Para gjashtë dekadash, në fshatin Nishor, komuna e Therandës, fillova për herë të parë misionin më kombëtar dhe human për arsimimin me dije dhe edukatë të fëmijëve shqiptarë.
Ishte kohë e vështirë; jo vetëm që kushtet në të cilat zhvillohej mësimi ishin të vështira, por regjimi i UDB-së ndiqte në çdo hap, duke hetuar nëse mësuesit po edukonin nxënësit sipas patriotizmit shqiptar, për t'i arrestuar dhe larguar nga procesi mësimor.
Ajo që më ka mbetur në kujtesë dhe nuk mund ta harroj kurrë, edhe pas aq shumë vitesh, është mikpritja bujare e fshatarëve të këtij fshati dhe suksesi i shkëlqyer i nxënësve në mësim, të cilët sot kanë tituj të lartë akademikë, thuajse në të gjitha fushat e shkencës. Madje, ata i shërbejnë kombit gjithëandej me shumë pasion dhe përkushtim, për ta nxjerrë atë nga terri i historisë.