Festë fundviti e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Kultura

Festë fundviti e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Nga: Hamdi Hysuka Më: 25 dhjetor 2024 Në ora: 21:29
Hamdi Hysuka

Nata e ndërrimit të viteve festohet në mbarë botën. Për këtë festë gëzojmë të gjithë, sidomos fëmijët dhe të rinjtë. Po për shkak të profesionit, gazetarët janë ata që vitin e ri e presin para kohe. Kështu ndodhi me Unionin e Gazetarëve të Qarkut Elbasan, drejtuar nga Besim Dybeli, i  cili më 21 dhjetor 2024, në bashkëpunim me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë me qendër në Tiranë, Shoqatën Res-Egnatia dhe nën kujdesin e veçantë e personal të kryetarit të Bashkisë, z. Andis Salla, festën e fundvitit e organizoi në qytetin e Cërrikut. Të pranishëm ishin kryetari i UGSh, Aleksander Çipa; Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku; analistët Frrok Çupi, Henri Çili, Mentor Kikia, Anila Hoxha etj.

Para bisedës informuese me kryebashkiakun Andis Salla, e mori fjalë gazetari i njohur, Besim Dybeli, i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe bashkinë mikëpritëse që, për nga profesionalizmi dhe cilësia e punës, i ka dhënë Shqipërisë dhjetra emra të shquar në të gjitha fushat e jetës.

-Po e nis me një toponim, -u shpreh kryetari i Unionit të Gazetarëve të Qarkut Elbasan, -i cili ka qënë “Cërr, cërr dhe ik!”, shprehje kjo e ardhur para shumë viteve të largëta, kur kjo zonë kishte vetëm ferra e driza. Disa gjahtarë, në vend të lepujve, po gjuanin zogj. Gjuanin me çifte dhe asgjë nuk vranë. Zogjtë bënin cërr, cërr dhe iknin.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryetari Dybeli tha se Cërriku është qytet i viteve ’50, i shekullit  të kaluar, i projektuar nga rusët në pjesën fundore të fushës naftëmbajtëse, e cila shkon deri në Kuçovë. Ishin rusët që hapën puset dhe po ato, pas prishjes së marrëdhënieve tona me lidershipin sovjetik, i mbyllën për të mos u hapur kurrë.

Aktualisht qyteti i Cërrikut ka 15.000 banorë. Njësi Administrative të tij janë Cërriku, Gostima, Mollasi, Shalësi e Klosi. Është një zonë që prodhon gjithçka, qytet bujqësor dhe industrial. Dikur këtu kishte rafineri nafte, në të cilën punësoheshin 700 punëtorë, teknikë dhe inxhinierë. Nafta merrej nga Kuçova. Ishte një uzinë që ka specializuar qindar kuadro të mesëm e të lartë në profesionin e naftëtarit, të mekanikut dhe inxhinierit. SMT-ja e Cërrikut, siç theksoi kryetar Dybeli, ka qënë më e mira në vendin tonë, me të gjitha pajisjet. Ka patur të punësuar rreth 300 punonjës. Këtu kishte institut duhani, që përgatiste duhan për eksport dhe rriste cilësinë e duhanit botror. Cërriku, me zonat fushore e kodrinore që e rrethojnë, prodhon gjithçka: grurë, misër e më shumë perime, fruta dhe ullinj. Si zonë mund ta quajmë “Hambari i Elbasanit”. Për fat të mirë, fermerët i janë kthyer tokës. Të gjitha rrugët e lagjeve të qytetit janë me ndriçim dhe të asfaltuara.

Gjatë bisedës informuese, kryetari i Bashkisë, Andis Salla, shprehu falenderime për organizimin dhe pjesëmarrjen e gazetarëve.

-Për çdo vit, -tha ai, -festojmë së bashku, bashkëbisedojmë me një pjesë të stafit të gazetarisë së Elbasanit e të Qarqeve të tjera. Kënaqësi që mes nesh sonte kemi dhe miq nga Kosova e Presheva. Në raport me 32 bashki të tjera të vendit, për nga numri i popullsisë, ne jemi në vendin e parë.

-Një pjesë të mirë të problematikave të terrenit, -theksoi kryetari, -ju i takoni nga afër çdo ditë. Me ju gazetarët, për të mirën e qytetarëve, ne kemi një raport shumë të mirë. Por, siç e dini, të bësh një lajm është punë e vështirë, qoftë lajm i mirë dhe jo i mirë, sepse normalisht jo të gjitha lajmet janë pozitive. Së bashku punojmë për një marrëdhënie të mirë institucion-gazetarì, sepse në raport me qytetarët dhe institucionet në sherbim të komunitetit, roli i medias në demokraci është pushtet i katërt.

Mes atmosferës festive, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa, theksoi se kënaqësia e kësaj feste bëhet edhe më e madhe, meqenëse në mesin tonë kemi kolegë, të cilët nuk mungojnë në aktivitetet e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Ata vijnë nga Kosova dhe Lugina e Preshevës, miq e partnerë të përhershëm, kolegë që zotërojnë influencë mbi mediat përkatëse. Disa kolegë të Luginës na kanë dhënë mundësinë që të njohim rrethanat, trevat, mënyrën se si jetojnë shqiptarët e atjeshëm, si janë organizuar etj, etj. Së bashku jemi në raportime shumë më intensive.

Në këtë takim, falë kryetarit të Bashkisë, Andis Salla, kthejmë vemendjen tonë si gazetarë, se dashur padashur  përmes komunikimit me ju marrim një informacion për problematikat sociale, për çeshtjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore e sociale, për kategoritë e margjinalizuara të popullsisë, për nevojat kulturore, për ofertat turistike etj.

Ndër të pranishmit, analisti Henri Çili simpatizoi punën e Unionit të Gazetarëve. Sipas tij, Cërriku i dikurshëm industrial është në kryqëzim të të gjitha rrugëve të sotme.

Ndërsa Ministri i Shtetit për Pushtetin vendor, Arbjan Mazniku, me profesion gazetar, i nivelit Master për Komunikim Publik, theksoi se nga ky takim festiv ne marrim nga ju mendime, sugjerime, apo problematika që lindin gjatë punës së përbashkët.

-Ju jeni pjesë shumë e mirë e terrenit, -theksoi ministri, -se zbatoni detyrat dhe punët, të cilat bashkërisht na rrethojnë. Me këtë rast secilit nga ju dua t’i uroj: “Gëzuar festat e fundvitit, bashkë me familjarët!”

Roli i gazetarit, sipas tij, mbetet i pandryshuar, pavarësisht ndryshimit që mund të bëjnë gazetat, televizionet, radiot, apo portalet e rrjeteve sociale. Pra, mjetet mund të ndryshojnë, ndërsa gazetaria jo. Unë nuk besoj te gazetaria e paanshme, por i besoj gazetarisë profesionale. Siç theksoi ministri Mazniku, gazetari profesionist organizon, vlerëson dhe raporton ashtu siç ia kërkon detyra.

Pas këtyre bisedave të drejtpërdrejta, përshëndetjeve të ngrohta, këmbimit të adresave dhe fotove të shumta, aktiviteti tradicional i fundvitit i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë u zhvendos 5 km në Jug të qytetit, për darkë pune në Resortin "Ura e Sulovës".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat