Lexoj njoftime pune, teksa mbaj në dorë filxhanin tim gjigant, ku pluskojnë avujt e kafesë. Njoftimet renditen bukur, rrjedhshëm, qartë.
Nevojten inxhinierë të përgatitur dhe të kualifikuar. Përse vallë? Bëhem kurioze vërtet. Dhe kafenë gjerb me gllënjka të mëdha, e etur për shijen e saj.
Ku mbeta? Ah, po! Tek inxhinierët! Ata duhet të krijojnë armë më të sofistikuara, më të shpejta, më të rrezikshme se kurrë më parë, për të vrarë akoma më shumë njerëz, më shumë fëmijë, për të shkatërruar miliona jetë, për të shkërmoqur miliona ëndrra, miliona dashuri.
Kafeja u vesh me një tis të purpurt. Po kjo tani?!
Vazhdoj të lexoj. Duhet të trajnojmë kimistë, shkencëtarë, projektues, teknikë informacioni, më shumë staf logjistik e operacional. Industria ka nevojë të pasurohet me teknika të reja, të shpiken modele të veçanta për të shuar bukurinë e botës, të peizazheve, të shkollave, të bibliotekave, të stadiumeve, të muzeve, të spitaleve.
Paradoksi tjetër! Njerëzimi paguan taksa për t’ u ekzektuar frymëmekur, pa mëshirë, me ose pa bujë, nën duhmën e lakmisë që dhe mbreti Midas do e kishte zili. Ne paguajmë për t’u shkatërruar më shumë, më mirë, në forma të përparuara që na serviren si teknologjia e fundit.
Sistemi i armëve snajper i rikonfiguruar XM2010. Një karikator me dhjetë plumba të kalibrit 300 Winchester në një distancë maksimale prej 2 km e bëjnë këtë snajper zotin e vdekjes. Filxhani gjigant dridhet. Dora ime duket krejt e vogël për të.
Njeriu i shekullit XXI mbetet i pangopur, i paepur, kurioz, gjakatar, me të njëjtat nevoja biologjike, duke luftuar çdo ditë për mbjetesë, duke krijuar armë, mjete pune dhe artefakte, idem si njeriu i shpellave.
Na jep një planet tjetër o Zot, se këtë e shkatërruam mjaftueshëm!
E lë filxhanin tim mënjanë. Sa e hidhur kjo kafe ! Gulçonte si dhembja, shijonte si loti, erëmonte si ato kufomat e pakallura në një sfond rrëqethës, plot krakëllima korbash.
Psherëtima ime për pak sa s’më mbyt… Mjaft lexova për sot!
Sërish shfaqesh ti
Sërish shfaqesh ti…
I heshtur, i largët, i ftohtë.
Zemra jote një enigmë e errët,
një labirint pa rrugëdalje,
ku demonët zvarriten në afsh.
Dhe ndjenja ime i ngjet
valles së gjetheve të vjeshtës.
Mbetur krejt e vetme,
në rrjedhën e pandërprerë të kohës.
Nata e gjatë si lumi i Nilit
pret të zgjohet nga malli yt.
Me shpresën se një ditë
do të ndajmë të njëjtën ëndërr.
Kënga e dhembjes
Frymëmarrja e tokave të pushtuara
ngjizet me hirin e Hënës.
Lulet çelin mbi pellgje
të thëngjillta lotësh.
Shpresat treten
në humnerat e kohës,
bashkë me to, dhe gëzimi i së nesërmes.
Historia shkruhet me idealin e të shtypurve,
me triumfin e uzurpatorëve,
me vajin e dëshpëruar të nënave,
me gjakun e lutjeve të dëlira.
Kënga e dhembjes
thuret nga tingujt e eshtrave.
Ëndrrat priten
me gërshërët e vdekjes;
të njëjtat gërshërë
që kanë të gjithë diktatorët.
Të gjithë vampirët e lirisë
dhe urryesit e jetës.
Ato mbartin kutërbimin e Hiroshimës,
klithmat e Srebrenicës, plagët e Ballkanit,
makthet e Kosovës, errësirën e Holokaustit,
panikun e Ukrainës, lotët e pandalshëm të Gazës...
peshën e të gjitha marrëzive të përbindshme...
që nga vëllavrasja e Abelit –
gjer te përpëlitja e një zemre të pafajshme.
ADAGIO
Mbi gjethet e fundit të vjeshtës
shkruhen vargjet më të bukura
Për dashuritë e pamundura.
Adagio...
Dua të bëhem qiell.
Dhe të të shoh me miliarda sy
Nga pafundësi’ e hapësirës
Që aq shumë...
i ngjan shpirtit njerëzor.
Si një adagio...
Të vij drejt teje
dhe të të gjej
në mes të ëndrrës
që enda për ty, për ne.
Thuamë ç’të duash
Dhe do të të besoj.
Nga kjo agoni e pashpresë,
Si një lumë i marrë të bliroj.
Adagio...
Në tranzicionin e ndjenjave
të shkokëluara,
Hija ime, le të shkruajë
me një kaligrafi të çrregullt
emrin tënd...
Në boshllëkun e një dhome të errët,
Mbi një pasqyrë të pluhurosur,
që kurrë
s’u vesh, me amësimin tonë.
I dashur Babagjysh!
I dashur Babagjysh!
Në këtë botë makute, vanitoze, të paepur.
U çel zyrtarisht
gjuetia histerike e dhuratave.
Drerët e tu rendin me neveri,
midis shpirtrave të babëzitur.
Dhe ti, zbathur sfidon
harkun e ngrohjes globale.
A mjafton manteli yt i kuq,
për të ngrohur të gjithë fëmijët e luftës?!
A e di?!
Këmbanat e tua
përngjajnë si rreze shprese
mbi jetët e trazuara.
I dashur Babagjysh!
Paradoksi është ulur këmbëkryq
midis dritëhijeve të Tokës.
Lista e dëshirave të të pangopurve,
këlthet më shumë se ofshamat e skamjes.
Kudo mbizotërojnë urimet virtuale,
mesazhet standarde të ricikluara,
hipokrizia e buzëqeshjeve gjakpirëse.
Kushedi sa të rëndojnë në zemër!
Më shumë se lotët që mbushën,
thesin e madh të dhuratave.
Më shumë se ëndrrat
që shuhen në errësirë...
Më shumë se ylberët që s’lindin pas shiut…
Më shumë se yjet e mbetur pa emër...
Sepse njerëzimi e vrau mëshirën.