Ditë më parë, në botim të shtëpisë botuese “Lena”, doli nga shtypi monografia Lis i pamposhtur shkolla “Lismiri” e autores Shemsije Fetahu, me redaktor Gani Bajrami dhe recensues Jakup Krasniqi e Jakup Tërnava. Kjo monografi i është kushtuar 30-vjetorit të Shkollës fillore të mesme të ulët (ShFMU) “Lismiri” në Lismir (1992 - 2022) dhe hedh dritë në historikun e kësaj vatre arsimore që nga zanafilla, këtu e 78 vjet më herët dhe sidomos për tri dekadat e saj pas mëvetësimit nga shkolla amë.
Që në fillim të këtij shkrimi për monografinë Lis i pamposhtur shkolla “Lismiri” të autores Shemsije Fetahu dua të theksoj se, dorëshkrimin e mora për redaktim me dëshirën dhe përkushtimin që edhe unë të kem një hise sado të vogël në këtë monografi për Shkollën e Lismirit të Fushë-Kosovës në të cilën, në mesin e viteve ‘70 të shekullit të kaluar, punova dy vjet para se të punësohesha në gazetën “Rilindja”. Ta them të drejtën nuk u zhgënjeva, ngase autorja Shemsije Fetahu kishte punuar me përkushtim në grumbullimin e të dhënave dhe mbarështrimin e lëndës në këtë libër monografik, që ngërthen në vete historikun e kësaj vatre arsimore që nga zanafilla, këtu e 78 vjet më herët dhe sidomos pas mëvetësimit të saj nga shkolla amë para tre dekadash.
Monografia me titull simbolik Lis i pamposhtur shkolla “Lismiri” padyshim është një përpjekje serioze e një pune të vullnetshme të autores Shemsije Fetahu për ta pasqyruar rrugëtimin shumëvjeçar të Shkollës së Lismirit, punën dhe sakrificën e madhe të shumë brezave, të njerëzve të thjeshtë, të intelektualëve, të atdhetarëve të këtij mjedisi... Sepse, siç thekson autorja, në parathënien e librit, hapja e shkollave shqipe para 7-8 dekadash ishte një punë shumë e vështirë, ngase ndeshte në pengesa e vështirësi, ishte një luftë për ekzistencën për qenien tonë kombëtare. Ndërkaq, Shkolla e Lismirit është njëra nga vatrat e hershme dhe e rëndësishme arsimore në gjuhën shqipe në rrethinën e Fushë-Kosovës. Kjo shkollë, që u pavarësua nga shkolla amë para 32 vjetësh, trashëgoi traditën e nisur para 78 vjetëve të mësimit shqip, fillimisht në shtëpi private me sistemin “odat-shkollë“.
Autorja Fetahu ka vu në pah se në rrugëtimin e kësaj vatre arsimore, ndonëse me sakrifica të mëdha, kontribut të madh dhe të pazëvendësueshëm dhanë shumë mësimdhënës, të cilët nuk u gjunjëzuar, por edukuan dhe arsimuan shumë gjenerata të të rinjve në frymën e shëndoshë kombëtare. Prandaj, kjo vatër arsimore, në rrugëtimin e shkollës shqipe, bashkë me mësimdhënësit që punuan në të, ndonëse me sakrifica të mëdha, nuk u gjunjëzua asnjëherë, por qëndroi si një lis i pamposhtur. Mësimdhënësit e saj, kontributi i të cilëve ishte i madh dhe i pazëvendësueshëm, edukuan dhe arsimuan shumë gjenerata të të rinjve në frymën e shëndoshë kombëtare. Thënë shkurt, personazhet e kësaj monografie janë njerëz që lanë gjurmë të dalluara e të dokumentuara në historinë e arsimit e të kulturës sonë kombëtare, punë me të cilën nuk krenohet vetëm Lismiri dhe komuna e Fushë-Kosovës. Sepse, ata me veprimtarinë tyre të përditshme krijuan vlera të arsimit tonë kombëtar, e madje edhe vetë u bënë vlerë e rëndësishme kombëtare.
Meqë autorja është me një përvojë shumëvjeçare në këtë shkollë, rreth 40 vjet, prej të cilave 25 vjet i ka në pozitën e drejtorit, ka ofruar një pasqyrim të plotë të punës së kësaj shkolle, sidomos për periudhën 30 vjeçare, prej kur kjo shkollë është pavarësuar nga shkolla “Zejnel Salihu” e Bardhit të Madh. Në libër jepen shënime interesante për shkollimin e lismirasve për periudhën gati tetë dekada, por edhe për historinë mjaftë të bujshme të kësaj vatre arsimore, si dhe për rrugën me plot peripeci nëpër të cilën kaloi shkolla shqipe dhe arsimi në Kosovë.
