Darka e Lamës

Kultura

Darka e Lamës

Nga: Hajdar Mallaku Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Shkas për ta publikuar këtë shkrim ishte lajmi që më 12 nëntor 2024 e bëri Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe..., zot. Faton Peci se më 2 dhjetor 2024 do ta shtrojë Darkën e Lamës dhe do të propozojë që kjo festë të bëhet festë kombëtare. Dhe vërtet më 2 dhjetor 2024 e organizoi Darkën e Lamës, ku mori pjesë dhe Kryeministri, zot. Albin Kurti dhe rrethi i tyre politik. Nuk mori pjesë Presidentja, zonj. Vjosa Osmani. Mirë është që kjo Darkë organizohet për çdo vjet, por organizimi i Darkës në data të ndryeshme dhe me ngjyrime politike është shqetësuese.

Presidentja e Kosovës, zonj. Vjosa Osmani e organizoi më 26 tetor 2024 me fëmijët e fshatit SOS; Hasi e mbajti më 2 nëntor 2024 në Gjonaj; më 24 nëntor 2024 e organizoi Lluka e Deçanit; më 2 dhjetor 2024 e organizoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë... Le ta kujtojmë se më 24 tetor 2002 Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, e organizoi për herë të parë. Të ngjajshme këtë festë e kanë dhe japonezët si darkë për arat e rrafshëta, kanadezët, gjermanët, amerikanët si Festë e Falenderimeve për të korrat dhe për bekimin e Zotit. Madje një zonjë, Sarah Jozepha Hale, redaktore e një reviste për gratë e kishte bindur presidentin Lincoln ta festonte këtë festë, se Festa e Falenderimeve do ta ndihmonte ta bashkonte vendin e dërmuar nga lufta. Një kumt shembull ky.

Emërtimi "Darka e Lamës" (lamë) mbetet vetëm nëse respektohet parimi tradicional i drejtshkrimit, për ndryshe fjalori e përdor fjalën lëmë.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe fjala lëmë ka kuptimin e një sheshi, me një strumbullar (mullar) në mes ku shihen (shkundet me rrahje), të lashtat (elbi, gruri, thekra tërshëra, madje dikur edhe meli - egziston një vend në Has me emrin Arat e Melit (Vnelit) dhe një bokë me emrin Mulliri me Erë). Shiheshin këto të lashta me qe, me kuaj deri kur hyri në përdorim makina korrë e shirëse.

Për banorët Lëma ishte vendi ku zhvoshkej misri, shtypej fasuleja, mblidhen kungujt etj . Kjo fjalë ka madje me dhjetëra kuptime figurative e frazeologjike. Ajo (lëma) përdorej deri në fund të muajit tetor kur vileshin të gjitha drithërat, pemët dhe perimet, e më vonë jo. Lëmë kishte gati çdo shtëpi. Kush nuk kishte e improvizonte në arë, ose në lëndinë. Ishte një shesh me diametër afro 20m, shtruar me rrasa guri, me mullar në mes ku lidhej konopi i gjatë afro 10 m, sa ishte dhe rrezja e rrethit të lëmës.

Procesi i shirjes ishte ky. Në lëmë shtroheshin tri deri në pesë qerre me duaj gruri. Dy duaj të parë te mullari shtroheshin me kallinj poshtë. Të tjerët shtroheshin me radhë me kallinj lart si mbështillet shoka rreth brezit të njeriut. Duajtë zgjidheshin nga lektyra (kashta që i lidhte duajtë) dhe liroheshin. Secila shkelje më së paku zgjaste nga një orë. Shkilej me qe ose me kuaj duke i kthyer duajtë herë në njërën e herë në tjetrën anë.. Kthehej katër herë: dy herë jashtë e dy herë brënda. Pastaj hiqej kashta me tërfurq dhe futej në plemë ose grumbullohej në formë ure apo koni.

Gruri me byk lahej (i largoheshin kashtat) me lasa (lloj rrëfate e shkozës në formë fshese), rrotullohej me tërplote, rragavatej me qe ose kuaj që të shtypeshin dhe kallinjtë e mbetur, i hiqeshin kashtat e mbetura. Gruri me byk mblidhej në një vend ku e rrahte era. Njëri (zakonisht mashkull) e hudhte me tërplote bykun me grurë në ajër, ndërsa gratë me thes si kacurrece mbi kokë e lanin me fshesa derisa mbetej vetëm gruri. Kur kishte baroja (elgjinëz, shejtan, rrodhëza, ngjitës,) gruri shoshitej në shoshë për t'i larguar poçingat, ndërsa kur kishte egjër dhe myk duhej larë (egjëra kishte peshë më të vogël dhe dilte në sipërfaqe të ujit. Ishte shumë helmues.Të vënte në gjumë sa kokën s'mund ta ngritje lart).

Kur shihej lëma e parë (më herët piqej elbi dhe dilej në bukë të re, se kishte krizë për bukë), bluhej një barrë. Gatuhej një bukë ndore (pogaqe). Nuk thehej e nxehtë derisa t'i shkonte shpirti në arë. U jepej së pari fëmijëve. Buka kurrë nuk quhej e zezë, por e vrugët. Respektohej në maksimum dhe familjet përbeheshin për të: "Pasha bukën dhe kripën!", ose qortohej nëse dikush pahiri e shkelte një troshë: "Mos e shkel se buka t'i qorron sytë!"

