Poezia merxhaniane, nuk ka dyshim se është e arrirë artistikisht, e tejkalon të zakonshmen dhe se e kërkon lexuesin e kujdesshëm që ta receptojë thellësinë filozofike të vargut, mundësinë e pafundme të interpretimit, si dhe ndërlidhjen e tematikave nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja vizionare. Vëllimi poetik “Asgjë si atëherë” në vete përmban një krijimtari të pasur poetike, e cila është origjinale dhe me vlera të larta letrare dhe estetike. Gjuha e bukur poetike, tematika interesante, simboli, metafora, ironia, satira, fjalët e reja dhe të tjera figura stilistike, si dhe stili i të shkruarit dhe format e ligjërimit poetik, i japin ngjyrim të theksuar artistik e estetik poezive të kësaj përmbledhjeje poetike dhe njëherit e bëjnë më atraktive dhe më të këndshme, jo vetëm për lexuesin e zakonshëm, por edhe për studiuesin e poezisë.
Mitologjia është një element tejet i rëndësishëm dhe i fuqishëm që e hasim në poezi përgjithësisht. As autori Merxhan Avdyli, nuk i shmanget përdorimit të figurave mitologjike, përmes së cilave pasuron idenë e vargut poetik dhe krijon lidhje e krahasime ndërmjet antikitetit dhe postmodernes.
Përmbledhja hapet me poezinë "Vuajtjet e Tantalit të ri", ku përmes titullit mitik, autori krahason fatin e popullit tonë dhe fatin e tij të flijuar, me fatin përvuajtës të Tantalit, duke përmendur në dy strofat e para: dashurinë, lumturinë, ujin e bukën, si të mira që ishin prezente, por që nuk mund t'i kishte dhe se ishte i privuar nga to, i dënuar të mos i gëzonte, kushprehet:
Askund dashuria
Lumturia s’po duket kund.
Ky largim i tyre nga unë
Më sjell vetëm vuajtje,
O dhembje, më sjell, pa fund.
Madje, në dy strofat e tjera të kësaj poezie, autori aludon në botën e nëndheshme, të Hadesit, të cilën e krahason me ftohtësinë e vdekjes.
Gjithkund akull
Ftohësi vdekjeje.
Tema mitike, gjithashtu shpërfaqet edhe në poezitë: "Koha e krimit" dhe "Po të mos ishe i tillë", ku autori i drejtohet Zeusit (Zeusi përmendet nëntë herë në këtë përmbledhje poetike) me nota qortuese për fshehjen e kënaqësisë së krimit dhe shndërrimin e perëndive në njerëz e anasjelltas, duke krijuar intertekstualitet me romanin "Ferma e kafshëve" të XhorxhOruelit, ku shprehet:
Sa mirë ta ka bërë
Ai irlandezi i çmendur Oruel
Ai Xhorxhi im i zi,
Që ka shkuar përtej teje
Duke e parë në sytë e kafshëve
Dëshirën për të bërë krime si njerëzit.
Përmes vargjeve të poezisë "Mesi", autori tregon se për të qëndruar larg të këqijave, duhet qëndruar larg engjëjve e edhe më larg djajve, duke synuar "mesin e artë" të Aristotelit. Poezia ka intertekstualitet me përmbledhjen poetike "As engjëll, as djall" të vetë autorit Merxhan Avdyli. Vargjet në vijim:
Në mes dua të rri,
Larg engjëjve
Sa më larg djajve.
Ndërkaq, në poezinë "Zemërimi aristotelian", autori bën ndërlidhjen me "mesin e artë" të Aristotelit, i cili thotë se nuk duhet të ketë zemërim të tepruar, e as të ketë mungesë të zemërimit, por të gjendet "mesi i artë". Mungesa e zemërimit trajtohet në vargjet e kësaj poezie, si mungesë e aftësisë për t'i mbrojtur vlerat morale:
S’ka zemërim,
Zemërim s’ka
Sepse asnjë Aristotel
S’ka mbetur
Të gjithë, ama të gjithë
Në mjerimet e tyre janë tretur.
Perëndia e mitologjisë greke, Zeusi, përmendet edhe në poezinë “Lartësia”, ku na del si perëndia e qiellit. Autori, nëpërmjet vargjeve të kësaj poezie, thotë se në majën e malit mund të ngjitesh, por aty s’mund të bëhesh Zeus, është shpjegimi i poetit Merxhan Avdyli, ku shprehet:
Në maje të malit
Mund të ngjitesh lehtë
Por aty s’mund të bëhesh Zeus
Edhe nëse të duket
Se e ke prekur qiellin.
Në tri poezitë për dhembjen: “Dhembja ime”, “Dhembja e jonë” dhe “Dhembja e juaj”, autori bën krahasim të vuajtjeve të tij, shokëve të tij dhe atyre që nuk kishin ndonjë dhembje, por bënin gjoja se kishin. Në dy strofat e para të poezisë “Dhembja ime”, autori tregon për ndjenjën e fatit të përvuajtur, ndërsa në strofën e tretë që është edhe strofa e fundit e poezisë, dhembja ikën, kalon, pasi e sheh të vetmuar “Zeusin e Zi”, i cili simbolizon anën e errët të pushtetit, pandjeshmërinë dhe ndëshkimin, si në vijim:
Po dhembja po ikën
Kur po e shoh
Të vetmuar Zeusin e Zi
Të mbetur në lashtësi.
Në ciklin poetik, në përbërje prej pesë poezive për zogun: “Zogu i zemrës”, “Zogu i zaiftë”, “Zogu i lirisë”, “Zogu i plastikës” dhe “Zogu i zi”, autori na ofron një larushi variantesh për zogun si simbol: i dashurisë, mirësisë, fatit shqiptar, lirisë, mosveprimit e errësirës.
Zeusi përmendet në dy poezitë e këtij cikli. Në poezinë “Zogu i zaiftë”, ku na del si antinjerëzor dhe i braktisur e i lënë në lashtësi, në mite:
Po mirë ia bëre atij fatthiu
Kur nga lashtësia erdhe te ne
Dhe atë dreq vepruesi
Antinjerëzor
Vetëm në mite e le.
Ndërkaq, në poezinë “Zogu i plastikës”, autori me vargjet e tij, godet mosvepruesit, të pashpirtët, ata të cilët i nënshtrohen së keqes dhe nuk kontribuojnë në të mirën e përgjithshme. Atyre vetëm Zeusi ua ka lakmi, sepse i sheh si aleatë e të pavdekshëm:
Vetëm Zeusi
Ty ta ka lakmi
Se edhe ai dëshiron
Të mbetet i pavdekshëm
Sikurse ti
Atëherë dhe tani.
Në përjashtim të poezive përkushtuese për autorin, përmbledhja poetike “Asgjë si atëherë”, hapet me përmendjen e Zeusit dhe përfundon me të. Në poezinë “Kthimi në Gilbush”, autori kujton çastet e fëmijërisë sa herë që kthehet në vendlindje, në livadhet e Gilbushit. Përmes Zeusit, autori shpërfaq ndjenjën e sunduesit të pamëshirshëm për blerimin e natyrës së Gilbushit:
Sa herë e shkeli barin e Gilbushit
Më duket se kthehem në fëmijëri
O në atë fëmijërinë e dikurshme
Kur ecja fushave të blerta të jetës
Dhe ndjehesha Zeus.
Duke arritur ta shndërrojë të zakonshmen në të pazakonshme, nëpërmjet temave, ideve, përsiatjeve, imagjinatës, ndjenjave dhe gjuhës figurative, ky libër poetik, i autorit Merxhan Avdyli, do ta intrigojë studiuesin për të shpalosur dhe trajtuar aspekte nga më të ndryshme të tematikave dhe dimensionet e kuptimit të poezisë.