Me emrin e autores së monografisë Lis i pamposhtur shkolla “Lismiri” lidhen shumë suksese të tre dekadave të fundit të Shkollës së Lismirit. Mirëpo, zonja Fetahu në asnjë moment nuk e shquan vetveten, por përpjekjet e saj janë për ta përmbushur një obligim që ajo e ndiente ndaj këtij institucioni arsimor - pra për ta ndriçuar kontributin e përgjithshëm dhe të veçantë të kësaj vatra të dijes dhe për ta lënë të shkruar në një libër tërë atë pasuri që konsiderohet vlerë e rëndësishme kombëtare. Dhe mund të thuhet me plot gojën se autorja, në librin e saj monografik, ia ka dalë të përmbush obligimin intelektual e kombëtar, që historia e kësaj vatre arsimore të mos mbetet vetëm objekt bisedash të hamendësuara nëpër oda e ndeja të ndryshme, por të jetë e shkruar në letër dhe të mbrohet nga harresa.
Botimi i kësaj monografie ishte kurorëzim i përpjekjeve serioze të një pune të vullnetshme të autores Shemsije Fetahu, e cila me përfundimin e vitit shkollor 2023/24 shënoi edhe dy jubile personale – përmbylljen e shekullit të punës mbi 4 dekada, thuaja kryesisht këtë shkollë, në cilësinë e profesorit për lëndën e Biologjisë, si dhe përfundimin e karierës së drejtorit në këtë shkollë plot një çerek shekulli. Prandaj me të drejtë recensuesit, Jakup Tërnava dhe Jakup Krasniqi, vlerësojnë se “Hartimi dhe publikimi i kësaj vepre, që vlerësohet si një dokumentar i fillimit të shkollimit shqip në Lismir dhe më gjerë, plotëson boshllëkun ekzistues, jo vetëm për sfidat dhe vështirësitë e periudhave të ndryshme kohore, por edhe prezantimin e rezultateve dhe sukseset e arritura të kësaj vatre edukativo-arsimore. E strukturuar në 10 kapituj të veçantë, sipas natyrës të materies së shtjelluar për rrethana shoqërore e politike të kohës, monografia ofron një materje sa të rëndësishme aq edhe interesante për lexuesin”.
Sipas recensuesve, autorja Fetahu, në këta kapituj me detaje ka shtjelluar historikun e banorëve të Lismirit, dikur muhaxhir dhe më vonë refugjatë, histori e ripërsëritur pas 121 vjetësh. Gjithashtu ka prezantuar informata dhe të dhëna për pozitën gjeografike, demografinë dhe veprimtarinë shoqërore ekonomike të lismirasve, etj. Gjithashtu ajo
me kompetencë profesionale, ka analizuar faktorët e mungesës së shkollimit në gjuhë shqipe, zgjimin kombëtar dhe sakrificat për arsim shqip, por edhe luftën kundër analfabetizmit. Me të drejtë, autorja konstaton se mësimet e para shqip në Lismir fillimin e kishin në “odat-shkollë”, ndërsa tash mësimi zhvillohet në objekt modern, në Kosovën e lirë dhe të pavarur. Vend meritor në libër iu është kushtuar heroizmit dhe rezistencës së rinisë përballë dhunës barbare nga okupatori serb, duke veçuar rastet e burgosjeve, vrasjet dhe barbarizmave serbe ndaj lismirasve dhe më gjerë.
Në një kapitull të veçantë trajtohet roli dhe kontributi i Shkollës së Lismirit gjatë kohës së okupimit, e cila ishte shndërruar në qendër të shumë aktiviteteve shoqërore, politike dhe kulturore të kohës. Në mënyrë dokumentare është prezantuar puna dhe veprimtaria e Gjimnazit “Hivzi Sulejmani” dhe Teatrit “Qëndresa “ të Fushë-Kosovës, që në periudhën e okupimit veprimtarinë e tyre e zhvilluan në Shkollën e Lismirit, gati për një dekadë të plotë.
Monografia Lis i pamposhtur shkolla “Lismiri” është pa mëdyshje një dëshmi kohe, e cila për brezat e ardhshëm doemos ruan të gjallë historikun e një realiteti të djeshëm dhe të sotëm në arsimin shqip. Prandaj, botimi i kësaj monografie që mban vulën e kohës të disa brezave shkollarësh, do të jetë i dobishëm dhe rast i mirë që brezat e tanishëm dhe ato që do të vijnë, ta njohin një periudhë të caktuar të punës së kësaj vatre diturie, e cila përkundër ballafaqimit me dhunën barbare nga të huajt, mbijetoi dhe arsimoi shkollarë që e luftuan errësirën drejt dritës së jetës. Dhe, sot me mburrje mund të konstatohet se nga bankat e kësaj vatre arsimore kanë dalë personalitete të shumta të dijes, duke u bërë emra të njohur, qoftë si profesorë universitarë në Universitetin e Prishtinës ose drejtues të shquar profesional, shoqëror dhe politik.