Këtë shprehje, të strukturuar në formatin si në titullin e këtij shkrimi, nuk e kisha dëgjuar më parë, ndonëse mbaj mend se nëna ua këpuste kryet gjithnjë pulave që nuk e bënin vezën në furrikun e vet. Njëjtë vepronte edhe ndaj ndonjërës që niste me këndue si gjel. Kur e pyesja pse, ajo do t’më thoshte, në esencë, se pulën për vezë e mbajmë, se për pleh (glaca) mbajmë lopën, e për kangë mbajmë gjelin. M’a rikujtoi këtë shprehje një vlla domgjonas i Kosovës me të cilin ndajmë shpesh mendime, sa rreth traditës e zakoneve tona të mira, duke vënë në dukje edhe diferencat e vogla të krijuara në dy anët e kufirit shqiptaro – shqiptarë, aq edhe për aktualitetet politike në vendet përkatëse, Shqipëri e Kosovë, (sa shumë dëshirë do të kisha të ishte “një”, vendi - shteti ynë!), megjithëse as unë e as ai nuk jemi politikanë, ose të paktën, kontribuojmë në politikë me aq sa mundemi, por nuk kakarisim fort, thjeshtë që dikujt t’i bie në vesh kënga jonë.
Pula e mirë e bën vezën tek shpia e vet e glacën n’kojshi, kurse pula e keqe bën vezën n’kojshi e glacën në shtëpi të vet, si shprehje e si fenomen, më ka ngacmuar gjithnjë, sa herë që njerëz të cilët nuk jetojnë përditshmërinë tonë, me të mirat e të këqijat e saj, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë (me aq sa e njoh atdheun e dytë të shqiptarëve), na mbajnë leksione malli e dashurie për atdheun dhe nuk na lenë gjë pa thënë ne që, nga halli apo qejfi, jetojmë në trojet tona, duke na “udhëzuar” si duhet të veprojmë. Natyrisht që çdo shqiptarë edhe emigrant, i ri apo i vjetër, emigrant si person, apo familje emigrante, ka të njejtën pjesë dhe të njejtën të drejtë si unë t’a dashurojë atdheun e të shqetësohet për këtë vend, sepse atdheu nuk mund të privatizohet e parcelizohet prej askujt, pasi ai është frymë, dashuri dhe dhimbje shpirti, por fjala është për ata që çdo kontribut në jetën e tyre e kanë derdhur jashtë trojeve shqiptare, e po t’u thuash ejani e investoni këtu, do të presin me një lumë fyerjesh, por po t’u thuash ejani e bëhuni deputet, ministër apo kryeministër, janë të gatshëm, gjithnjë në se karriken ua garantojmë ne “që s’e njohim jetën perëndimore”, që votojmë njerëz pa integritet e epitete të tjera, të thëna e të nënkuptuara prej disave.
Diaspora kosovare përgjithësisht, ka një të drejtë plus në këtë aspekt, pasi pavarësisht se rrethanat ekonomike e politike atje kanë qenë ku e ku më të rënda se në Shqipërinë shtetërore, ata kurrë se kanë harruar vendin e vet. Aty kanë mbajtur familjet, kanë investuar aq sa kanë mundur në shtëpi e mjete jetese, kanë organizuar për shumë vite shtetin paralel dhe e kanë financuar atë, kanë financuar arsimin e gjuhën shqipe dhe së fundmi edhe luftën çlirimtare të Kosovës, janë rikthyer me investime pas saj e kontribuojnë përgjithësisht për zhvillimin e atdhet të tyre. Natyrisht që emigrantë të tillë që i kanë investuar aksionet e veta kryesisht në vendin e tyre, kanë gjithë të drejtën e Zotit të kërkojnë të ndikojnë edhe në jetën politike në të gjitha nivelet. Por, ndonëse nuk kam njohje të plotë rreth emigracionit kosovarë, më duket se më së shumti “kakarisin” ata që “vezët” e tyre i kanë investuar jashtë, dhe tash pas kaq vitesh liri duan edhe ndonjë karrike deputeti a ndoshta edhe më shumë.
Po në Shqipëri?
Emigrantët e hershëm, kryesisht politikë, për shkak të regjimit represiv që ishte në Shqipëri, deri në nëntëdhjetën s’kishin si të kontribuonin, pasi as ndihmat e vogla ekonomike për familjarët e tyre nuk u lejoheshin dhe në vend që t’i ndihmonin, i shtinin në telashe edhe ata. Pas nëntëdhjetës, ndërsa politikisht rrethanat nuk u hapën sa e si duhet për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, ata zgjodhën (me ndonjë përjashtim), të qëndronin indiferentë ekonomikisht, ndonjë tip matrapazi të kontribuonte negativisht për të zhvatur edhe ndopak ekonomi vendase, por nuk munguan të bëjnë leksione politike e atdhedashurie kryesisht me flamuj e veshje kombëtare e sponsorizime të vizitave të drejtuesve tanë aspak demokratë jashtë vendit. Disa eksponentë të njohur, nga rehatia e tyre, nuk mungojnë t’na uzurpojnë edhe hapësirat televizive, e prej atyre t’na japin mend të gjithëve, ndërkohë që kur ishin këtu, maksimalisht shfrytëzuan mundësitë e krijuara nga pushteti për të “rruar” ndonjë lek, si të përndjekur politikë. Tashmë që ligji ka krijuar hapësira politike për t’u zgjedhë, janë të gatshëm disa prej tyre t’a “rrëmbejnë” një karrike deputeti, duke shijuar ekonominë e demokracinë e vendeve ku jetojnë e duke dëshiruar spaletat e të qënit i zgjedhur në Shqipëri. Edhe në Kosovë, ky grupim nuk është se paraqet ndryshime thelbësore.
Emigrantët e pas nëntëdhjetës kanë mbajtur gjallë ekonomikisht, përmes remitancave, familjet në Shqipëri, e në këtë aspekt meritojnë nderim të përjetshëm. Por tash kanë kaluar rreth tri dekada e gjysëm e shumë prej tyre kanë ndërtuar përfundimisht jetesën e tyre jashtë Shqipërisë, jo pak kanë hequr dorë edhe nga shtetësia shqiptare, numërohen me gishta ata që kanë investuar në Shqipëri djersën e tyre duke ngritur ekonominë familjare e punësuar edhe të tjerë, me shumë sakrifica. Të gjithë “këndojnë” shqip e boll mirë bëjnë, por kënga e tyre politikisht nuk mund të dëgjohet njësoj… Atyre që janë rikthyer e kontribuojnë në ringritjen ekonomike të vendit, u dëgjohet me kënaqësi “kënga” patriotike e u duhet dhënë me shumë respekt edhe vota politike. Të tjerët…
“Qofte ke daja nuk ka!”, më kujtohet kjo shprehje, që vinte në përgjigje ndaj atyre që i donin gjërat të gatshme. Qoftet duhen përgatit që të shijohen. Jo për ndonjë gjë, por elementë të tillë nga diaspora jonë, duke u përzie në qullin e politikës ekzistuese, zor se mund të pjekin “bukë” të ndryshme nga ajo që pjekin këta horra (jo të gjithë) që e kanë mbajtur vendin një hap përpara e tre mbrapa tash tridhjetë e katër vite, thjesht që të ruanin pozitat e tyre. Shembujt janë të shumtë… Lulëzim Basha është njëri prej tyre që u katapultua nga Berisha, duke i dhënë gjithë mundësinë të bëhej dikushi, por me njërën këmbë në Shqipëri e tjetrën në Hollandë, zor se mund të bësh diçka për të qenë. Ka edhe të tjerë, majtas e djathtas, por nuk kam qëllim analizën e emrave në këtë shkrim, pasi më intereson fenomeni dhe më shqetëson veprimi, sidomos në këtë prag zgjedhjesh ku ata (emigrantët) do të kontribuojnë për herë të parë me votën e tyre nga vendet ku jetojnë. Jo se këta “vendalitë” e pashkulur e kanë ndrit! Edhe nga këta ka plotë të tillë që “vezët” i bëjnë në kojshi e glacat këtu, në vendin e tyre, por shpresoj fort se diçka ka nisur të lëvizë nga drejtësia dhe nuk do t’i gëzojnë ato privilegje, duke i dekurajuar kështu edhe elementët karagjozë, pa din e iman, pa Krisht e Muhamed, pa mend e veç me plëndës, t’i hyjnë detit të politikës me këmbë. Drejtësia e re, uroj e shpresoj të ndjek “vezët”, në furriqet e tyre e t’ia kthejë popullit, sepse vetëm kështu bën që monstra të tilla, që e duan “kryet” ke nana e “by…ën” tek partneri, t’i rrinë larg politikës. Emigrantët e çdo brezi, në se duan të kontribuojnë seriozisht, le të organizihen politikisht, të shpallin platformat e tyre, të kërkojnë votën si të tillë, që ne t’i shohim si shpresë reale, por edhe t’u kërkojmë llogari për realizimin e premtimeve të tyre. Duke u angazhuar në partitë politike ekzistuese shqiptare, jam i bindur se zëri i tyre do të humbasë “si shurra e pulës”, e furriku i vezëve po se po!
Jo vetëm situatës me emigrantët u përket fabula e “vezës dhe glacës”, por edhe brenda vendit, ajo e shfaq ironinë e paradoksin e situatës politike në të gjithë dimensionin e saj. Sikur të mos mjaftonte fakti që disa prej pushtetarëve tanë, të djeshëm e aktualë, i ushtrojnë funksionet e tyre duke i bërë “vezët” politike në furriqet e qarqeve antishqiptare të shteteve fqinjë ose jo, disa prej tyre, tashmë është e njohur botërisht e disa edhe nën hetim, edhe i venë ato “të çelin zogj” jashtë trojeve, duke i investuar apo ruajtur në banka e kompani të ndryshme, kryesisht ofshore. Nga ana tjetër, “deshët e kumonës” në pozitë e opozitë, përtej luftës në dukje të pakompromis mes tyre, ja kanë dalë deri tash të merren vesh mes veti për bukuri, duke mbajtur një sistem politik praktikisht të pandryshueshëm, përmes kodit zgjedhorë. Edhe lejimi i votës së emigrantëve, ardhur si një zhvillim gjysmak, ka gjasa mos t’i shfaqë efektet e duhura, sa kohë që vota e tyre do të shpërndahet në qarqe e nuk ka mundësi të sjellë një produkt ndryshe.
Ruajtja e monopolit të drejtuesve politikë mbi përbërjen e listave, bën që fabula e “vezës e glacës” të mbetet në fuqi. Formalisht çdo qark ka listat e veta, por në zonat më të sigurta të tyre kryetarët fuqiplotë sjellin jesmenë nga Tirana, shumica e të cilëve vijnë thjeshtë për “glacën” në zona, nënkupto me i shtue halle halleve e zjarr benzinës së ngatërresave, kurse “vezën” e bëjnë për partitë në qendër. Jo vetëm deputetët, por edhe kryebashkiakët janë të njejtët. Jetojnë (jo të gjithë) larg e shkojnë për t’i “shpëtue” bashkitë, duke ua marrë edhe atë karrike me pak rëndësi që e kanë. Unë jam për vendas, për njerëz që jetojnë me hallet tona të përditshme, ose një sistem zgjedhorë politik proporcional kombëtar me lista totalisht të hapura, ku secili sheh sa i vlen lëkura. Kryet në bashki e “by…ët” në Tiranë, njëjtë nuk vlen si në rastin e emigrantëve.
Lexova këto ditë një libër të bukur kushtuar At Ambroz Marlaskaj, me autor Ndoc Frroku. Autori, përmes figurës së lartë kishtare, intelektuale e atdhetare të At Ambrozit, veç vlerave të tjera të pamohueshme, kishte ndriçuar bukur një periudhë historike të panjohur sa e si duhet. Më bënë shumë përshtypje kërkesat e deputetit Marlaskaj e përkujdesja e tij, duke nisur nga hallet më të vogla të zgjedhësve të vet, deri tek demokracia parlamentare e qeverisja ekonomike e vendit. “…Jena tue e humbë burrninë, ndjesinë e përgjegjesisë e randësinë para popullit.” -theksonte ai me shqetësim, duke iu referuar Asamblesë së vitit 1924 dhe rendiste me shqetësim se burrninë po e humbim, se “…Vetëm kalamajt kur t’i kenë paditun shokët e vet ia qesin njani -tjetrit të zezat për fushë e zihen njashtu si asht fillue ndër ne.”, … se po e humbim ndjesinë e përgjëgjësisë, pasi “…Populli shqiptar sod asht dathë e deshë, pa bukë në shtëpi, pa rrugë, pa urë, pa mjete udhëtimi, prej ma të mbrames pikë gjaku që i ka mbet, i paguan Asamblesë më tepër se 40 mijë fr. Ar në muej…”, dhe se e bjerrim randësinë “…Kur populli të shofë se yndyra e kombit bjerret ndër çashtje aq të vogla,…”. Gjendja edhe sot, plot pas njëqind viteve, mbetet plotësisht e njëjta, sidomos sa i takon elementëve të burrnisë, ndjenjës së përgjegjësisë e të rëndësisë para popullit të përfaqësuesve të vet (në fakt s’janë të tillë!). Në kontrast me këto problem që ngrinte 100 vjet më parë At Ambroz Marlaskaj, deputetët aktualë as duan t’ia dinë për hallet e njerëzve, as nuk duan t’ia dinë e nuk kanë kapacitete intelektuale të dinë për demokraci parlamentare, për qeverisje ekonomike, për zhvillim të qëndrueshëm e të tjerë terma të “huaja” për shumë prej tyre. Mjafton të njohin e t’i përkulen vetëm kryetarëve fuqiplotë! Parlamenti ynë është i madh në numra e fort i vogël në raport me ato që citova më lart nga At Ambrozi, me shumë privilegje të rezervuara ndaj vetes e kastës së lartë, krejt disproporcionale me gjendjen e popullit, ai është jo përfaqësues, jo model demokracie, por model dhune, e qeverisja e prejardhur prej tij shumë e ngarkuar, shumë burokratike, e pandjeshme ndaj halleve të njerëzve dhe e paaftë të ofrojë alternativa të qarta zhvillimi.
Deri kur kështu…?
Deri atëherë kur në krye të shtetit të vijnë njerëz me “kokë të madhe”, me “gjoks të madh” e “plendës të vogël”…