Kur kryhej lëma e fundit dhe drithi çitej në hambar, pastrohej lëma. Strehoheshin avlimentet: tërfuqit, grabuja, tërplotja, shosha, lasat, litari, fshesat. Në maje të mullarit lidheshin dy fshesa me rrema lartë. Po t'i shikoje nga larg, të dukeshin si një statujë njeriu me duar të ngritura lart që lutej dhe falenderonte për begatinë e asaj vere. Di që gjyshja përshpëriste diçka si lutje dhe falenderim për atë bereqet. Atë mbrëmje e zonja e shtëpisë e gatuante një pite me miell të ri që quhej "Ndërpeta e të Fshineve"- ishte e lyer me tlyn (gjalpë), me mazë sa të pikonin gishtat, por nuk kishte ndërmjetëz. Ishte kjo atëherë Darka e Lamës. Krejt këto i shënova për të treguar se ky ritual ishte trashëguar që nga paganizmi dhe për ta njohur procesin e shirjes si bëhej dikur dhe cilat ishin emërtimet e veglave të punës që brezat e rinj nuk i njohin.

Nëse vërtet synohet që kjo Darkë e Lamës të bëhet festë shtetërore dhe kombëtare, duhet të pyetet populli, mendjet akademike, institucionet shtetërore, të të dy shteteve dhe banorët e viseve shqiptare jashtë kufijve; të definohet çfarë emri do të ketë (mirë është të ruhet emërtimi i Presidentit të ndjerë, Dr. I.Rugova "Darka e Lamës"), të definohet gatimi pikant si për Ditën e Verës - vezët dhe ballokumet; për Shëngjergj - përshesh me qumësht dhe me bukë misri; për Shën Mitër - gjel i therur si kurban i dimërit, në SHBA për Festën e Falenderimeve - gjeli i detit etj. Ndërsa hajet shtesë vetëm sa e begatojnë tryezën.

Mirë është që të caktohet data e saktë dhe muaji që ta festojë çdo familje me ato ushqime çka ka. Le të festojë së pari prodhuesi i drejpërdrejtë. Kjo do të sygjerojë për një kohezion familjar. Mendoj se është mirë prapë të ruhet data 24 tetor kur u organizua për herë të parë; ta organizojë Presidenti i shtetit si reprezentues jopolitik, pa marrë parasysh prej cilës parti vjen, e jo partitë politike. S'ka arsyetim të festohet në nëntor dhe dhjetor. Nuk është ky kalendar veror. Festoje Shën Gjergjin në Janar!? Çfarë lidhje do të kishte me emrin Lëmë. Natyra nuk pranon përdhunim. As organizimi nga Ministria e Bujqësisë... nuk është i mirë. Kur vjen në pushtet një parti tjetër politike, lakmojnë ta festojnë vetëm ata. Si duket ministrit Peci po i bëhen të lashtat edhe në dhjetor.

Imdovodë të shumtë gjatë luftës dhe pas saj nuk lanë gjë pa rrënuar kundër Presidentit Rugova e më vonë e ngjyen kafshatën në meritat e tij. Edhe këtë herë u përdor një skuthëri e rrëmbimit të meritave. M'u kujtua një thënie e Presidentit anglez Winston Churchill: "Burrshtetas mund të bëhët vetëm ai lider që mendon për gjeneratat e ardhme e jo për zgjedhjet e ardhshme". Liderët tanë duket se punojnë të dalin prej historisë me xhepa plot e jo të hyjnë në histori me kokën lart.

Unë u gëzova dhe urova kur ministri deklaroi se është siguruar buka nga toka e Kosovës, por pyes ku kemi arritur sot me tokën e Kosovës? Asnjë qeveri nuk pati politikë të drejtë: Malet u shkatrruan sa nuk ka ku fshihet as lepuri; kodrat shkëmbore u zgrapën me dhegërmues nga dinosaurët modern; shtretërit e lumenjve u shkatrruan ose u ngulfatën, si krejt natyra, me mbeturina; lumenjtë u mbytën nga ujërat e zeza dhe helmet e fabrikave; toka rreth lumenjve u shfrytëzua pa mëshirë nga nxjerrja e zhavorit, u la si një relief i trishtueshëm, i veshur me shelg sa mund të lajmërohen dhe peshkaqejtë; toka e bukës mbeti djerrë, u mbush me shtëpi dhe punishte të ndryeshme sa nëse vazhdon ky trend një ditë Kosova nuk do të ketë tokë as për një lehë qepë. Bujqit nuk u stimuluan dhe nuk u ruajtën prodhimet vendore.

Toka ishte dhe është fabrikë e gatshme. E vërëjtët çka ndodhi në kohën e pndemisë. Alarm për miell... Kështu ndodhi dhe me blektori.

Dhasht Zoti që në vazhdim të kemi një kujdes më të madh për të. Po ashtu uroj që inisiativa për festimin e Darkës së Lamës të bëhet realitet. Nuk do të jetë kjo iniciativë për një ritual primitiv pagan si ishte shprehur një gojëtharë, por një falenderim për begatinë e verës dhe bukën tonë të përditshme. Do të jetë kjo edhe një lule në buqetën e trashëgimisë sonë kulturore.

comment1 koment
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat