Skënder Kapiti dhe gjyqi i tij mbi sistemin e drejtësisë në Shqipëri

Kultura

Skënder Kapiti dhe gjyqi i tij mbi sistemin e drejtësisë në Shqipëri

Nga: Bedri Tahiri Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 21:36
Pamje nga vendi i ngjarjes

Skënder S. Kapiti nga Durrësi, i formësuar me trashëgimi, me bindje dhe me edukatë të thellë kombëtare, kundër ideologjisë së gënjeshtrave dhe të pavërtetave, kundër shëmtive të atdheut e të kombit, autor i veprave “Triumfi i kombit”, “Njeriu filozof, etik e politik”, “Moralokracia”, “Pesë letra drejtuar kombit” etj., këto ditë të mjegulluara politike gjithandej trojeve shqiptare, na e erdhi edhe me një libër mjaft interesant e me porosi të qarta

”SHBA DHE REFORMA E DREJTËSISË NË SHQIPËRI-VETINGU”.

Duke parë atë punë të jashtëzakonshme që po bëjnë SHBA dhe SPAK në luftën e tyre të pa kompromis për çmontimin e sistemit të korrupsionit në Shqipëri, në punën e tyre vendimtare për pastrimin e sistemit të drejtësisë, dhe të ndëshkimit të politikës dhe politikanëve e shtetarëve më të lartë të politikës e pushtetit për korrupsionin e tyre, dhe duke ndjekur zhvillimet politike, juridike, demokratike etj., dhe si shkrimtar e publicist që jam, atë se çfarë unë kam lexuar në shkrimet brilante dhe me një kompetencë juridike, filozofike, politike dhe shkencore, lirisht mund të thuhet si meritë e veçantë e autorit të këtij libri, Skënder Kapitit, është se ai i ka bërë skanimin politikës dhe drejtësisë së tranzicionit në Shqipëri, apo më saktë ai i ka bërë gjykimin sistemit të drejtësisë në Shqipëri para lexuesve dhe opinionit publik.

Me fjalë të tjera, ky libër sjell në kujtesën kolektive faktin dhe shkallën se deri ku është katandisur drejtësia shqiptare; për t’u kujtuar lexuesve dhe opinionit të vërtetat e tranzicionit korruptiv juridik e politik që kishin kapur e bllokuar drejtësinë, shtetin, shoqërinë, progresin e zhvillimin në Shqipëri, dhe për të mundësuar e bërë krahasimin se sa shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë që kur SPAK filloi nga puna, ku meritën vendimtare të kësaj reforme në drejtësi e ka SHBA.

Autori Skënder Kapiti me të drejtë e ka vlerësuar Reformën në Drejtësi (Vetingun), si reformën më të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar:“Kujtesa kombëtare do ta konservojë në histori si një fitore kombëtare realizimin e Reformës në Drejtësi si një meritë e popullit me ndihmën vendimtare të demokracisë perëndimore kryesisht të SHBA-së, por nga ana tjetër edhe si një turp të madh të radhës të politikës dështake shqiptare për zvarritjen, neglizhencën, pengesën dhe mos dëshirën e saj për Reformën në Drejtësi si dhe për dëmin e madh kombëtar dhe anticivil, antiprogresiv dhe kundërintegral që ka luajtur politika shqiptare e këtij tranzicioni”.

Pavarësisht se kjo gjendje ku ndodhej demokracia, shteti e drejtësia në Shqipëri Vetting-u dhe Reforma në Drejtësi u krye, pavarësisht zvarritjeve dhe pengesave të mëdha nga politika dhe drejtësia shqiptare ajo erdhi dhe u miratua nga parlamenti shqiptar në vitin 2016, sepse Reforma në Drejtësi ishte edhe kushti kryesor për Shqipërinë për integrimin në BE, e cila përputhet me aspiratën euroatlantike të shqiptarëve. Miratimi i Vetting-ut ishte i pashmangshëm dhe nuk është se aleatët e shqiptarëve do pyesnin politikën, politikanët dhe gjyqtarët shqiptarë të cilët nuk donin Reformën në Drejtësi.

Autori Skёnder S. Kapiti, prej kohësh, me një guxim të paparë intelektual u kundërvihet dukurive negative të shoqërisë sonë, që herë-herë, sikur e humb toruan dhe, gati pavetëdijshëm, bie në situata të palakmueshme, duke rënë pre e orekseve të sëmura të prijësve të vet. Prandaj, ai nxjerr konkluzion: “SHBA dhe BE ia imponuan dhe e detyruan politikën shqiptare që ta miratojnë Reformën në Drejtësi, gjë e cila shënon edhe ndarjen e Shqipërisë nga tranzicioni i stërmundimshëm traumatik e korruptiv duke i hapur rrugën ndërtimit të shtetit ligjor, demokratik e modern”.

Skënderi është një kritik i ashpër i atyre që ai i quan mashtrim demokraci dhe si “të këqijat demokratike”. Pamëshirshëm demaskon amoralitetin politik, keqbërësit publik të pushtetit të keq, mashtrimin e tradhtinë publike e kombëtare të politikës dhe politikanëve të pushtetit dhe manipulimin e manipulatorët, spekulimin e spekulatorët dhe hipokrizinë demokratike.

Kështu, ai me penën e tij të mprehtë ka dhënë një kontribut të madh në propagandimin e domosdoshmërisë për miratimin e VETING-ut në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilin për nga rëndësia jetike e quan reformën më të madhe pas Pavarësisë Kombëtare.

Ai, me një guxim të paparë intelektual, bën thirrje dhe kërkon që të çmontohet në Shqipëri dhe në Kosovë sistemi i korrupsionit, krimit politik dhe të atij gjyqësor.

Edhe pse të njëzet e tetë njësitë shkrimore (duke përfshirë dhe hyrjen) të librit “SHBA DHE REFORMA E DREJTËSISË NË SHQIPËRI-VETINGU” mund të qëndrojnë edhe në vete, pa e humbur fare kuptimin e funksionin, ato përbëjnë një tërësi organike, të mbështetura në një palcë kurrizore e të orientuar në një pikësynim: Reforma e Drejtësisë në Shqipëri!

Vlerësimin tim për librin po e përmbylli me mendimin e autorit: “Reforma në Drejtësi, shënon në historinë e Shqipërisë Reformën më të madhe, është Kryereforma që i hap rrugën të gjitha reformave. Si Kryereforma që do të reformojë jo vetëm drejtësinë por edhe politikën dhe shtetin, Reformë për ndërtimin e shtetit ligjor, të drejtë e modern të një drejtësie të re, politike e demokracie”.

Urime e suksese të reja Skënder S. Kapiti!

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat