilave edhe arrihet efekti i duhur estetik i poezisë. Antiteza, duke krijuar efekt dramatik e bën shprehjen më të fortë e më të pëlqyeshme. Ajo është përdorur edhe në tituj të poezive, siç janë: “Bisedë pa fjalë” dhe “I vdekuri për së gjalli”. Disa nga efektet e shumta që ka kjo figurë, përfshijnë: kontrastin, përforcimin e ideve, ndjenjën e thellë emocionale, tërheqjen e vëmendjes, lehtësimin dhe thjeshtësinë në leximin e shprehjeve etj.

Duke arritur ta shndërrojë të zakonshmen në të pazakonshme nëpërmjet temave, ideve, përsiatjeve, imagjinatës, ndjenjave dhe figuracionit, me bindje të plotë mund të themi se libripoetik “Shpirti i lirisë” i poetit Januz Januzaj, ndonëse vjenme vonesë, do ta përmbushë lexuesin e zakonshëm me aspektin njohës dhe atë estetik të poezisë, ndërkaq do ta intrigojë studiuesin për të shpalosur dhe trajtuar dimensionet e kuptimit të poezisë. 

Nuk ka dyshim: poezia e Januz Januzajt është një poezi e pasurive të mëdha ideore, tematike dhe figurative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat