Një libër që duhet lexuar të paktën një herë në jetë

Kultura

Një libër që duhet lexuar të paktën një herë në jetë

Nga: Xhovan Komoni Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 17:16
Kopertina

Nga të gjithë librat që kam lexuar mbi Luftën Çlitimtare të Kosovës, të rrallët kanë qenë ata që më kanë lënë mbresa ashtu si libri ''Lisi i gjakut'' (''Kur fjalët vrasin'') i autorit Arbër Shabanaj. Me ngjarje të vendosura në vitet 1998 deri më 1999. Romani fokusohet në sprovat dhe mundimet me të cilat përballen eprorët e vërtetë dhe ushtarët e denjë të UÇK-së në Qendrën Stërvitore në Burrel të Shqipërisë, teksa gjithçka përreth tyre ndryshon me shpejtësi dhe kalon në rrëmujë dhe çorganizim. Komandanti i Togës së I-rë -, të Kompanisë së II-të, TF3, Brigada 128, PASHTRIKU - Arbër Shabanaj dhe shokët e tij ushtarë, Astrit Suli, Qemajl Zeqiri, Halim Dalipi, Beslim Bekaj, Valdet Qorraj, Florim Kurti dhe shumë të tjerë nuk patën asgjë tjetër përveç njëri-tjetrit për të kaluar këtë periudhë të turbullt të jetës së tyre. Gjithçka ishte çrregulluar dhe kudo mbizotëronte anarkia, hidhërimi dhe zhgënjimi. Kishin parë miqtë e tyre të torturoheshin dhe të vriteshin nga policia ushtarake e nga truprojat e individit të vetëquajtur komandant, R. Saramatit. Ndërkohë faktori, Agim Mehani -, i cili ishte vendosur gjithashtu në Burrel, meqenëse Suedia këtij ia kishte anuluar azilin - ia pati bërë Astrit Sulit atëbotë jetën e pamundur, duke e njollosur dhe etiketuar me termin „serbofil“, „grekofil“, „rebeli i Shqipërisë“ e të tjera. Faktori A. Mehani, njeri me shumë faqe dhe me prejardhje nga Dreniča e Kosovës, i cili as aromën vdekjeprurëse Luftës së Kosovës kurrë dot nga afërsia nuk ia pati ndier, në bashkëpunim me disa kameleon të vetëquajtur komandantë, me këmbëngulje patën dashur t‘a verifikonin nëse Astrit Suli ishte i bërë synet apo jo! Dhe nëse A. Suli nuk na qenkëshe rrethprerë, atëhere ky na qenkej „serb“, apo „grek“ dhe dashkej të likuidohej fizikisht!

Ndërkaq, autorit, A. Shabanajt, i është dashur -, për shkak të kualifikimit dhe përvojës së tij në sferën ushtarake dhe përsosjes së kualifikimit të tij të mëtutjeshëm - që detyren e vet, si epror ushtarak, sa më mirë që ishte e mundur, nën ato kushte, t‘a kryente. Në mënyrë që ushtarët e tij, të cilët fare pakë apo hiç të përgatitur nuk ishin, t’i mësonte për frontin e luftës dhe sa më mirë t’i përgatiste. Shumëçka iu mungonte në luftë. Këta nuk ishin akoma me bukë dhe me ujë të furnizuar, e lëre më me pajisjen dhe mobilizimin e nevojshëm luftarak. Mirëpo të gjithë këta luftëtarë të denjë të UÇK-së ishin të fokusuar në vendimin e tyre të madhërishëm - për një Kosovë të lirë -, të luftonin kundër okupatorit.

Arbër Shabanaj u përndoq atëbotë me dhunë nga regjimi sllavë nga Kosova dhe kur pati shpërthyer Lufta në Kosovë, jetonte në Gjermani, ku e kishte siguruar një jetesë me standarde më të frytshme; ishte në marëdhënie pune, kishte banesën e vet dhe qëndrim të siguruar. Pra ky i kishte të gjitha. Por vetëdija personale dhe kombëtare dhe vetë talenti i tij në sferën ushtarake, e drejtuan për në frontin e luftës. Kështu që, Arbër Sh., në luftë shkoi në mënyrë vullnetare dhe atje u instalua si epror i kualifikuar ushtarak.

Në pjesën e parë të romanit ''Lisi i gjakut'' (''Kur fjalët vrasin'') autori e përshkruan, se si - me dijen dhe vetëdijen e tij më të lartë - mundohej, që bashkëluftëtarët e vet sa më mirë për aktin e luftës t’i përgatiste.

Në pjesën e dytë, autori ia afron lexuesit para syve ngjarjet e tmerrshme të luftës, nga vija e frontit.

E megjithatë, fundi i veprës është tragjik. Duket se çdo gjë fillon të shkojë për keq: Luftëtarët e vërtetë nuk e kishin vetëm detyrën herkulesiane që armaten e okupatorit t‘a luftonin, por këta edhe nga eprorët e tyre „më të lartë“ ushtarak u tradhëtuan-nga ata, të cilët vetveten me „komandantë“ e titullonin. Si pasojë e atij defekti; ç’do furnizim u pezullua dhe nuk u realizua dot. Dhe si rezultat i asaj dukurie fort negative; luftëtarët e lirisë nuk kishin as se çfarë të hanin e as të pinin, përderisa, paralelishtë dhe në të njëjtën kohë, „komandantët“ e vetëquajtur, të cilët pjesërisht edhe analfabet ishin, e kalonin një jetë relativisht të mirë dhe të begatshme.

Arbër Shabanaj ishte eprori i parë, kryesor dhe i autorizuar, në vijen e frontit, në Betejën e Pshtrikut, gjatë Luftës së Kosovës, i heroit të rënë në luftë për lirinë e Kosovës, i Astrit Sulit. Detyra e Arbër Sh. në luftë ishte: Komandant i Togës së I-rë, të Kompanisë së II-të, TF3, Brigada 128 - PASHTRIKU. Pra ishte epror i një kontingjenti ushtarak, i cili përbëhej nga 31-luftëtarë. Kurse përgjatë konfliktit të armatosur -,në luftë e sipër, në atë situatë të jashtëzakonshme - Arbërit i janë bashkëlidhur edhe dy togje të tjera të luftës: Toga e Ahmetit dhe ajo e Avniut, ngaqë ky i fundit vetëmse ishte thyer nga forcat e armikut dhe po tërhiqej. Pra, A. Shabanaj, në fakt automatikisht operoi si komandant i kompanisë. Këto i dëshmojnë dhe i vërtetësojnë arkivi ushtarak i frontit të Luftës së Kosovës ashtu edhe faksimilet e Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së (Shefi i Departamentit dhe Kryetari i Komisionit).

Njësoj sikurse Astrit Suli, edhe shumë të rinjë të tjerë, dhanë edhe jetën e tyre për çlirimin e atdheut të tyre - dhe atë - nën kushtet më mizore, të cilat njeriu vetvetes mundet t‘ia imagjinoi. Disa ushtarë u plagosën, besa edhe jetën e tyre e dhanë, jo për shkak të sulmeve të papërballueshme të armikut, por prej garnatahedhjeve të vetë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe jo se togu pëgjegjës i artilerisë, atëbotë, ushtarët e UÇK-së qëllimisht i granatonte-jo, jo kurrsesi: Duke e ditur se ata kundër armikut dhe jo kundër njëri-tjetrit po luftonin. Por sepse ajo togë e artilerisë, atëherë, ndodhej nën komandën e protagonistëve që u përmendën më lart-pra të pakualifikuar. Kështu që ushtarët e artilerisë edhe i gabonin koordinatat dhe -, si pasojë e asaj - ata i dëmtonin dhe i vrisnin vëllezërit e tyre ushtarë.

Autori e trajton si detyrën e vet prioritare, që këtë kapitull, nga ajo luftë aq e tmerrshme, lexuesit të interesuar dhe vigjilent të ia sjellë para syve dhe përmes këtu edhe botërisht të ia dëshmoi. Prandaj edhe ato ngjarje fort tronditëse e të tmerrshme të luftës, nxirren nga të gjitha anët në sheshin e dritës dhe këto dokumentohen për botën pasuese. Libri përbën një kontribut, jo të papërfillshëm, për historikun e Luftës Çlirimtare të UÇK-së e të Kosovës martire dhe, si i tillë, besoj se çmohet nga lexuesit, që do ta marrin në duar.

Kur Lufta e Kosovës dhe akti i luftës ishin kryer, Arbër Shabanaj u kthye mbrapa, në Gjermani, aty ku edhe ishte i vendosur, meqenëse Arbërit, në radhën e parë, i duhej të merrej me plagën që e kishte marrë në luftë dhe me sëmundjen e rëndë në mushkëri, të cilën po ashtu lufta autorit ia shkaktoi. Pra, të mjekohej dhe të kontrollohej më tutje.

Autori ka heshtur shumë vite, sepse nuk ka dashur të bien në atë nivel të ngjashëm - tejet të ulët - me ata protagonistë, të cilët e manipulojnë historiatin tonë të shkëlqyeshëm kombëtar. Dhe tani Arbëri nxori në shesh një komplot të çoroditur, i cili është duke e çrregulluar dhe shëmtuar edhe emrin e shndritshëm të UÇK-së dhe njëkohësisht duke e njollosur dhe deformuar zhvillimin historik mbarëkombëtar. Kështu që një deformimi të zhvillimit historik, i cili lidhet me tërë kombin dhe, i cili mendon të jetë vazhdimisht aktiv, autori iu përgjigj me literaturë. Meqenëse faktet dhe libri janë përgjigjja.

Për ta përmbyllur përshtypjen time, do të thoja se ''Lisi i gjakut'' (''Kur fjalët vrasin'') është nga ata libra që duhen lexuar të paktën një herë në jetë nga çdo njeri që ka gjak shqiptari. Është padyshim një libër që do ta dashuronte çdo lexues, pavarësisht zhanrit të cilin lexuesit e preferojnë t‘a lexojnë. Unë personalisht e kam lexuar katër muaj më parë dhe vazhdoj akoma ta ri-lexoj e të më emocionojë me të njëjtën fuqi si herën e parë. E nëse do të më kërkohej që t’i jepja një notë, nga 1 deri në 10, unë do t’i vendosja një 10 me yje pa u menduar dy herë.

Libri mund të porositet përmes Shtëpisë Botuese Agora (e gjeni në çdo librari. Lexojeni ...): Arbër Shabanaj ''Lisi i gjakut'' (''Kur fjalët vrasin'') Roman 336 faqe ISBN 978-9928-3122-3-5 Çmimi: 1000 Lekë Shtëpia Botuese Agora Tiranë, nëntor 2023.

Përshtypje nga Xhovan Komoni,

Universiteti Politeknik i Tiranës, dega Inxhinieri ekonomike.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat