Malësori me dy zemra!

Kultura

Malësori me dy zemra!

Nga: Merxhan Jakupi Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 00:00
Merxhan Jakupi

Malësori, Tahir Mustafa, i fshatit Veshallë të malësisë së Sharrit, i njohur me nofkën Tahir Veshalla, në periudhën e Monarkisë Jugosllave, do të bëhet një ikonë dhe mit. Ky pehlivan brilant, gjatë mundjes që mbaheshin në arena të ndryshme ngjante me një gladiator romak. Gjatë gjithë karrierës së tij si mundës, këtij malësori “nuk i kishte ra shpina në tokë”, një frazeologji kjo e përdorur për ata mundës që nuk kishin njohur asnjë humbje.

Mundësi Tahir Mustafa, mbetet mentor i pinjollëve, i pehlivanëve, Ramadan Selamit, Armia Farizit dhe Safet Kasamit. Veshlla, ky katund i Malësisë së Sharit, i rrethuar me male dhe bjeshkë të larta piktoreske, mori famë në gjithë trojet shqiptare pikërisht për shkak të mundësve të jashtëzakonshëm, jehona e famë të të cilëve kishte mbërritur në të gjitha viset shqiptare.

Në vitet e 60-ta të shekullit XX, në një dasmë të madhe të katundeve të Malësisë së Prizrenit, në arenë ishin ndeshur pehlivanë nga vise të ndryshme. Dy pehlivanët nga fshati Veshallë, kishin dalë triumfues. Njëri kishte marrë një dem, kurse tjetri pehlivan një dash shpërblim.

Një plak i kishte pyetur:-çuditërisht, nuk dimë shkakun se si nga ky katund kanë lindur kësi lloj pehlivanësh të famshëm? Kurse një burrë nga fshati Veshallë, ishte përgjigjur plakut:- Kjo është një dhunti, te ne, dielli nxeh ndryshe dhe nga rrënjët e tokës dalin fidanë, rriten dhe bëhen lisa gjigantë!

Tahir Veshalla me të vëllain Aliun, një burrë stoikë dhe bujar punonin në pranverë fushën dhe arat. Tahiri kishte shumë kohë që nuk kishte dalë në rrafsh, që do të thotë në viset fushore, dhe as në pazar të qytetit.

Te Sokaku i lurave, një vend publik, rrinin pleq dhe burra . Ishte ditë pazari .Nga kulla dukej karvani i fshatarëve që vinin nga pazari. Një burrë ndaloi kalin dhe nxori nga xhepi i lurkës nj letër e mbështjellë dhe lidhur me pe dhe ia dha Tahirit. Tahiri u largua nga turma dhe e hapi letrën. Ishte e shkruar me shkronja cirilike:

"PSE, BRE, MALËSOR NUK DEL NË MEJDAN, ATJE KU DALIN BURRAT,

POR JE MSHEH NË HAREM, NË DIMI DHE SHARVALLE.

SELAM E SHËNDET PREJ MEJE KE,

SOT NJI JAVË ME DALË NË FUSHË TË MEJDANIT!”

Pasi e kishte lexuar me qetësi, Tahiri ia kishte kthyer letrën, në të cilën shkruante:

“PSE BRE BURRË E FLLIQ GOJËN ME KËTO FJALË

JAM MALËSOR, S'RRI N'HAREM, AS ME GRA E ME CUCA

JAM LURJAN S’MË TREMBË TOPI E AS PUSHKA

SOT NJI JAVË, MË PRIT, NË FUSHË TË MEJDANIT KAM ME DALË..!”

Në një lendinë të rrethuar me kordon, ishin mijëra simpatizues të mundjes, apo siç njiheshin atëbotë me emrin pehlivanë. Kishin ardhur pehlivanë nga Azia e Vogël, Bullgaria, Shqipëria dhe Kosova. Përveç xhandarëve serb ishin dhe dy gazetarë. Një femër gazetare kishte të ngjitur një bexh në gjoks ku shkruante "Press Borba"

Ushtima e lodrave dhe zëri melankolik i surleve ushtonim malet. Dy pehlivanët dolën në arenë. Të veshur me qypek dhe të lyer me vaj ulliri, trupi i tyre shkëlqente nga rrezet e diellit. Pasi shtrënguan duart, këta dy luan nisën dyluftimin si gladiatorë romakë.

Rivali filloi duke bërë shou dhe spektakël. Rivali nxori një piskamë, dhe pas tha:- shtrëngohu malësor se të kam prit shumë kohë. Nga publiku vinin zëra, duartrokitje dhe ovacione.

Këta dy luanë, me këmbët shkelnin barin , dhe me duar rrihnin tokën.

Rivali pasi u ngrit në këmbë, mori frymë thellë. I ishte tharë goja. Sollën një shtambë me ujë për ta lagur gojën dhe fytin. Atëherë, Tahiri filloi të bëjë shou dhe kishte matur tashmë forcën e rivalit. Ishte i sigurt se do të fitojë betejën. Zëri melankolik i curleve dhe ushtima e lodrave filloi ta shpejtojë ritmin. Rivalin nisi ta kaplojë një makthë dhe trishtim. Me zë të thatë përsëriste:- hajde Tahir Veshalla. Rivali e kishte kuptuar se po e humbte luftën. Ishte zbehur në fytyrë. Një dridhje trupi e kaploi, provoi dhe një herë të ngrihet, por ishte e kotë. Në ato çaste iu duk se i gjithë qielli rëndoi mbi trupin e tij. Nxori një kollitje të thatë, ndjeu një plogështim dhe shtrëngim në shpirt. Nuk vonoi shumë ,Tahiri e shkuli nga toka si shkëmb, e ngriti me dy duar dhe në fund e përplasi në poshtë në bar.

Ovacione, britma dhe fishkëllima vinin nga arena.

Një zë nga lartë vinte dhe jehonte gjithandej: malësori me dy zemra, të lumtë Tahir Veshalla. Më pas filloi spektakli, Tahiri i ra rrotull arenës duke bërë ritualin e zakonshëm të fitores që njihej me emrin “temena”.

Ai kishte një shtat gjigant burrëror. Nga rezet e diellit shkëlqenin qyspekët dhe hajmalia e varur në gjoks.

Në fund, e mori n’gryk rivalën, duke i thënë se kishte luftuar si trim dhe se i respekton rivalët. Rivali me një buzëqeshje ironike i tha: “Herë e parë dhe e fundit që shpina ime ka rënë në baltë. Sot mbaron karriera ime”.

Pas një jave postieri kishte sjell në mejtepin e fshatit gazetën "Borba”. Në kopertinën e gazetës ishte afishuar titulli: “Malësori me dy zemra”. Artkullin e lexoi imami i katundit.

Tahir Veshalla, është pinjoll i familjes dhe fisit të njohur "lurjan”. Tahiri i inspiruar dhe frymëzuar me idealet dhe kauzën kombëtare, mori pjesë në çetat balliste të komandantit Xhem Hasa.

Ky shpirt hero, u vra në mënyrë misterioze. Vdekja e malësorit Tahir Veshalla mbeti një enigmë, e pa zbuluar deri në ditët e sotme.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat